Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Shkodra
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Shkodrës

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Pashallëku në vitet 1822-1829

Pasi Me pjesëmarrjen në ekspeditën turke kundër Ali Pashë Tepelenës. Mustafa Pashë Bushatlliu kontribuoi në shembjen jo vetëm të Pashallëkut të Janinës por edhe të Pashallëkut të Shkodrës. Ai i dha mundësi sulltanit të thyente njerën pas tjetrës dy qendrat kryesore dhe të organizuara të rezistencës shqiptare. Ky qëndrim i Mustafa Pashës u përcaktua jo vetëm nga rivaliteti i thellë feudal që vazhdonte midis dy sundimtarëve të fuqishëm të Shqipërisë por edhe nga pavendosmeria e tij për tu shkëputur prej vartësisë së sulltanit.

Mustafa Pasha e vazhdoi politikën e bindjes ndaj Stambollit edhe pas vrasjes së Ali Pashës. Më 1822 ai mori pjesë në fushatën turke për shtypjen e revolucionit grek. Më 1823 ushtritë e tij filluan të parat rrethimin e Misolongjit ku kryengritësit grekë bënë një qëndresë heroike. Pas pak kohe kur në Misolongj ra murtaja dhe kur nga Shkodra i erdhën lajme për një komplot që po organizohej nga feudalët e Dibrës, Mustafa Pasha së bashku me ushtritë e veta u kthye pa lejen e Portës së Lartë në Shkodër.

Largimi nga fronti grek dhe sidomos mospranimi i Mustafa Pashës për tu nisur përsëri në Greqi nuk u pritën në Stamboll. Nga ana tjetër synimet e Mahmutit të II për të forcuar pushtetin qendror me anën e reformave ngjallën shqetësime te Bushatlliu dhe te bashkëpuntorët e tij. Prandaj Mustafa Pasha, sapo shtypi lëvizjen që plasi në Dibër, filloi të armatoste ushtrinë dhe kërkonte aleatë për ti bërë ballë ndërhyrjes turke që parashikohej të shpërthente sapo të merrte fund çështja greke. Ai krijoi lidhje me Zylyftar Podën, hyri në marrëdhënie me feudalët e Bosnjës dhe me princin Millosh të sërbisë për të siguruar nëpërmjet tij përkrahjen e shteteve evropiane, sidomos atë të Rusisë.

E zënë me çështjen greke dhe me organizimin e ushtrisë, Porta e Lartë nuk ishte në gjendje të ndërmerrte gjatë viteve 1824-1827 ndonjë ekspeditë kundër Shkodrës. Më 1828 filloi lufta ruso-turke. Turqia urdhëroi midis të tjerëve edhe vezirin e Shkodrës të merrte pjesë me ushtritë e veta në këtë luftë. Si shpërblim i njohu atij të drejtën e sundimit të sanxhaqeve të Ohrit, Dibrës dhe Elbasanit. Rusët, nga ana e vet, u përpoqën të neutralizonin forcën e konsiderueshme ushtarake të Mustafa Bushatlliut. Me anën e princit Millosh ata i dhanë të kuptonte se, po të merrte pjesë në luftë, do ta njihnin atë si sovran të Shqipërisë.

Mustafa Pashës i pëlqeu oferta e rusëve. Por nga ana tjetër nuk vendosi ti prishte marrëdhëniet me sulltanin. Ai ndoqi një rrugë tjetër: vendosi të vononte nisjen e ushtrive të veta me pretekst se nuk ishte i pregatitur për një fushatë dimërore dhe kërkoi leje të nisej në pranverën e ardhëshme. Edhe në pranverën e vitit 1829 Mustafa Pasha e vonoi nisjen e ekspeditës me pretekste të ndryshme deri sa gjenerali rus Dibiq hyri në Bullgari dhe kaloi vargmalet e Ballkanit. Edhe pasi u nisën, ushtritë shqiptare marshuan qëllimisht shumë ngadalë. Ato qëndruan në brigjet ë Danubit, pa hyrë në luftë.

Në front ushtritë turke pësuan një varg disfatash të cilat shkaktuan një pezmatim në qarqet turke kundërshtarë të reformave që kishte ndërmarrë Mahmuti i II. Këto qarqe i u drejtuan Mustafa Pashë Bushatlliut, edhe ky kundërshtar i rreptë i reformave, dhe i kërkuan ndërhyrjen e tij ushtarake për ta detyruar Mahmutin e II të hiqte dorë nga reformat.

Mustafa Pasha priti deri sa u lidh paqja ruso-turke. Në këtë marrëveshje rusët nuk e shtruan farë çështjen e autonomisë së Mustafa Bushatlliut. Atëherë ky, i zemëruar nga qëndrimi i Rusisë, në krye të ushtrive të tij, duke shprehur pakënaqësinë gjoja për kushtet e rënda të paqes, filloi të lëvizte në drejtim të Stambollit. Ky marshim që kryhej me parullën e anullimit të kushteve të paqes, në thelb kishte për qëllim të ushtronte presion mbi komandën ruse. Në Stamboll u përhap paniku por rusët nuk u trembën. Bile gjenerali Dibiq i njoftoi se do ta korsideronte si kryengritës në rast se do të vazhdonte marshimin kundër Stambollit. Gjenerali rus Gejsmar mori urdhër të ndiqte ushtrinë e Bushatlliut. Me 4 tetor 1829 ushtritë ruse i ranë ushtrive shqiptare në Arnaut-Kalesi dhe i thyen. Me këtë disfate të parë Mustafa Pasha u lëkund dhe nuk pati me guxim të marshonte me tutje. Ai pranoi urdhërin e sulltanit dhe u kthye në Shkodër.

Në këtë mënyrë dështoi politika me dy faqe e Mustafa Bushatlliut. Tani ky u gjend i izoluar përballë Portës së Lartë e cila, sapo i çliroi ushtritë nga fronti rus, i përgatiti ato për nënshtrimin e plotë të Shqipërisë. Me këtë mision u ngarkua vetë sadriazemi turk, Mehmet Reshit Pasha, i cili i filloi operacionet ushtarake më parë kundër Toskërisë dhe pastaj kundër Pashallëkut të Shkodrës.

Pashallëku
i Shkodrës

Pashallëqet Shqiptare
Kara Mahmut Bushatlliu
Konfederata ilirike
Rrethimi I i Shkodrës
Marrëdhëniet e Jashtme
Karakteri i Pashallëkut
të Shkodrës
Rrethimi II i Shkodrës
Rënia e Pashallëkut
Pashallëku në vitet
1822-1829
Shtypja e Pashallëkut


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003