Duhet hequr dorë nga rruga
e Luigjit të Katërmbëdhjetë
-Promemorie për Enver Hoxhën, Komitetit
Qendror të P.P.Sh., Tiranë-
Ngjarjet e fundit më kanë bërë
të mendohem seriozisht, sa për faktin që
ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë
të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të
mendoheni për këto gjëra dhe, më
shumë akoma, se ato nuk duhet të ndodhin
në një shoqëri socialiste.
Këtu nuk është fjala se u bënë
veprime të shëmtuara kundër meje, kundër
një shkrimtari, nga një Lidhje Shkrimtarësh
dhe në mënyrë të organizuar. E
keqja është se këto sulme të këtyre
shkrimtarëve u bënë të drejtuar
nga ju dhe në emër të një shoqërie
të ndërtuar idologjokisht dhe politikisht
nga ju, në mënyrë që nuk mund
të pranohet që është socialiste.
Kështu sa më sipër, del se problemi
konkret na paraqitet në dy pamje të përcaktuara
mirë. Njëra nga pamjet na paraqitet përmes
atyre rrjedhimeve që vijnë drejtpërsëdrejti
nga qëndrimi juaj teorik në lidhje me letërsinë,
qëndrim që ju e keni paraqitur në formën
e një ligji, që nuk mund të diskutohet;
kurse pamja tjetër paraqet, gjithashtu, në
formën e diçkaje absolute pikëpamjen
tuaj politike për ndërtimin e shtetit dhe
të shoqërisë. Duhet të pranojmë
sinqerisht se në të dyja rastet ndeshim
në mënyrë të pagabueshme me absolutizmin
e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Në këtë fillim tetori dhe duke u nisur
nga dëshira e mirë që ju të mos
shkelni në rrugë të gabuara, që
do të kishin pasoja tragjike si për vendin
tonë, ashtu edhe për ju personalisht, vendosa
që ta shkruaj këtë "promemorje"
dhe t'a nis pa humbur kohë.
Tashti le të shikojmë veças secilën
nga pikëpamjet tuaja kryesore, atë lidhur
me artin dhe atë që ka të bëjë
me këtë realitet të ndërtuar prej
jush. Kam bindjen se ju nuk e keni vetëdijen
e rreziqeve që vijnë prej këtij realiteti
të ndërtuar në mënyrë të
tillë.
I:
Problemi në shfaqjen e tij ideologjike. Të
gjithë këtu në Lidhje, në harmoni
edhe me ata përfaqësues tuaj, që sollën
këtu porosinë tuaj, këndojnë në
mënyrë të përsëritur një
himn për një realizëm të quajtur
"socialist". Pa qenë nevoja të
jesh shumë i zgjuar, këtu arrin në
përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston
një "realizëm" ose, që prej
momentit që ai ka nevojë t' vihet një
bisht, ai pushon së ekzistuari. Realizmi ose
është realizëm, ose nuk është
fare i tillë! Që këtej del se kjo rrymë
letrare, që në fillim të saj, niset
shtrembër dhe kuptohet se çfarë gjëje
e përbindshme do të dalë më tej.
Vetë emri realizëm socialist bëhet
garanci për shtrembërime të përbindshme
që edhe tashti kanë nisur të duken
me tërë qartësinë e formës
dhe të përmbajtjes së tyre.
Le të shikojmë konkretisht ç'përmbajnë
veprat letrare të realizmit socialist, qoftë
edhe ato më të mirat. Nje inxhinier i mirë,
një inxhinier i keq dhe një i gabuar që
ndreqet!
Një fshatar i mirë, një i
keq dhe një që ndreqet!
e kështu me
rradhë. Një i mirë, një i keq
dhe një që ndreqet!
Komunistët janë gjithmonë heronj të
situatave, ata vijnë në faqet vetëm
për të na recituar monologë me përmbajtje
heroike!
