Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Shkodra
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Shkodrës

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Mehmet Pashë Bushatlliu (1757-1775)

Familja e Bushatllijve mbahej si nga oxhaqet më të vjetra feudale në Shqipëri. Disa të dhëna e shpien origjinën e tyre para shekullit XV, kur mbanin emrin Beganj-Sumaj. Për të shpëtuar pronat feudale që kishin në Bushat, në jug të Shkodrës, ata rrokën fenë islame qysh në shek. XV, kur Shkodra me rrethin e vet ranë nën sundimin turk. Duke ruajtur pronat e tyre edhe në shekujt e mëvonshëm, Bushatllijtë zunë herë pas here edhe poste të rëndësishme në aparatin administrativ feudal turk të Shqipërisë.

Në kohën kur erdhi në fuqi Mehmet Pashë Bushatlliu, ose siç njihet ndryshe, Mehmet Pashë Plaku, gjëndja ekonomike dhe politike e sanxhakut dhe veçanërisht e qytetit të Shkodrës ishte çthurur. Grindjet feudale midis tarafeve ishin ashpërsuar në kulm. Autoriteti i mytesarifëve ndihej vetëm në qytetin e Shkodrës, bile vetëm në disa lagje të qytetit. Nga rivalët e Bushatlliut Mehmet Pashë Çausholli u arratis, kurse tarafi i Terzive së bashku me përkrahësit e tjerë të Çaushollajve, qëndrua aty gjithnjë si forca kundërshtare. Agallarët e Ulqinit, që kishin anuar nga Terzitë, nuk e njohën autoritetin e tij. Ata i prenë marrëdhëniet me Shkodrën dhe me këtë qëndrim paralizuan tregëtinë dhe dëmtuan ekonominë e qytetit. Krahinat e tjera të sanxhakut përveçse ishin të shkëputura nga Shkodra, qenë të zhytura edhe ato në grindje tarafesh lokale. Prerja e tregëtisë nga ana e Ulqinit dhe e marrëdhënieve ekonomike me rrethin fshatar po e kërcënonin Shkodrën me një zi buke.

Mehmet Pashe Bushatlliu u tregua mjaft energjik qysh në fillim të sundimit të vet. Ndryshe nga parardhësit i vet, të cilët sapo merrnin fuqinë në dorë fillonin menjëherë persekutimet kundër rivalëve të tyre, Mehmet Pashë Plaku u përpoq më parë të siguronte përkrahjen e malsorëve dhe qytetarëve. Malsorëve u njoftoi se do t'u njihte dhe do t'u respektonte, privilegjet e vjetëra. Atyre u kërkoi si kusht që, në rast nevoje, të dërgonin ushtarë një burrë për shtëpi, për të luftuar nën urdhërat e Bushatlliut, brënda kufijve të sanxhakut, si dhe një detyrim prej një dukati në vit. Kjo kërkesë u pranua nga kuvendet e malsorëve dhe i siguroi atij një forcë të madhe të armatosur.

Mehmet Pasha filloi pastaj spastrimet e rivalëve të tij dhe nënshtrimin e krahinave të sanxhakut. I ndihmuar nga të katër djemtë zhduku ose dëboi njeri pas tjetrit udhëheqësit e oxhaqeve kundërshtare të Shkodrës. Më 1759 ai nënshtroi agallarët e Ulqinit dhe dogji bankat e piratëve ulqinakë.

Me këtë akt guximtar, që solli si pasojë zhvillimin e lirë të tregëtisë, ky siguroi simpatinë e zejtarëve e tregëtarëve duke përfshirë edhe zejtarët e tarafit të Terzive, armiqve të tij të mëparëshëm. Më 1760 qetësia e tronditur prej më tepër se gjysmë shekulli u vendos më në fund në Shkodër. Rivendosjen e qetësisë dhe forcimin e autoritetit të Bushatlliut, sulltani e konsideroi si rivendosjen e autoritetit të Stambollit. Prandaj po atë vit i dha Bushatlliut titullin vezir domethënë mytesarif me gradën e ministrit.

