Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Shkodra
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Shkodrës

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Kara Mahmut Bushatlliu

Me sundimin e vet gati 20 vjeçar, me sukseset që korri së bashku me djemtë e tij në zhdukjen e trazirave të brendëshme dhe në zgjerimin e pashallëkut përtej kufijve të sanxhakut si dhe me politikën gjysmë-autonome që ndoqi ndaj sulltanit, Mehmet Pashë Plaku kishte krijuar një bazë të shëndoshë për pasardhësit e vet. Për këto arësye emërimi i Mehmed Pashe Qystendilit mytesarrif në Shkodër, menjëhere pas vrasjes së Mehmet Pashë Plakut, nuk u prit mirë as nga qytetarët dhe as nga malsorët e pashallëkut. Me përkrahjen e tyre, në kundërshtim me vendimin e Portës së Lartë, vendin e plakut Bushatlli e zuri biri dhe bashkëpuntori i ngushtë i tij, Mustafa Pashë Bushatlliu. Por Stambolli këtë ndryshim nuk e njohu.

Mustafa Pasha a filloi sundimin e vet me një veprim tjetër mospërfillës ndaj sulltanit. Ai grumbulloi një ushtri shqiptare prej 10 mijë vetësh dhe në krye të saj u nis kundër Ahmet Kurt Pashës së Beratit, i cili po përgatitej të pushtonte Tiranën dhe të kërcënonte pashallëkun nga jugu. Por në përpjekjen që u bë afër Peqinit, ushtritë e Bushatlliut u thyen dhe u tërhoqën në Shkodër duke lënë shumë të vrarë.

Me gjithë disfatën, pozitat e Mustafa Pashës nuk u tronditën. Po atë vit, më 1775, me ndihmën e qytetarëve dhe malsorëve, sulmoi në dyert e Shkodrës dhe i detyroi të ktheheshin prapa ushtritë turke që erdhën së bashku me Mehmet Pashë Qystendilin "për të zhdukur nga faqja e dheut, - sipas shprehjes së fermanit të sulltanit, - bijtë e fëlliqur të Mehmet Pashë Shkodranit".

Porta e Lartë as më vonë nuk e njohu Mustafa pashën si sundimtar të pashallëkut. Por, për të mos i acaruar marrëdhëniet me Shkodrën, në vend të Qystendilit, sulltani në fund të atij viti emëroi mytesarif në Shkodër vëllanë e Mustafajt, Mahmut Pashë Bushatlliun, i njohur me emrin Kara Mahmut Pasha. Me këtë emërim Sulltani shpresonte gjithashtu të shkaktonte grindjen midis vëllezërve Bushatllij. Por në radhët e këtyre nuk ndodhi përçarja. Mustafa Pasha hoqi dorë nga ofiqi i sundimtarit dhe në krye të pashallëkut u vu Kara Mahmuti (1775-1796).

Kara Mahmuti, si të gjithë sundimtarët e pashallëqeve të tjera e filloi sundimin duke i shprehur besnikërinë sulltanit. Por nga ana tjetër ai mbajti pranë vehtes Mustafa Pashën dhe ndoqi rrugën e të vëllait, i cili u bë bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. Prandaj Porta e Lartë vendosi t'i zhdukte me anë komploti, para se të ishte vonë, të dy udheheqësit Bushatllij.

