Poema epike "Historia e Skënderbeut"
u botua më 1898, dy vjet para vdekjes së
Naimit. Kjo vepër e fundit që botoi ai,
mbeti si testamenti i tij, sepse në të përmblodhi
dhe shprehu me patos të fuqishëm idealet
për lirinë e Shqipërisë dhe për
futjen e saj në rrugën e përparimit.
Vepra doli në një çast historik tepër
të mprehtë: Perandoria Osmane po shkonte
drejt fundit të saj dhe rreziku i copëtimit
të vendit tonë nga shtetet shoviniste ishte
shumë i madh. Kërkohej më shumë
se kurrë që ndërgjegjja kombëtare
të forcohej dhe, veç kësaj, te shqiptarët
të krijohej mendësia se ishte e drejta e
tyre të jetonin të lirë si komb më
vete në trojet e lashta stërgjyshore. Vepra
e Naimit bënte thirrje dhe nxiste shqiptarët
t'i dilnin zot vendit të tyre në këto
kushte, duke kryer me nder detyrën atdhetare.
Breza të tërë patriotësh kishin
ëndërruar të kishin një vepër
për heroin kombëtar, Skënderbeun. Këtë
dëshirë e realizoi Naimi me poemën
e vet madhore, e cila lëshoi hapur e me forcë
kushtrimin për të rrokur armët, për
të shkundur zgjedhën turke e për ta
mbrojtur atdheun nga çdo rrezik. Ajo tingëlloi
si kushtrim i bashkimit të shqiptarëve rreth
flamurit të Skënderbeut.
Si është ndërtuar vepra? "Historia
e Skënderbeut" është një
poemë epike e përbërë nga 22 këngë.
Ngjarjet ndjekin rendin kohor: Fillojnë me dërgimin
e djemve të Gjon Kastriotit peng të sulltanit
dhe mbarojnë me vdekjen e Skënderbeut dhe
pasojat e rënda që ndoqën . Në
përgjithësi vepra i përmbahet historisë,
ndonëse ka personazhe të krijuara prej poetit.
Në qendër të poemës është
figura e Skënderbeut. Këtë figurë
Naimi e ka vizatuar në përputhje me idealin
e tij romantik, në dritën e idealeve të
humanizmit evropian e në frymën e Rilindjes.
Pra e idealizon figurën e heroit tonë.
Për Naimin Skënderbeu është personifikim
i të gjitha vlerave: i trimërisë, i
urtësisë, i bukurisë fizike e morale:
Ishte mbret i bukurisë,
si dielli epte dritë…,
… kish të gjitha mirësitë
dhe të tërë urtësinë,
njerëzin' e dituritë
dhe fuqin' e trimërinë.
Naimi e paraqet Skënderbeun me tiparet e një
heroi legjendar, të luftëtarit kreshnik
dhe të atdhetarit të flaktë, që
mbi gjithçka vë atdheun, edhe mbi interesin
e tij.
Në poemë e gjejmë Skënderbeun
një udhëheqës me aftësi të
rralla, që diti të bashkonte të gjithë
shqiptarët rreth idealit të madh të
lirisë. Ai është organizator dhe strateg
i madh në luftë, po aq sa është
edhe luftëtar që bie "si rrufè"
mbi armiqtë dhe i shpartallon. Si prijës
i urtë popullor ai është simbol i lirisë,
i traditave heroike të popullit, i idealeve shoqërore
e demokratike që i kishte vetë poeti. Skënderbeu
paraqitet me një botë tepër humane.
Është i dashur e i thjeshtë me njerëzit,
ka një mall përvëlues për atdheun
kur jeton larg tij, qan me lot të hidhur kur
merr vesh vdekjen e njerëzve të afërt
dhe të zezat që e gjetën Shqipërinë.
Në çdo çast është njerëzor
e fisnik.
Figura e Skënderbeut është e pashkëputur
nga epoka e tij. Është e natyrshme që
këtë epokë Naimi ta paraqitë të
idealizuar, duke ia kundërvënë gjëndjes
së Shqipërisë së robëruar
e të prapambetur të kohës së vet.
