Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Shkodra
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Shkodrës

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Rrethimi i Dytë i Shkodrës (1793)

Pasi u kthye nga Vidini në Shkodër, Kara Mahmut Bushatlliu veproi në mënyrë të pavarur, pa e përfillur fare autoritetin e sulltanit.

Në dimrin e vitit 1791-1792 ai u përgatit që të sulmonte Malin e Zi dhe të ndëshkonte malazezët për lirinë e tyre, të cilët i kishin shkaktuar atij shumë ngatërresa gjatë kohës kur ndodhej në luftë kundër rusëve. Sulmi kundër malazezëve cenonte traktatin e Sistovos me të cilin Turqia ishte zotuar të mos e prekte Malin e Zi. Por Kara Mahmuti, pa marrë parasysh kushtet e traktatit, në pranverën e vitit 1792, nisi kundër malazezëve njerën pas tjetrës dy ekspedita, të cilat përfunduan me dëme të mëdha për Bushatlliun. Pas disfatave Kara Mahmuti hoqi dorë përkohësisht nga Mali i Zi dhe u drejtua në krahinat e Shqipërisë së mesme. Këtu nënshtroi disa pashallarë e bejlerë të cilët kërkonin të shkëputeshin nga vartësia e tij. Gjatë kësaj ekspedite ai vuri dorë mbi mukatat dhe të ardhurat shtetërore të këtyre krahinave, përzuri nga këto vise kadilerët dhe sundimtarët e dyshimtë, të cilët i zëvëndësoi me përkrahës të tij. Në përfundim të kësaj fushate, gjithë Gegëria, që nga kufijtë e Malit të Zi deri në lumin Shkumbin, hyri nën sundimin e plotë të Kara Mahmutit.
Porta e Lartë e këshilloi disa herë Bushatlliun të hiqte dorë nga këto veprime. Por Kara Mahmuti përsëri nuk ua vuri veshin paralajmerimeve të Stambollit. Atëhere sulltan Selimi i III vendosi të ndërhynte ushtarakisht kundër tij. Krahas përgatitjeve ushtarake, Porta e Lartë ushtroi një presion të fortë mbi bashkëpuntorët e Kara Mahmutit. Një pjesë e këtyre të fundit u lëkundën. Në krye të tyre qëndronte gjithnjë vëllai i Kara Mahmutit, Ibrahim Pashë Bushatlliu. Duke e parandjerë shpërthimin e afërt të reaksionit turk, në tetor 1792 Ibrahim Pasha tradhëtoi dhe shkoi në Stamboll ku i shprehu besnikërinë e tij sulltanit.

Në fund të vitit 1792 Kara Mahmuti u shpall për të tretën herë "fermanlli", u shkarkua nga detyra e vezirit dhe u dënua me vdekje. Në vënd të tij mytesarif i Shkodrës u emërua i vëllai Ibrahim Pashë Bushatlliu. Për të vënë në zbatim fermanin e sulltanit, u ngarkua valiu i Rumelisë Ebubeqir Pasha. Pashallarët e Shqipërisë u urdhëruan që të gjithë të merrnin pjesë në ekspeditën kundër Shkodrës.

Pasi u përfunduan përgatitjet ushtarake, Ebubeqir Pasha me një ushtri prej 30 mijë vetësh u nis në fillim të verës 1793 në drejtim të Shkodrës.

Në këtë ekspeditë mori pjesë edhe Ali Pashë Tepelena. Ai e shfrytëzoi këtë rast jo vetëm për t'ia larguar dyshimet sulltanit, por edhe për të nxjerrë përfitime në dobi të pashallëkut të vet. Gjatë marshimit për në Shkodër ai shtiu në dorë kazanë e Korçës dhe sanxhakun e Ohrit. Pastaj siguroi nga sulltani fermanin e emërimit të birit të tij, Myftar Pashës, mytesarif të ketij sanxhaku duke e futur kështu me anën e të birit edhe sanxhakun e Ohrit nën kontrollin e vet.

