Poema "Bagëtia e bujqësia"
u botua më 1886. Është një nga
veprat më të bukura e më të frymëzuara
jo vetëm të Naimit, por edhe të krejt
letërsisë së Rilindjes. Askush para
Naimit nuk i kishte kënduar dashurisë e
mallit për atdhe, krenarisë kombëtare
dhe bukurisë së natyrës shqiptare me
një patos aq të zjarrtë e me një
gjuhë poetike aq të ëmbël e të
bukur.
Me këtë poemë Naimi krijoi poezinë
e madhe të Atdheut e të natyrës shqiptare.
Kjo vepër jo vetëm u bë e dashur për
bashkatdhetarët, por krijoi një traditë
të pasur edhe për poetët që erdhën
më pas.
Siç e tregon edhe titulli, poema përbëhet
nga dy pjesë. Në pjesën e parë
flitet për punët e blegtorisë, për
jetën dhe punën e bariut, kurse në
pjesën e dytë për punët e bujkut.
Megjithatë, kjo s'është aspak një
vepër për këto fusha të jetës.
Prej tyre poeti vetëm sa merr pikënisje
për të shprehur ndjenjat e flakta patriotike.
Në të vërtetë, vepra është
një himn poetik i frymëzuar, kushtuar Atdheut,
natyrës dhe njerëzve të tij.
Poema hapet me një apostrofë madhështore,
e cila me një qartësi të habitshme
na sjell para syve bukuritë e natyrës shqiptare,
larminë dhe ngjyrat e saj, një peizazh të
pafund plot dritë e gjallëri.
O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
fushat e gjera me lule q'u kam ndër mend dit
`natë,
ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt' e kulluar,
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të
gjelbëruar,
do të këndoj bagëtinë që
mbani ju e ushqeni
o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni.
Motivi i mallit për atdhe zë fill që
në këto vargje dhe e përshkron gjithë
poemën. Larg vendlindjes, larg maleve dhe fushave,
larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve
plot zhurma jetësore, poeti ndien një mall
zhuritës për çdo gjë shqiptare.
Në atdhe gjithçka është e bukur,
ndaj dhe dëshira për t'u kthyer është
e papërmbajtur.
Kjo dëshirë për të fluturuar drejt
Shqipërisë është shprehur me mjete
poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron
të ketë "vrapin e veriut… krahë
pëllumbi…, nxitimin e lumit me valë".
Me apostrofa plot drithërim ai i drejtohet "fluturës
krahëshkruar" ose "dallëndyshes
bukuroshe" që t'ia marrin zemrën e
përmalluar e t'ia shpien në Shqipëri.
Veçanërisht e goditur është
similituda, e ndërtuar mbi bazën e përfytyrimeve
popullore të marra nga jeta e bariut dhe e bujkut
shqiptar:
Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh
e lë qingji kopenë
blegërinë dy a tri herë edhe ikën
e merr dhenë,
edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë
vetë,
e ta trembin ai s'kthehet, po shkon në mes si
shigjetë.
Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek
jam, mua,
vjen me vrap e me dëshirë aty, në viset
e tua.
Një tjetër motiv i fuqishëm, që
e bën poemën të dashur e frymëzuese
edhe për ne sot, është krenaria për
Shqipërinë, krenaria për emrin shqiptar.
Me dashurinë dhe krenarinë e flaktë
atdhetare, Naimi shprehu një nga idetë më
të rëndësishme të lëvizjes
kombëtare. Ai synonte të ngjallte tek bashkatdhetarët
ndërgjegjjen kombëtare, t'i bënte të
vetëdijshëm se ishin bij të një
vendi me vlera të gjithanshme, të një
atdheu që priste shumë prej tyre. Zëri
i poetit buçet:
Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin
shqipëtar,
zemrën ti ma gatove plot me dëshirë
e me zjarr.
Ishte e para herë në letërsinë
tonë që një gjë e tillë shprehej
kaq bukur, me kaq zjarr e përkushtim. Në
këto dy vargje Naimi mishëron një ide
të madhe e të përjetshme: nderin, dinjitetin
njeriut ia jep Atdheu, balta e vendlindjes, e gatuar
me gjak e djersë, me historinë e me traditat,
me fisnikërinë, bujarinë e gjithë
vlerat e tjera morale; lumturinë, gëzimin
dhe kuptimin e jetës njeriu mund ta gjejë
në atdhè, në vatrën e vet, mes
njerëzve të vet.
Këto vargje të pavdekshme patën një
ndikim të jashtzakonshëm tek bashkatdhetarët,
aq më tepër që shumë shqiptarë,
të mësuar nëpër shkolla të
huaja e të verbuar nga propogandat antishqiptare,
e kishin për turp të pohonin kombësinë
e tyre të vërtetë. Vargjet e Naimit
i prekën në zemër, ua drejtuan sytë
dhe shpirtin nga Atdheu, u kujtuan detyrën si
bij të tij.
