Gjatë sundimit të Kara Mahmutit
Bushatlliut Pashallëku i Shkodrës, i krijuar
qysh në vjetët 1730-1740, u kthye në
një pashallëk të madh autonom. Formimi
i këtij pashallëku shqiptar shënon
një kthesë të rëndësishme
në historinë politike të Shqipërisë.
Ai paraqet një rëndësi historike të
dyfishtë.
Nga njëra anë, qysh me Mehmet Pashë
Plakun, por në mënyrë të veçantë
me përforcimin e pushtetit të Kara Mahmutit,
u kalua nga përçarja e thellë feudale,
nga sundimi i një vargu feudalësh në
grindje të vazhdueshme midis tyre, në përqëndrimin
e pushtetit në duart e një feudali të
vetëm. Më tej, nga sundimi i një feudali
në një zonë të ngushtë u
kalua në shtrirjen e sundimit të Bushatllijve
në një territor relativisht të gjerë
që përfshinte pjesën më të
madhe të krahinave të Gegërisë
dhe të Kosovës. Në krahasim me gjendjen
e mëparëshme, kur përçarja dhe
grindjet midis pashallëqeve të vogla ishin
bërë pengesë për zhvillimin e
forcave prodhuese, formimi i këtij pashallëku
të madh stabilizimi i rendit publik dhe zhdukja
e kufijve krahinorë i dhanë mundësi
zhvillimit më të shpejtë ekonomik,
shoqëror dhe politik të tij.
Nga ana tjetër, me përqëndrimin e
pushtetit politik në duart e klasës feudale
shqiptare u kalua nga grindjet brënda për
brënda klasës feudale vendase në konfliktin
midis klasës feudale shqiptare dhe pushtetit
të huaj feudal, të përfaqësuar
nga sulltani. Ky konflikt u çfaq qysh me Mehmet
Pashë Plakun. Por ai u thellua dhe kaloi në
përpjekje të armatosura vetëm gjatë
sundimit të Kara Mahmutit.
Megjithëse Kara Mahmuti e mori pushtetin në
dorë në sajë të sulltanit, ai,
si dhe i ati, nuk mund të cilësohen si funksionarë
të thjeshtë turq. Veprimtaria e tyre e mëvonëshme,
veçanërisht ajo e Kara Mahmutit, provoi
se të dy Bushatllijtë i përdorën
fermanet e sulltanit për të forcuar pozitat
e tyre politike dhe për të thyer rivalët
e brëndshëm. Por shpejt dolën në
shesh kontradiktat e thella politike e shoqërore
që po zhvilloheshin midis klasës feudale
të provincave shqiptare dhe pushtetit qendror
feudal turk. Shprehja e parë e acarimit të
këtyre kontradiktave ishin helmimi i Mehmet Pashë
Plakut të dhe në mënyrë të
veçantë dëbimi me forcë i Mehmet
Pasha Qystendilit nga Bushatllijtë. Që nga
ai vit (1775), krahinat e Gegërisë pushuan
së qeni sanxhaqe ose pashallëqe të
zakonshme dhe u kthyen në një pashallëk
autonom, në një shtet brënda shtetit
perandorak turk. Ndonëse formalisht ky pashallëk
vazhdonte të quhej sanxhak, ai nuk i përgjigjej
më sanxhakut të vjetër të Shkodrës
as nga tiparet e brëndëshme, as nga kufijt
administrativë. Ai mori pamjen e një pashallëku-principatë
dhe familja e Bushatllijëve atë të
një dinastie princore.
Shkalla akoma e ulët e zhvillimit ekonomik
të Shqipërisë, anarkia feudale që
nuk u kapërcye plotësisht dhe dobësia
e forcave të brendëshme akoma të papjekura
për t'u shkëputur përfundimisht nga
Perandoria Osmane lanë gjurmat e tyre në
tiparet e këtij pashallëku. Si pasojë
klasa feudale e pashallëkut u shkëput plotësisht
vetëm në periudha të caktuara nga vartësia
Portës së Lartë. Po për këto
arësye nuk u ndryshua struktura e aparatit shtetëror
turk. Duke mos ndryshuar karakteri i tij klasor feudal,
ky aparat (administrata, ushtria, gjyqet, burgjet,
etj. mbeti ashtu siç ishin më parë.
Por tashti nga një aparat krahinor i Perandorisë
Otomane, u kthye në një aparat qendror,
i cili udhëzimet kryesore nuk i merrte më
nga Stambolli, por nga vetë Shkodra. Ky aparat
tani i shërbente drejtpërdrejtë klasës
feudale të pashallëkut. Qeveritarët
e krahinave vartëse emëroheshin nga Kara
Mahmuti. Në krahinat periferike sundimtarët
e mëparshëm qëndruan formalisht si
"aleatë" në të vërtetë
si vasalë të tij. Ushtria ishte edhe ajo
drejtpërdrejtë nën urdhërat e
suntimtarit Bushatlli. Ligji i sheriatit nuk zbatohej
më në interes të pushtetit qëndror
të sulltanit, por në atë të Shkodrës,
ku ndodhej instaca më e lartë e pashallëkut.
Edhe të ardhurat fiskale që më parë
derdheshin në Stamboll grumbulloheshin në
Shkodër dhe përdoreshin për të
mbajtur aparatin shtetëror të pashallëkut.
Vetëm gjatë periudhave të marrëdhënieve
miqësore me sulltanin ato shkonin pjesërisht
në Stamboll.
Pashallëku feudal i Shkodrës nuk u njoh
as nga sulltani as nga fuqitë e huaja si një
principatë më vehte apo autonome. Ai nuk
mundi të zhvillohej si një principate e
pavarur për shkak të dobësisë
së bazës së tij sociale dhe të
epërsisë së sundimtarëve turq.
Kjo dobësi duhet kërkuar kryesisht te rivalitetet
që vazhdonin të ekzistonin midis feudalëve
të mëdhej dhe feudalëve të vegjël
të vendit tek të cilët ata mbështeteshin
dhe te zhvillimi i pakët i borgjezisë shqiptare.
Për këto arësye Kara Mahmuti përpiqej
t'u shmangej konflikteve me sulltanin, tek i cili
përqëndroheshin fijet e reaksionit të
brëndshëm e të jashtëm. Në
disa momente pashallëku e humbi karakterin e
një shteti autonom. Por në momentet kur
marrëdhëniet me Stambollin u acaruan, ai
veproi si një shtet më vehte.