Pasi forcoi pozitat brënda sanxhakut-pashallëk, Mehmet Pashë Bushatlliu filloi potikën e zgjerimit të kufijve të pashallikut. Vështrimin e parë e hodhi drejt krahinës pjellore të Zadrimës që ishte has perandorak dhe varej nga mytesarifi i Dukagjinit. Zadrimën nuk e mori dot menjëherë. Atë e mori vetëm pas 10 vjet përpjekjesh. Në të njëjtën kohë ndërhyri në grindje feudale që kishin shpërthye në Shqipërinë e mesme, duke mbajtur anën e Bargjinëve të Tiranës dhe Alltunëve të Kavajës kundër feudalëve të rij të Krujës, Ishmit dhe Prezës. Këtu ai lakmonte të shtinte në dorë të ardhurat e mëdha të mukatasë së Durrësit.

Më 1768, kur plasi lufta ruso-turke, Mehmet Pashë Bushatlilu u thirr nga sulltani të vinte në front. Por, ai para se të shkonte neë front, sulmoi me një ushtri prej 2.500 vetash feudalët e Lezhës të cilët i kishin prerë rrugën dhe kishin formuar së bashku me kapedanin e Mirditës, Gjon Markun, një lidhje kundër tij. Këtë radhë sulmi i tij nuk pati sukses, por dy vjet më vonë, më 1770, pasi pushtoi Zadrimën, sulmoi Lezhen dhe pushtoi me dinakëri qytetin. Pak më vonë, pasi kapi të gjallë dy agallarët e Krujës, Tahir Toptanin dhe Ismail Toptanin, të cilët i vari në Tiranë, futi nën ndikimin e vet qytetin e Krujës. Po atë vit, duke iu bindur urdhërit të sulltanit, ai dërgoi në More nën udhëheqjen e djemve të vet 20 mijë ushtarë e malsorë për të shtypur kryengritjen greke që kishte plasur sapo flota ruse e admiralit Orllov kishte dalë në Mesdhe. Me këtë eskpeditë ai fitoi besimin e Portës së Lartë. Duke shfrytëzuar këtë besim shkëputi po atë vit nga sulltani fermanin për emërimin e djalit të tij, Mustafa Pashës "mytesarif të Dukagjinit" dhe më 1771 mytesarif të Elbasanit. Më 1771 ai lidhi miqësi edhe me kapedanin e Mirditës.

Gjatë këtyre viteve, Mehmet Pashë Bushatlliu ndoqi ndaj sulltanit politikën e bindjes dhe e paraqiste vehten si një mytesarif të Portës së Lartë. Por, me fitoret që korri dhe me shtrirjen e ndikimit të vet në Gegëri, ai e ndjeu vehten aq të fortë sa të mos i respektonte detyrimet ndaj Portës. Ndonëse vazhdonte t'i shprehte besnikërinë Stambollit, ai filloi të mos i dërgonte të gjitha të ardhurat që i takonin arkës së perandorisë, të mos trembej nga qortimet e valiut të Rumelisë dhe të mos i fshihte synimet për forcimin e mëtejshëm të pushtetit të vet. Këto veprime ngjallën dyshime në Stamboll dhe njëkohësisht shqetësimin e sundimtarit të fuqishëm të Beratit, Ahmet Kurt Pashës. Rivaliteti midis dy feudalëve ambiciozë solli konfliktin e gjatë dhe pa përfundim midis tyre. Ahmet Kurt Pasha i cili gëzonte besimin e Portës së Lartë dhe kishte influencë të madhe në rrethet qeveritare të Stambollit, bënte presion të vazhdueshëm për t'i thelluar dyshimet e sulltanit ndaj Mehmet Pashë Bushatlliut.

Porta e Lartë vendosi më në fund të zhdukte Mehmet Pashë Plakun dhe të suprimomte Pashallëkun e Shkodrës pa përdorur forcën e armatosur. Më 1775 ajo mundi të helmonte tinëzisht plakun Bushatlli dhe emëroi menjëherë në vënd të tij, me detyrën e mytesarifit të Shkodrës, një pashë jo Bushatlli, Mehmet Pashë Qystendilin.

Pashallëku
i Shkodrës

Pashallëqet Shqiptare
Kara Mahmut Bushatlliu
Konfederata ilirike
Rrethimi I i Shkodrës
Marrëdhëniet e Jashtme
Karakteri i Pashallëkut
të Shkodrës
Rrethimi II i Shkodrës
Rënia e Pashallëkut
Pashallëku në vitet
1822-1829
Shtypja e Pashallëkut


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003