Le të kthehemi prapa në histori dhe le të
shohim se si qëndronin punët në kohën
e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Aty
ishin ndarë punët në mënyrën
më të qartë . Mbretërit dhe Princat
e kishin siguruar pjesëmarrjne e tyre në
veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm
nëpër tragjeditë, kurse populli, të
gjithë ata që ishin më poshtë
se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e tyre
në veprat qesharake. Ata ishin objekt gazi, përqeshjeje
dhe fyerjesh të të gjitha llojeve.
Tani a mund të pranohet si e drejtë që
një gjë e tillë të zbatohet në
shekullin e njëzetë dhe në një
shoqëri që pretendon se është
socialiste?
Mesa më sipër, del qartë se realizmi
socialist ka lidhje të drejtpërdrejtë
me idetë e absolutizmit francez, qoftë si
teori, qoftë si praktikë. Megjithatë
gjëja më e keqe nuk na shfaqet në praktikën
e shgarravitjeve letrare, se ato si vepra të
dobëta do të zverdheshin në vitrinat
e librarive dhe shumë shpejt do të harroheshin
edhe nga vetë autorët e tyre. Gjëja
më e keqe, sipas mendimit tim, vjen nga fakti
se e gjithë puna letrare po organizohet sipas
modeleve mesjetare të urdhrave fetare të
murgjëve.
Kështu Lidhja e Shkrimtarëve është
e organizuar si një urdhër murgjish mesjetarë.
Në krye të Lidhjes është një
Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë
të detyruar ta dëgjojnë, përderisa
vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh.
A nuk e kuptoni se është një koncept
dhe veprim mesjetar të ndash në këtë
mënyrë "funksione" dhe "privilegje"
Le ta shikojmë si keni vepruar ju gjatë
këtyre viteve.
Ju vendosni në Komitetin Qendror që Kolë
Jakova të jetë një shkrimtar i madh
dhe të gjithë përposh aprovojnë
mendimin tuaj. Kritika thërret e çirret
që "Halili dhe Hajrija" e Kolë
Jakovës është një vepër e
madhe!
Pastaj vëmendjen tuaj, së bashku
me favoret i fiton Dhimitër Shuteriqi, si kryetar
i Lidhjes dhe si
Më mirë le ta lëmë këtë
pikë!
Shkrimtarët janë qytetarë me të
drejta të barabarta me gjithë të tjerët
dhe nuk është e drejtë që në
mënyrën më të paligjshme t'i përgjigjen
një çensure nga më të çuditshmet.
Në qoftë se për një arsye ose
për një tjetër ju ngulni këmbë
që të ketë çensurë, atëherë
ajo të krijohet si një institucion dhe t'i
ushtrojë hapur funksionet e saj. Këtu nuk
është fjala për një ose dy shkrimntarë,
për mua ose për ndonjë tjetër,
këtu del në shesh fakti se, pa u kuptuar
, po ndërtoni një letërsi mesjetare,
me konceptë mesjetare të trashëguara
nëpërmjet absolutizmit francez. Ka ardhur
koha që të kuptohet se një letërsi
si ajo që po kërkoni ju, na kthen mbrapa
në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Prandaj ka ardhur koha të hiqet dorë nga
praktikat si këto që po vihen në jetë
në shoqërinë tonë dhe të
kuptohet një herë e mirë se arti, duke
qenë i një natyre specifike nuk mund të
përfshihet në format organizative të
partisë. Ai, arti, megjithëse është
superstrukturë dhe lind në një dhe
nga një strukturë e caktuar, nga vetë
forma e paraqitjes merr vlera dhe forca të tilla
që e bëjnë të jetojë në
mënyrë të habitshme edhe pasi të
ketë vdekur struktura që e lindi!
Shoqëria
e vjetër greke ka vdekur me kohë, por përjetësisht
të gjalla janë veprat e Homerit, Eskilit,
Sofokliut e të tjerëve. Të njëjtën
gjë mund të themi edhe për Danten që
nuk pësoi ndonjë gjë me vdekjen e Mesjetës.