Poema e Naimit është një vepër
tipike romantike. Bota e pasur e ndjenjave, dëshira
për t'u arratisur "nga brengat, nga thashethemet",
nga rrëmuja e qytetit anadollak, krijon një
gjendje emocionale të veçantë. Por
romantizmi i Naimit është aktiv. Poeti nuk
tërhiqet në gjirin e natyrës për
të lënguar në vetmi e pikëllim.
Përkundërazi duke u mrekulluar nga natyra
e bukur shqiptare, nga jeta e thjeshtë dhe e
ndershme në vendin e tij, nga fisnikëria
e njerëzve të punës, ai ka dashur t'i
nxisë shqiptarët ta duan Atdheun, të
kthehen në vatrën e tyre dhe lumturinë
ta gjejnë në punë .
Motivi i punës mund të themi se shtrihet
në gjithë poemën, e cila është
kështu një himn për punën dhe
për njerëzit e punës, për bujqit
dhe barinjtë. Poeti tregon në skena të
bukura e plot lëvizje veprimtarinë e përditshme
të bariut, të stopanit që bën
bulmet, të bujkut që vë qetë përpara
menatë; madje, edhe shpendët, kafshët
dhe kandrat janë në punë e në
lëvizje të përhershme. Në këtë
himnizim të njerëzve të thjeshtë
e jo të përfaqësuesëve të
klasave të larta parazitare, gjejmë edhe
njëherë ndjenjat demokratike të Naimit.
Jetën në atdhe Naimi e ka idealizuar, duke
e paraqitur me ngjyrat më të bukura e me
tone idilike. Ai nuk ka dashur t'i paraqesë plagët
dhe kundërshtitë e mëdha të jetës
në fshatin shqiptar të asaj kohe dhe kjo
bëhet me qëllim, që t'ua bëjë
sa më të dashur vendlindjen shqiptarëve.
Megjithatë, aty-këtu depërton edhe
ndonjë hollësi që tërthorazi flet
për ato plagë: varri i një udhëtari
të vdekur larg shtëpisë, një plakë
e drobitur, një lypës. Mbi të gjitha
plaga e madhe e robërisë, padituria, përçarjet,
nuk i shpëtojnë nga sytë. Ai i prek
tërthorazi në vargjet që mbyllin poemën,
kur shpreh dëshirën që Shqipëria
të hyjë në rrugën e mbarësisë.
Tregomu dhe shqiptarët udhën e punës
së mbarë,
bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë
shqiptarë.
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardhë
të lirisë,
udhën e vëllazërisë, vahn e gjithë
mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesh, paskëtaj
të mbretërojë,
errësira të përndahet, gënjeshtra
të pushojë.
Vlerat artistike të poemës janë të
gjithanshme, ndaj dhe idetë e saj janë aq
të prekshme. Figuracioni është aq i
pasur, i larmishëm e i vetvetishëm sa të
krijon një ngazëllim të papërmbajtur.
Apostrofat drejtuar natyrës shqiptare, enumeracionet
e shumta që japin larminë e saj dhe të
punëve, krahasimet dhe semilitudat e goditura,
epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë
atë një nga veprat më të frymëzuara
të letërsisë sonë. Duke u nisur
nga jeta baritore, nga loja e qengjave rreth mëmave
të tyre, Naimi krijon dhe simbole shprehëse:
fjala "mëmë" përsëritet
aq shpesh, sa bëhet simbol, që përgjihtëson
përkushtimin e poetit ndaj tokës mëmë,
Shqipërisë.
Në këtë vepër Naimi përdor
një shqipe të kulluar dhe, mbi të gjitha,
arrit të zbulojë me forcën e talentit
poetik vlerat dhe mundësitë e mëdha
shprehëse të gjuhës sonë. Ai e
ngriti atë në rrafshin e gjuhës së
poezisë së vërtetë, që mund
të shprehte ndjenja nga më të hollat.
Në poemë gjejmë një leksik shumë
të pasur baritor e fshatarak, thirrorë e
pasthirrma plot efekt, gjejmë prapashtesat përkëdhelëse
zvogluese: -zë, -thë, -osh (e), që
sjellin aq ngrohtësi:
Vashë bukuroshe e bariut, që vjen me llërë
përveshur,
me zemër të dëfryer e me buzëzë
të qeshur…
në sythit tënd shoh gazë…,
Për t'u dhënë jetë ideve e ndjenjave
të zjarrta, Naimi krijoi një varg të
ri në poezinë shqiptare, vargun 16-rrokësh.
Vetëm ky varg i gjerë dhe i qetë mund
të jepte atë tabllo madhështore të
natyrës shqiptare dhe ndjenjat e përflakura
të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan.
"Bagëti e bujqësia" është
poemë liriko-epike, boshtin e së cilës
e formon lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave
që i vlojnënë shpirt poetit. Bota romantike
e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë
e natyrës shqiptaree të jetës baritore
e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë
për kombin, në optimizmin dhe ngazëllimin
për ditën e bardhë të lirisë.
Poema mbetet një nga faqet më të bukura
të poezisë së Rilindjes, me ndikim
të fuqishëm edhe në ditët tona.