Dhe ky rast u gjet. Derebejt e Toskërisë, që së bashku me repartet e tyre kishin shkuar në More për të shtypur kryengritjen greke, kishin rënë pas plaçkitjes dhe po e acaronin më tepër gjendjen. Për të shtypur përfundimisht kryengritjen dhe për të nënshtruar derebejtë e pabindur, më 1777 sulltani urdhëroi Kara Mahmutin të dërgonte, kundrejt shpërblimit që do t'u paguante Porta e Lartë, forcat e veta në More. Kara Mahmuti nisi për atje një ushtri prej 3 mijë vetësh nën komandën e Mustafa Pashës. Në fillim shkodranët vunë në More njëfarë rregulli. Por Porta e Lartë nuk u dërgoi për një kohë të gjatë shpërblimet. Të mbetur pa të holla, ushtritë shkodrane më 1779 ranë edhe këto pas plaçkitjes. Këtë rast sulltani e shfrytëzoi për të zhdukur Bushatlliun. Me urdhër të tij kapudan-pasha (kryekomandant i flotës turke sulmoi ushtritë e Bushatlliut në More për t'i ndëshkuar, dhe me këtë rast për t'i çfarosur. Në More turqit mundën të helmonin edhe Mustafa Pashën. Po në këtë kohë, me nxitjen e Portës së Lartë, feudalet rivalë të pashallëkut shpërthyen në Shkodër një kryengritje për të përmbysur Kara Mahmutin. Por të gjitha këto plane dështuan. Kara Mahmuti, me përkrahjen e qytetarëve dhe malsorëve, e shtypi kryengritjen dhe mbeti përsëri në fuqi. Dështimi i këtyre planeve e detyroi Portën e Lartë të tërhiqej për një farë kohe. Më 1780 sulltani i dërgoi Kara Mahmutit fermanin me të cilin e emëronte mytesarif në Shkodër.

Kështu, qysh në vitet e para të sundimit të tij Kara Mahmuti korri një fitore të rëndësishme mbi Portën e Lartë. Fitorja e bëri atë më të pavarur. Por në to njëjtën kohë ajo shënoi një etapë të re në thellimin e mëtejshëm të kontradiktave që ishin çfaqur prej kohësh midis feudalëve, zejtarëve dhe tregëtarëve të pashallëkut dhe pushtetit qëndror turk. Që tani e tutje Kara Mahmuti filloi të mbështetej vetëm në forcat shoqërore dhe politike shqiptare.

Sundimi i Kara Mahmutit vazhdoi 21 vjet. Nga vargu i sundimtarëve Bushatllij ky ka qenë sundimtari më i shquar, më energjik dhe më i ndërgjegjshëm në politikën e tij autonomiste.

Politika e brëndëshme që ndoqi Kara Mahmuti shquhet nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për të forcuar autoritetin e klasës feudale shqiptare dhe për të mbrojtur atë nga ndërhyrjet pushtetit qëndror turk.

Qetësia që u sigurua gjatë sundimit të tij, i dha mundësi lulëzimit të zejtarisë dhe tregëtisë së pashallëkut. Nga ana tjetër edhe ai vetë e përkrahu rritjen e prodhimit zejtar dhe veprimtarinë e tregëtarëve shkodranë. Kur cënoheshin interesat e tyre ai ndërhynte drejtpërdrejt pranë pashallarëve të sanxhaqeve të tjera ose pranë autoriteteve venedikase. Vetë Kara Mahmuti zhvilloi një veprimtari të gjerë tregëtare. Anijet e tij udhëtonin deri në brigjet e Afrikës.

Ky lulëzim solli shtimin e të ardhurave dhe njëkohësisht shtimin e fuqisë së tij politike. Këto e lejuan Kara Mahmutin të ngrinte një ushtri të fortë. Në radhët e kësaj ushtrie ai tërhoqi jo vetëm myslimanët, por edhe forca të mëdha malësorësh katolikë të pashallëkut, të kënaqur nga politika e afrimit që ndoqi kundrejt elementëve të feve të ndryshme. Të gjitha këto i dhanë atij mundësinë të zhvillonte fushatat për zgjerimin e kufijve të pashallëkut dhe të përballonte me sukses tri ekspedita të mëdha turke të drejtuara kundër Shkodrës.

Pashallëku
i Shkodrës

Pashallëqet Shqiptare
Kara Mahmut Bushatlliu
Konfederata ilirike
Rrethimi I i Shkodrës
Marrëdhëniet e Jashtme
Karakteri i Pashallëkut
të Shkodrës
Rrethimi II i Shkodrës
Rënia e Pashallëkut
Pashallëku në vitet
1822-1829
Shtypja e Pashallëkut


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003