Që këtej del se nuk janë të pranueshme
ndërhyrjet brutale në punët e artit,
sidomos nga njerëz që nuk kanë asnjë
kuptim më të vogël rreth natyrës
së tij të veçantë. Formave monarkike
të ndërhy-rjeve të ndryshme duhet t'u
jepet fund dhe të lihen të qetë shkrim-tarët
që kërkojnë nëpër shtigje
të vështira rrugët e vërteta të
artit. Nuk është mirë që të
ndërhyni, duke u shtuar vështirësive
reale në art vështirsi të tjera artificiale
me anë të funksionarëve të huaj,
që njohin vetëm, praktikën e përditshme
burokratike, se arti nuk mund të jetë një
ushtrim zyrtar i disa veprimeve të planifikuara
nga një qendër e plotfuqishme. Prandaj ju
nuk duhet ta trajtoni Li-dhjen e Shkrimtarëve
të Shqipërisë si një zgjatje organizative
të hallkave të ndryshme që ka organizuar
PPSH.
Lidhja e Shkrimtarëve është një
organizatë njerëzish të lirë,
por jo një hallkë në një shoqëri
feudale, ku ushtrohen në mënyrën më
të çuditshme të drejta dhe detyra
feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra
do t'ju jap më poshtë një, shembull
që nuk duhej të kishte vend në shoqërinë
tonë.
Dihet se romani im "Rinia e kohës sonë"
është shkruar që më 1948, kurse
romani tjetër "Mbarimi i një mbretërie"
është shkruar më 1951. Por nuk duhet
harruar se romani "Harbutët" i Sterjo
Spasses është shkruar që më 1946!...
Atëherë pse Partia vë këmbën
dhe i ndal këto shkrime më të hershme
dhe i jep kohë Dhimitër Shuteriqit që
të shkruajë në 1952 romanin e tij pa
asnjë vlerë "Çlirimtarët"?
Pse Partia ia boton me një zhurrnë shurdhuese
këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit
feudalë të kritikës për t'a trumpetuar
si ro-manin e parë në gjuhën shqipe?...
Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një
roman të letërsisë shqipe.... Dhe dihet
se në Shqi-përi janë shkruar edhe më
parë, edhe shumë më parë romane...
Edhe në gjuhën shqipe!
A është
e denjë që të merrej një, parti
e tërë në-përmjet funksionarëve
të saj kryesorë me gjëra të tilla?
Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk
i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën
që të sillet si të dojë me artin.
Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e
gëzoi ndonjë të drejtë të
tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një
strukturë feudale nuk mund të kenë
vend në shoqërinë tonë dhe ju
duhet t'i braktisni. Duhet t'i varrosni kohët
e errëta dhe të ktheheni në shekullin
e njëzetë, për idealet e të cilit
u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan
gjërat më të. shtrenjta.
II:
Problemi në shfaqjen e tij politike. Është
pranuar nga të gjithë se, sado i mençërn
dhe i zoti që të jetë një njeri,
ai kurrë nuk mund t'i dijë të gjitha.
Shoqëria është një grumbullim
individësh me mendime të ndryshme, që
plotësojnë një të tërë
në lëvizje. Po qe se një njeri i vetëm
kërkon t'i zhvendosë të gjithë
të tjerët, atëherë rruga të
çon në mënyra të pashmangshme
tek pushteti një-dorësh. Besoj se ju nuk
keni për qëllim që të arrini një
gjë të tillë, prandaj duhet të
merrni të gjitha masat, duke ndërprerë
të gjitha ato veprirne organizative që çojnë
në drejtimin që thamë më sipër.
Së pari, një parti që merr urdhra të
prera dhe të padiskutueshme nga lart nuk është
më një parti, por një repart kazerme.
Në parti është një gjë e
pamohueshme e drejta për të diskutuar gjerësisht
për të gjitha problemet që ka shoqëria.
Vetëm kur t'a kemi diskutuar çështjen
gjer në fund, ajo mund të vihet në
votë dhe pas votimit do të vihet në
jetë vendimi i shumicës.
Po si veprohet praktikisht tek ne?
