KAPITULLI QË VJEN PAS ATIJ QË
NUK U SHKRUA
Ku tregohet se atje më tej unë nuk isha
vetëm
As akademitë e pyjeve, as akademitë e lumenjve
dhe as akademitë e birucave nuk donin të
dëgjonin një fjalë që të
kishte kuptimin e fjalës...
Shkova më tej dhe u ula i mbështetur tek
trungu i një pishe të lashtë detare
dhe aty u vura të mendoja...
Ç'po mendoja?...,
Kishte shumë të ngjarë që ne jetonim
në botë me shkallë të ndryshme
madhësie që hynin e dilnin tek njëra-tjetra
dhe i ngatërronin të gjitha dimensionet
e njohura dhe të panjohura. Ndofta Zoti ishte
atje përtej këtyre dimensioneve njerëzore,
atje ku nuk arrinin dot dimensionet tona të njohura
dhe të panjohura... Prandaj këtu poshtë,
në dimensionet që ishin të njohura
për ne, vërtiteshim të trullosur dhe
nuk dinim ç'bënim dhe as ç'të
bënim. Dhe unë po rrija i mbështetur
tek trungu i pishës së lartë detare
duke shtytur i pafuqishëm mendimet e mia të
lodhura dhe të këputura...
Po më thërrisnin.
jo, jo!... Nuk ishte ai njeriu i vogël hipur
mbi një pilivesë që po më thërriste,
por ishte vajza ime dhe të tjerët që
po më kërkonin.
Në fillim nuk doja që të përgjigjesha
dhe qëndrova tek isha, por pastaj ndërrova
mendim, çava përmes drurëve dhe dola
në breg të hqenit. - ja tek është!...
Ishte njëri nga djemtë e të zotit të
shtëpisë që po fliste. Shkova drejt
tyre... Vajza ime po buzëqeshte...
-Ne erdhëm që të shëtisnim anës
liqenit... Se në të perënduar të
diellit do të jetë një gjë e bukur
po të jemi tek vidhat e Manastirit!...
E kisha humbur dhe nuk dija ç'të thosha
për bukurinë e perëndimit të diellit...
Për të dalë diku dhe për të
mos u dukur se isha i zemëruar me dikënd,
nisa të radhisja disa mendime, që nuk i
kisha menduar më parë.
-Bota dikur në kohë të shkuar ka qenë
më e madhe jo vetëm se ishim më të
pakët, megjithëse fjalët i kishim më
të shumta... Po!... Ne kishim më shumë
fjalë nga ato që na kishin mësuar nënat
tona, kurse tashti fjalët janë më të
paka dhe i fryjnë me qëllim që të
mbushin me të hapësirat e pafund që
kështu të jenë vetëm fjalët
e fryra të atyre që shkrifen e shkrifen
edhe përtej asaj që njihet si shkrifje,
Unë dola dhe një herë këtyre pyjeve
që të gjeja pësëri atë që
ishte më parë por, medet!... Ajo nuk është
më!... Bota është zvogëluar fare
dhe është mbushur me madhërinë
e atyre që kërkojnë të varrosin
madhërinë dhe nga dëshira për
lavdi e atyre që ngërdheshjet e majmunëve
i marrin për fillimet e qytetërimit të
njerëzimit!...
Aty ndalova se nuk po e kupoja ç'kisha thënë.
Pastaj u kujtova për pyllin dhe përfundova:
-Tashti bota është zvogëluar shumë
ngaqë fjalët kanë kaluar përtej
fjalëve, ngaqë nuk ka vend ku të vendoset
madhëria dhe lavdia po harbon mbi tokë,
mbi ujrat dhe e ka ndezur ajrin sa nuk mund të
thithet më!...
Pushova dhe fillova të ndjeja një keqardhje
të çuditshme për ato që kisha
folur. Vajza ime më shkoi krahun dhe më
tha:
- Ne kemi dalë që të shohim bukuritë
e pyllit dhe të liqenit... Atëherë
pse të humbasim kohën duke folur këtu?
Ia ktheva: - Ke të drejtë. Ne kemi dalë
që të shohim bukurinë e perëndimit
të diellit....
U nisëm anës së liqenit. Po unë
e kisha mendjen tek ato që më kishte thënë
ai njeriu një pëllëmbë...
Ta kishte vrarë me të vërtetë
veten Irena e Gjergj Dushmanit?!...
Ky ishte me të vëretë një problem
shumë i ngatërruar, por mendja ime tashti
më çonte në mënyrë të
pashmangshme në shkretëtirën e djegur
të Afrikës ku dy skllevër të dashuruar
gjer në dëshpërim... Një skllav
dhe një skllave, të dashuruar gjer përtej
dashurisë, kishin mbjellë në rërën
e ndezur të Afrikës dy skeletë...
Çfarë do të kuptonin nga ata dy skeletë
që nuk flisnin më?! ...