Kara Mahmuti u doli përpara ushtrive turke por nuk e ndaloi dot marshimin e tyre. Kjo e detyroi atë të tërhiqej në Shkodër dhe të mbyllej në kalanë e Rozafatit. Ushtritë turke hynë në Shkodër më 20 gusht 1793.

Kara Mahmuti me një ushtri të vogël e vazhdoi qëndresën e tij në kështjellë. Edhe këtë radhë u përsëritën ngjarjet e vitit 1787. Ai u muar vesh me përkrahësit e vet në Shkodër, Lezhë e në fshatra, të cilët u hodhën në agimin e 28 nëndorit 1793 në kryengritje, në të njëjtën kohë kur edhe Kara Mahmuti bashkë me ushtarët doli nga kalaja dhe sulmoi trupat turke. Qysh në çastin e parë u mbyllën rrugët e qytetit dhe ushtarët turq u izoluan në shtëpitë e qytetarëve ku ishin strehuar. Pështjellimi në radhët e turqve qe aq i madh sa Ebubeqir Pasha u detyrua të luftonte vetëm sa për të hapur rrugën e daljes së ushtrive nga Shkodra. Pasi ndeshi në një pritë tjetër në Lezhë, Ebubeqir Pasha së bashku me mbeturinat e ushtrive të veta, u tërhoq në mënyrë të çrregullt në Elbasan dhe pak më vonë u largua në Manastir.

Pas fitores Kara Mahmuti parashikonte se sulltani do të dërgonte kundër tij ekspedita të tjera, prandaj mori masa të shpejta mbrojtëse. Por Porta e Lartë nuk i përsëriti më ekspeditat. Nga njëra anë ato i kushtonin shtrenjtë, por nga ana tjetër fitoret e Kara Mahmutit inkurajonin te feudalët e tjerë tendencën për shkëputjen nga sulltani. Porta e Lartë provoi edhe këtë radhë të afronte Kara Mahmutin për ta përdorur kundër feudaleve të tjerë.

Bushatlliu u pajtua me sulltanin dhe me vëllanë e tij, por vetëm përkohësisht. Në të vërtetë ai nuk hoqi dorë nga synimet e mëparëshme. Me pretekstin e nënshtrimit të feudalëve të pabindur, në qershor të vitit 1795 pushtoi Prizrenin duke luftuar kundër koalicionit të feudalëve kosovarë. Pak më vonë pushtoi edhe Dibrën, por këtë e humbi përsëri në vjeshtë. Duke përfituar nga gjendja e turbullt ndërkombëtare që kishin shkaktuar fushatat e Napoleonit në Itali, ai synoi të shtrihej edhe në tokat e Dalmacisë të cilat ishin gjithnjë në dorën e Venedikut. Por këtu pengesa kryesore ishte Mali i Zi. Prandaj, Kara Mahmuti vendosi të nënshtronte popullin trim malazez dhe t'i shkëpuste një herë e mirë Austrisë këtë aleat luftëtar.

Në verë të vitit 1796, në krye të një ushtrie të madhe përbërë nga dy divizione, Kara Mahmuti u nis kundër Palabardhit në Mal të Zi. Beteja filloi në mëngjesin e 11 qershorit. Edhe kësaj radhe heroizmi i popullsive të lira të Malit të Zi shkaktoi disfatën e Bushatlliut. Kara Mahmuti i plagosur u tëhoq me humbje të mëdha. Ai filloi të organizonte një ekspeditë tjetër por edhe kësaj here dështoi. Përveç që humbi një numër të madh ushtarësh dhe oficerësh, këtë radhë ra edhe vetë në luftë më 22 shtator 1796.

Menjëherë pas vdekjes së tij sulltani emëroi mytesarif në Shkodër Ibrahim Pashë Bushatlliun.

Pashallëku
i Shkodrës

Pashallëqet Shqiptare
Kara Mahmut Bushatlliu
Konfederata ilirike
Rrethimi I i Shkodrës
Marrëdhëniet e Jashtme
Karakteri i Pashallëkut
të Shkodrës
Rrethimi II i Shkodrës
Rënia e Pashallëkut
Pashallëku në vitet
1822-1829
Shtypja e Pashallëkut


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003