Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Shkodra
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Shkodrës

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Konfederata ilirike

Kujdesin e parë Kara Mahmut Pasha ia kushtoi ëndrrës së Bushatllijve, përfshirjes së Malit të Zi në sanxhakun e Shkodrës. Disa kohë më parë Porta e Lartë ia kishte shkëputur Shkodrës Malin e Zi dhe ia kishte dhënë valiut të Bosnjes me pretekst se popullsia malazeze ishte sllave. Kara Mahmuti iu lut valiut të Bosnjes t'ia kthente këtë krahinë. Valiu si dhe Porta e Lartë nuk pranuan. Atëhere ai sulmoi kështjellat e Podgoricës dhe të Shpuzës në Malin e Zi, që ishin në dorën e valiut të Bosnjes, por këto nuk i mori dot. Pas këtij sulmi, Porta e Lartë e porositi me 1784 Kara Mahmutin të hiqte dorë nga këto synime dhe e paralajmëroi se do të shkarkonte nga ofiqi i mytesarifit po të mos u bindej urdhërave të sulltanit.

Kara Mahmuti nuk i përfilli porositë e Stambollit. Ai lidhi miqësi me Ahmet Pashën, sundimtarin e Ohrit dhe me Ali Pashë Tepelenën, sundimtarin e Delvinës që ishin kundërshtarë të rivalit të tij, Ahmet Kurt Pashës. Në të njëjtën kohë vuri dorë mbi krejt të ardhurat e Zadrimës që ishte has-perandorak i motrës së sulltanit. Pastaj, në qershor të vitit 1785, kur në Mal të Zi, në mungesë të vladikës Pjetër Njegoshit, që ndodhej në Rusi, kishin shpërthyer grindjet e brendëshme, Kara Mahmuti doli me ushtritë e veta nga Shkodra, sulmoi dhe pushtoi kështjellat e Podgoricës dhe të Shpuzës. Prej këtej, gjoja për të dënuar Malin e Zi për marrëveshje që kishte lidhur me Austrinë dhe me Rusinë, sulmoi malazezët, hyri në Cetinjë, dhe e shtroi pjesën më të madhe të vendit nën haraç. Gjatë kthimit për në Shkodër, ai pa e lajmëruar fare Republikën e Venedikut, kaloi mes për mes tokave bregdetare që ndodheshin nën sundimin e saj, duke plaçkitur vëndin.

Venediku protestoi dhe Porta e qortoi Bushatlliun. Por Kara Mahmuti nuk ia vuri veshin dhe u nis kundër Ahmet Kurt Pashës së Beratit. Në fillim ai sulmoi feudalët e Shqipërisë së mesme që ishin aleatë e vasalë të sundimtarit të Beratit, dhe arriti deri në Lushnje, Elbasan e Korçë. Në afërsitë e Peqinit, Kara Mahmuti i theu ushtritë e Ahmet Kurt Pashës. Por ai u detyrua të kthehej me të shpejtë në Shkodër, sepse mori vesh që sulltani e kishte shkarkuar nga detyra e mytesarifit dhe po pregatiste kundër tij një ekspeditë ushtarake.

Në ekspeditën ndëshkimore u urdhëruan të merrnin pjesë ushtritë e Rumelisë e të Bosnjes si dhe ushtritë e rivalëve shqiptarë të Bushatllijve. Drejtimi i ekspeditës i u ngarkua valiut të Rumelisë, Abdi Pashës. Republika e Venedikut mori përsipër të bllokonte Shkodrën nga deti gjatë ekspeditës.

Për të penguar bashkimin e forcave armike, para se këto të arrinin në Shkodër, Kara Mahmuti, me t'u kthyer nga fushata e Beratit, nisi me të shpejtë kundër forcave të Bosnjes një pjesë të ushtrive të tij, kurse me anën e malsorëve dibrane u zuri prita forcave të valiut të Rumelisë. Duke i gjetur të zëna rrugët e Dibrës, Abdi Pasha mori rrugën e Kosovës. Por këtu, në gusht të vitit 1785, Kara Mahmuti me forcat e veta kryesore e goditi në befasi dhe e shpartalloi keq. Disfata e valiut i detyroi edhe pashallarët e tjerë rivalë të tërhiqeshin pa rënë fare në përpjekje.