Koha e Skënderbeut përmblidhte gjithë
"mirësitë" e "begatitë"
atëherë mbretëronte urtësia, paqja,
kamja, nderi, shpresa.
Paraqitja e idealizuar e së kaluarës kishte
një funksion të caktuar. Duke ballafaquar
dy epokat, Naimi thekson se pushteti osman e ndërpreu
proçesin e zhvillimit e të qytetërimit
të Shqipërisë, e hodhi këtë
në errësirë. Pra, pushtimi osman duhej
shporrur sa më parë dhe epoka e lavdishme
e Skënderbeut duhej përtërirë.
Naimi evokon shpirtin heroik e liridashës të
shqiptarëve, traditat e tyre të bashkimit,
evokon epokën dhe Skënderbeun vetëm
e vetëm që
T'i ap dritë Shqipërisë
Nga shpirt' i ndritshëm i tija,
pra, duke na i paraqitur ato si një model të
përsosur, ti frymëzonte bashkatdhetarët
për ta çliruar e qytetëruar atdheun
e tyre si dikur. Si demokrat Naimi e paraqet popullin
si një forcë të gjallë që
i udhëhequr nga një hero si Skënderbeu,
korr fitore dhe tregon heroizëm e patriotizëm
të pashoq.
Një ide e rëndësishme e poemës,
tepër aktuale në fund të shekullit
XIX, ishte ajo se liria fitohet vetëm me anë
të luftës së armatosur. Gjithë
poema e sintetizon këtë ide, por me një
patos të veçantë spikat ajo në
fjalët e Kamanit:
Kurrë s'trembet Shqipëria,
nukë vdiq, po është e gjallë
tjetër përgjigjje Turqia
nukë do, përveç me pallë.
Fjala e Kamanit në kuvendin e burrave të
mbledhur nga Gjon Kastrioti, është himn
për trimërinë dhe lirinë, ajo
tingëllonte si thirrje për të rrokur
armët:
Trimëria, trimëria
mban lirin' e mëmëdhenë!
Kamani nuk është person historik, por figurë
e krijuar nga poeti me shumë dashuri e mjeshtëri.
Ai tipizon shqiptarin trim, të vendosur për
të mbrojtur lirinë dhe nderin e atdheut,
të gatshëm të japë edhe jetën.
Në poemë ka dhe shumë personazhe të
tjera, portrete të njerëzve të afërt
dhe të bashkëluftëtarëve të
Skënderbeut, si dhe të armiqve osmanë.
Këta të fundit, sidomos sulltanët,
jepen me tipare krejt të kundërta me ato
të Skënderbeut dhe të shqiptarëve.
"Historia e Skënderbeut" u bë
një nga veprat më të dashura gjatë
Rilindjes, se u përgjigjej aspiratave liridashëse
që vlonin në popull. Ajo themeloi në
letërsinë tonë traditën e poezisë
epike.
Poema ka shumë vlera artistike të qëndrueshme.
Ajo të rrëmben me gjerësinë e
rrëfimit, me gjallërinë e vizatimit
të shumë skenave. Të tilla janë
ato të kuvendeve, të veprimtarisë së
gjithanshme të Skënderbeut, të betejave,
ndonëse, ndonjëherë, bie në përsëritje
situatash. Herë-herë gjejmë tabllo
me dramacitet të theksuar. E tillë është
ajo në këngën e V, që fillon me
vargjet:
Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!…
Në poemë hasim herë-herë, portretizime
të goditura të personazheve, siç
është sidomos ai i Kamanit një pasuri
figurash stilistike, si epitete, krahasime, similituda
etj.
Gjuha e veprës është afër gjuhës
së popullit, me mjete të shumta shprehëse,
e pastruar nga fjalët e huaja dhe me mjaft fjalë
të krijuara nga vetë poeti. Shprehjet frazeologjike,
me mjaft ngarkesë emocionale, gjenden dendur
në poemë.
"Historia e Skënderbeut" mbetet një
nga veprat më të rëndësishme të
Naimit. Me të u mëkuan dhe u rritën
breza të tërë atdhetarësh e luftëtarësh.