Te bosht' i natës kthehen yjet,
te gjum' i natës zgjohet gjumi,
te heshtj' e natës shkon mendimi
te hap' i rëndë!
Nga larg dëgjohet një rrëmujë;
po lehin qentë!
Te pyll' i natës së qytetit
po lehin qentë!
Dhe hap' i rënd' përplaset nëpër
shkallë,
dhe hap' i rënd' përplaset nëpër
rrugë,
përmes pallatesh një buçimë.
Po lehin qent' te frik' e natës
dhe griset befas errësira
nga nj' ulërimë.
Po kthehen yjt' ngadal te bosht' i natës,
te gjumi po kërkon të fshihet gjumi,
Sa ndihen qent' në largësi. Ushtojnë
hapat.
Përmes pallatesh frik' e heshtjes shkon si lumi.
1972
------------------------------------------------------
Koment
Poezia rikrijon atmosferën e frikës dhe
pasigurisë të atyre viteve. Me anë
detajesh dhe elementesh të zgjedhura që
marrin kuptime simbolike, poeti arrin të na japë
me vërtetësi psikologjinë e qytetarit
të ndrydhur nga "hap i rëndë",
nga përndjekja, nga "lumi i frikës
dhe i heshtjes".