Figura qëndrore e letërsisë
shqiptare të Rilindjes, ai që u bë
shprehës i aspiratave të popullit për
liri e përparim, si poet i madh i kombit, është
Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe.
Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër,
që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh.
Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në
arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të
vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në
Janinë, në gjimnazin e njohur "Zosimea".
Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi,
njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë
klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë
e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin
francez. Duke përvetësuar disa gjuhë,
si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten,
frëngjishten, italishten e persishten, Naimi,
jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit
të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës
e të Lindjes. Të gjitha këto tradita
poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më
1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për
të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi
dhe u kthye në Shqipëri në klimë
më të shëndetshme.
Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat
e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë
pati rëndësi të veçantë
në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu
më mirë jetën e popullit, zakonet,
virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur
e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë,
krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës
shqiptare.
Ndërkohë vendi ishte përfshirë
në ngjarjet e mëdha të lëvizjes
çlirimtare, që do të sillnin formimin
e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878,
udhëheqës i së cilës ishte Abdyli,
vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën
e vet për krijimin e degëve të lidhjes
në Jugun e Shqipërisë, përkrahu
dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur
veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi
vjershën e gjatë "Shqipëria",
në të cilën shpalli idetë kryesore
të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi
niste rrugën e poetit kombëtar. Më
1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll,
ku u bë shpirti i Shoqërisë së
Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve
shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia
kushtoi çështjes kombëtare, punoi
për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi
libra për të, shkroi vjersha, përktheu
e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin
e letërsisë sonë, për botim edhe
të shumë veprave të autorëve të
tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e
çlirimit të Shqipërisë, të
përparimit e të qytetërimit të
saj, u bënë faktori themelor që ndikoi
në formimin e Naimit si poet e atdhetar.
Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat
poetike e didaktike, kap një periudhë të
shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm
në vitin 1886 ai botoi veprat "Bagëti
e Bujqësia", "Vjersha për mësonjtoret
e para", "Histori e përgjithshme"
dhe poemën greqisht "Dëshira e vërtetë
e shqiptarëve", "E këndimit çunavet
këndonjëtoreja". Më 1885 botoi
përmbledhjen me vjersha persisht "Tehajylat"
(Ëndërrimet) më 1888 botoi "Dituritë",
më 1890 "Lulet e verës", më
1894 "Parajsa dhe fjala fluturake", më
1898 "Historia e Skënderbeut" dhe "Qerbelanë"
dhe më 1889 "Historia e Shqipërisë".
Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan
shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi
së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën
54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun
dhe me brengën që s'e pa dot të lirë.
Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë
kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin
e kulluar, apostulin e shqiptarizmës, poetin
e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin
e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që
niste kështu:
Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri,
mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai.
****************************
Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë
kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi
lindjen e një letërsie të re me vlera
të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat
e shoqërisë shqiptare të kohës
dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj
për liri e progres.
Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike,
qytetare, ai solli në letërsi botën
shqiptare, aspiratat jetike të popullit.
Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria
kombëtare dhe besimi në të ardhmen,
ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin
romantik të veprës së tij. Naimi e
afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar
tema të reja, të ndryshme nga ato të
letërsisë së vjetër, temat e problemet
e kohës.
Në formimin e Naimit si poet ndikuan disa faktorë,
por faktori kryesor ishte jeta e popullit të
vet dhe lëvizja e tij për çlirim
kombëtar.
Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, prej
të cilave mori elemente që u tretën
mjaft natyrshëm në veprën e vet. Por
krijimtarisë së tij vulën e origjinalitetit
ia vuri jeta dhe tradita historike e artistike e populli
të vet. Traditat poetike popullore, që përbën
një nga burimet e formimit të tij si poet,
i dha shumë më tepër nga çdo
traditë tjetër. Lidhja me të u shpreh
jo vetëm në gjuhën e poezisë së
Naimit dhe në figuracionin e pasur, por, në
radhë të parë, në përmbatje
dhe në frymën e saj.
Naimi është bilbili i gjuhës shqipe,
mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat
e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila
do të njihte më vonë një zhvillim
të mëtejshëm, për të arritur
gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare
të njësuar e të zhvilluar. Tradita
që krijoi Naimi, është e gjallë
dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë
sonë të sotme. Naimi më tepër
se shkrimtar, është poeti më i madh
i Rilindjes sonë Kombëtare, është
atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit
dhe i kulturës shqiptare.