Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Shkodra
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Shkodrës

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Rrethimi i Parë i Shkodrës (1787)

Në verën e vitit 1787 filloi lufta ruso-turke. Ushtritë kryesore otomane morën urdhër të niseshin në frontin e Danubit. Forcat e Rumelisë, me në krye valiun Abdi Pasha, u nisën në drejtim të Belgradit për të vëzhguar lëvizjet e austriakëve, e të serbëve.

Largimi i tyre i dha Kara Mahmutit rastin e volitshëm për të vënë në jetë vendimet e Podgoricës. Pa humbur kohë, në krye të forcave shqiptare-malazeze të Konfederatës Ilirike, filloi veprimet luftarake kundër Stambollit duke marshuar për në Kosovë. Këtu ai dëboi funksionarët turq, vuri dorë mbi pasuritë shtetërore, vendosi bylykbashët e vet, spastroi dhe çfarosi feudaIet vëndas që e kundërshtuan.

Sulltani u përgjegj duke shpallur Mahmut Pashë Bushatlliun, "fermanli". Ai ngarkoi Mahmut Pashë Ajdosin të kryesonte ekspeditën ndëshkuese. Në të njëjtën kohë emëroi rivalin e vjetër të Bushtlijve, Mehmet Pashë Çaushollin, mytesarif të Shkodrës në vend të Kara Mahmutit që ishte dënuar me vdekje për tradhëti të lartë. Plani i ekspeditës parashikonte rrethimin e Shkodrës nga toka me anë të forcave të Rumelisë, të Bosnjes, dhe nga deti me anën e flotës turke që komandohej prej vetë kapudan-pashës. Së bashku me forcat e Rumelisë u urdhëruan të merrnin pjesë edhe pashallarët shqiptarë. Të gjitha këto forca arrinin në 30 mijë ushtarë.

Kara Mahmuti vendosi t'i sulmonte ushtritë armike jashtë Shkodrës para se ato të rrethonin qytetin. Me një pjesë të forcave të veta u dolli përpara ushtrive të Mahmut Pashë Ajdosit dhe i ndali mbi lumin Drin. Në të njëjtën kohë, me anë të malsorëve shqiptarë e malazezë, ia mbylli rrugën valiut të Bosnjes që po i drejtohej Shkodrës nga veriu. Por, sapo ushtritë e Bushatlliut u larguan nga Shkodra, feudalët kundërshtarë, në marrëveshje me pashallarët turq, u hodhën në kryengritje dhe shtinë në dorë më 5 gusht Tivarin dhe 22 gusht 1787 Ulqinin. Lëvizja prapa krahëve e detyroi Kara Mahmutin të tërhiqej më 25 gusht në Shkodër. Të nesërmen, me afrimin e ushtrive dhe flotës turke ai u mbyll me 209 ushtarë në kalanë e Rozafatit në pritje të ndihmës së forcave të konfederatës. Por këto forca nuk i erdhën pasi u përçanë nga turqit. Megjithatë Kara Mahmuti e vazhdoi qëndresën.

Pashallarët turq filluan nga të katër anët goditjet me artileri kundër Rozafatit. Ato vazhduan 80 ditë. Të rrethuarit thyen tri sulme të furishme të ushtrive turke. Përkrahësit e Bushatliut hidhnin mbi lum trapa të ngarkuar me pishë të ndezur që i përplaste rryma kundër anijeve turke, duke i penguar t'i afroheshin Shkodrës.

Ndërsa rrethimi vazhdonte, Mahmut Pash Ajdosi dhe Mehmet Pashë Çausholli me ushtritë e tyre, filluan përdhunimet e stilit të vjetër që shkodranët kishin filluar t'i harronin diskriminimin fetar, plaçkitjet e dyqaneve, bastisjet e shtëpive, qytetarëve dhe fshatarëve dhe angaritë e ndryshme të bezdisshme. Këto përdhunime e shtuan pakënaqësinë e masave qytetare dhe fshatare dhe në mënyrë të veçantë të tarafeve të Tabakëve e të Terzive. Në kontakt me qytetarët dhe fshatarët e zemëruar dhe në marrëveshje me disa nga pashallarët që mbanin të rrethuar kalanë, Kara Mahmuti organizoi një sulm të përgjithshëm kundër Mahmut Pashë Ajdosit dhe Mehmet Pashë Çaushollit. Më 25 nëndor 1787, kur nga jashtë malsorët e Hotit, Shoshit, Mirditës dhe fshatarët e Postribës sulmuan ushtritë turke dhe kur brënda në qytet, tarafët e Terzive e të Tabakëve ngritën krye, Kara Mahmuti bashkë me ushtarët e vet doli nga kalaja, sulmoi repartet turke dhe i shpartalloi plotësisht. Gjatë përleshjes, kapudan-pasha dhe valiu i Bosnjës qëndruan, sipas marrëveshjes që kishin bërë fshehurazi me Bushatlliun, sehirxhinj. Pashallarët armiq, të gjendur midis dy zjarreve, u detyruan të tërhiqeshin. Mahmut Pashë Ajdosi me mbeturinat e ushtrisë se vet iku me të shpejtë, kurse Mehmet Çasholli, gjatë ikjes u kap dhe u vra nga malsorët. Pasi përfunduan luftimet, kapudan-pasha dhe valiu i Bosnjes u larguan nga Shkodra pa u shqetësuar nga njeri. Në përfundim të përpjekjes, shkodranët zunë plaçkë të madhe lufte, midis të tjerave edhe 16 topa.

Fitorja pati një jehonë të madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në Europë. Gazeta frënge "Lajmëtari i Evropës" (Courrier d'Europe) shkruante me 25 dhjetor 1787 "Pashai i pabindur i Shkodrës, i famëshmi Mahmut, mori në dorë pashallëkun e vet dhe e theu plotësisht Çaushollin, të cilin oborri e kishte emëruar pasardhës të tij në qeverisjen e Shkodrës".

E zënë me luftë kundër Rusisë, Porta e Lartë i ndërpreu përkohësisht veprimet ushtarake kundër Shkodrës. Kjo i dha mundësi Kara Mahmutit të rimerrte vehten nga dëmet që pësoi prej rrethimit të vitit 1787.

Pashallëku
i Shkodrës

Pashallëqet Shqiptare
Kara Mahmut Bushatlliu
Konfederata ilirike
Rrethimi I i Shkodrës
Marrëdhëniet e Jashtme
Karakteri i Pashallëkut
të Shkodrës
Rrethimi II i Shkodrës
Rënia e Pashallëkut
Pashallëku në vitet
1822-1829
Shtypja e Pashallëkut


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003