Le të kapim rastin e fundit lidhur me luftën
kundër meje ve-tëm gjatë këtij
viti. Të gjithë të deleguarit që
nga prokurori Njazi Shehu, që erdhi në fillim,
dhe gjer te sekretari i KQ. Manush Myftiu, ishin njerëz
që nuk merrnin vesh fare nga arti dhe letërsia,
Atë-herë si erdhën këta njerëz
të diskutonin çështje, për të
cilat nuk ishin fare të përgatitur?
Në një numër shumë të madh
antarësh partie ekziston mendimi pa bazë
se nuk ka kala që nuk e marrin komunistët,
por këta njerëz harrojnë faktin e thjeshtë
se ata nuk mund të bëjnë , bie fjala,
një filxhan të thjeshtë kafeje!
Megjithatë
duke u nisur nga bindja se mund të marrin çdo
kala, vijnë në Lidhje të Shkrimtarëve
si "nënoficerë" dhe "oficerë"
dhe na kujtojnë se jemi "ushtarë të
partisë".
Në këtë qëndron një gabim
shumë i rëndë. Në qoftë se
ne do të pranonim se jemi ushtarë të
partisë, siç bëjnë me mburrje
shumë njerëz, pa u thelluar në një
gjë që shkon shumë larg, atëherë
do të na duhej të pranonim se ka oficerë
Pastaj do të shkonim më larg, ne do të
pranonim se ka edhe gjeneralë dhe, mbi të
gjitha, një kryegjeneral!
Dhe ç'do të
bënin të gjithë këta njerëz
të mbyllur në këtë piramidë
të çuditshme?
Kuptohet!
Do të asgjësonin njëri-tjetrin!
Dhe për këtë duhet të mendoheni
ju, që jeni në krye të piramidës!
Duke qenë se e njëjta gjë ndodh edhe
me ndërtimin e pushtetit, që nga qendra
e gjer në bazë, do të kërkohet
gjithnjë e më shumë shtypja e çdo
mendimi, gjer sa të arrihet që të mos
ketë më asnjë mendim, përveç
mendimit tuaj. Kjo do të ishte një gjë
shumë e rrezikshme për ju personalisht dhe
për të gjithë popullin.
Thuhet se financat e Francës i ngriti sistematikisht
kardinali Risheljë dhe i shkatërroi me luftat
e jashtme Luigji i Katërmbëdhjetë.
Shqipëria nuk është në gjendje
që të luftojë me ndonjë shtet,
rrjedhimisht do të luftojë në mënyrë
të çuditshme me veten e saj dhe në
këtë mënyrë financat e saj do
të shkatërrohen plotësisht.
Megjithatë, unë mendoj se shkatërrimi
më i madh do të ndodhë në botën
shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të
humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja,
do të mbyllen në veten e tyre dhe, që
të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta,
do të lindë nevoja për të krijuar
një shtet të ashpër policor.
Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi.
Prandaj duhet hequr dorë, dhe sa më parë,
nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë,
nga Versaja dhe shtypja e mendimit, edhe brenda rradhëve
të partisë.
Nuk është çështja për fëmijët
e varfër që ne i shohim nëpër
rrugë, por për atë shtypje të
mendimit që po bëhet sistem dhe që
do të sjellë si përfundim lindjen e
një monarkie të re. Kur të arrijë
puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme
dhe vetëm regjimi i një terrori të
pashembullt mund të bëjë që të
qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të
jetë shumë më i rezikshëm për
atë vetë. Ftohja dhe largimi i popullit
do të sjellë një lëkundje edhe
brenda rradhëve të udhëheqjes, që
do të transformohet dalngadalë në një
kastë të mbyllur në kornizën e
një monarkie pa kuptim në realitetin historik
të shekullit të njëzetë.
Në përfundim të këtij proçesi
historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin
dhe populli do të mbytet në gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që
ta shmangim një të keqe kaq të madhe
dhe kjo është arsyeja që po ua dërgoj
këtë "Promemorie" të shkruar
në mënyrë të ngutshme.
Duke shpresuar se ju do të më kuptoni drejt
dhe nuk do t'i keqinterpretoni mendimet e mia.
Mbetem me respekt
Kasëm Trebeshina
Tiranë, 5 tetor 1953