Fitorja e Kosovës pati rëndësi të madhe për Pashallëkun e Shkodrës. Ajo forcoi pozitat e Kara Mahmutit dhe e shtoi prestigjit e pashëllëkut jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e huaja. Rritja dhe forcimi i këtij pashallëku tërhoqi vëmëndjen, sidomos të Austrisë e të Rusisë, të cilat po përgatiteshin për luftën e re kundër Turqisë që u shpall dy vjet më vonë, më 1787. Por edhe Kara Mahmuti, pas fitoreve që korri, synoi të njihej nga fuqitë e huaja si sundimtar autonom në Shqipëri. Kështu filluan kontaktet midis Bushatlliut dhe oborreve perandorake të Austrisë e të Rusisë.

Gjatë përgatitjeve për luftë kundër Turqisë, Austria përpiqej të nxiste kryengritjet e popullsive të shtypura ballkanike dhe revoltat e feudalëve të fuqishëm që nuk ishin në marrëdhënie të mira me Stambollin. Vjena u përpoq të shfrytëzonte edhe Kara Mahmutin që kishte hyrë në konflikt me sulltanin. Me anë të agjenteve të saj, qeveria e Vjenës i propozoi Bushatliut që të bashkonte forcat antiturke shqiptare e malazeze dhe t'i udhëhiqte në luftën kundër Stambollit duke i dhënë shpresë se në rast fitoreje, ai do të njihej sundimtar sovran i Shqipërisë.

Porta e Lartë u shqetësua nga kontaktet e Kara Mahmutit me Vjenën. Koxha Jusuf Pasha, që u emërua ato javë vezir i madh i Turqisë, duke pasur nevojë për forcat e konsiderueshme ushtarake të Kara Mahmutit, u përpoq t'i zbuste marrëdhëniet, me sundimtarin e zemëruar të Shkodrës. Prandaj nxori nga sulltani fermanet për faljen e tij dhe për njohjen e gradave dhe ofiqeve të mëparëshme.

Por këto dekrete nuk i bënë ndonjë përshtypje Kara Mahmutit. Atij i kishin pëlqyer propozimet austriake pasi këto përputheshin me synimet e veta për t'u bërë një ditë mbret i Shqipërisë, si pasardhës i Kastrioteve, sikurse flitej në rrethet shkodrane të kohës së tij. Prandaj Kara Mahmuti thirri në një kuvend të përbashkët, që u mbajt në Podgoricë në mars 1786, krerë shqiptarë nga pashallëku i tij i madh si dhe krerë të popullsive sllave nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina. Kuvendi vendosi bashkimin e forcave në luftën kundër turqve dhe krijimin e një lidhje që u quajt nga bashkëkohësit Konfederata Ilirike. Kryetari i konfederatës u zgjodh Kara Mahmuti. Në shenjë përgëzimi Jozefi i II i Austrisë i dërgoi konfederates një kryq të madh argjendi që iu dorëzua kryetarit të saj.

Pas vendimeve të Podgoricës, Kara Mahmuti zhvilloi një veprimtari të madhe për të grumbulluar rreth vehtes krerë të tjerë shqiptare e sllavë. Ai forcoi ushtrinë dhe urdhëroi malsorët të ishin gati, që me kushtrimin e parë të paraqiteshin nën urdhërat e tij një burrë për shtëpi. Për të siguruar krahët ai u pajtua me rivalin e vjetër, Ahmet Kurt Pashën e Beratit. Ndërkohë Kara Mahmuti iu drejtua edhe carit të Rusisë duke i kërkuar mbrojtjen e shtetit rus. Petërburgu iu përgjegj se ai do të kishte përkrahjen ruse, në qoftë se hiqte dorë nga lidhjet me Austrinë. Kara Mahmuti preferoi në këtë rast Vjenën.

Pashallëku
i Shkodrës

Pashallëqet Shqiptare
Kara Mahmut Bushatlliu
Konfederata ilirike
Rrethimi I i Shkodrës
Marrëdhëniet e Jashtme
Karakteri i Pashallëkut
të Shkodrës
Rrethimi II i Shkodrës
Rënia e Pashallëkut
Pashallëku në vitet
1822-1829
Shtypja e Pashallëkut


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003