Faqja Kryesore  >> Letersi  >> Moderne  >> Dritero Agolli
 

Dritëro Agolli

 

   E Vjetër

 
 

   E Bejtexhinjve

 
 

   E Rilindjes

 
 

   E Pavarësisë

 
 

Ju ndodheni ketu Moderne

 
 

   Antike Greke

 
 

 



Autorët e kësaj periudhe

 

  Petro Marko

 
 

  Jakov Xoxa

 
 

  Martin Camaj

 
 

  Kasëm Trebeshina

 
 

  Fatos Arapi

 
 

Ju po shikoni kete autor Dritëro Agolli

 
 

  Ismail Kadare

 
 

  Anton Pashku

 
 

  Azem Shkreli

 
 

  Arshi Pipa

 
 

  Esat Mekuli

 
 

  Lluka Perone

 
 

  Vorea Ujko

 
 

  Nazmi Rrahmani

 
 

  Ali Podrimja

 


 

Arka e Djallit (analizë)

Duke e lexuar me kërkesat e një estetike letrare kanonike, "Arka e djallit" në kuptimin e plotë të fjalës është një vepër e padisiplinuar. Ajo dëshmon dhe një herë se personalitetet e fuqishme të letërsisë shqipe kanë qenë më të lirë se metoda e tyre krijuese, sikurse edhe e kundërta: autorët e patalentuar e kanë kufizuar edhe më shumë veten se "parimet" e metodës.
Dritëro Agolli nisi ta shkruajë "Arkën e djallit" në fillim të viteve '80, kur letërsia shqipe i hidhte me shumë kujdes hapat e vet, duke njohur rreptësinë e metodës dhe vështirësitë "për t'ia hedhur" asaj. Romani u përfundua në fillim të viteve '90, kur në jetën shqiptare hyri një kuptim tjetër i lirisë së mendimit dhe të krijimit. Por, ndërkaq, për autorin ishte shumë vonë t'i rikthehei veprës për ta rishkruar (gjë që s'përputhej as me parimet e tij krijuese), sikurse ishte po aq e vështirë t'i paraqiste një lexuesi të lirë një vepër të shkruar në kushtet e kufizimeve të përgjithshme të shoqërisë.
Një nga pyetjet më të mprehta të gjykimit të librit "Arka e djallit" është pikërisht ajo se ç'liri i ofron prej viteve '80 një shkrimtar i talentuar si Dritëro Agolli brezit të ri të lexuesve të viteve '90, që hyri në shoqëri me kërkesa tjetërsoj për lirinë dhe artin, për vlerat dhe gjymtimet? Çështja mund të shtrohet në një formë më konkrete. Një vepër e shkruar në ato vite, e llogaritur të kishte për horizont të pritjes lexuesin tradicional, që realizmin e angazhuar e vlerësonte si një shkallë më të lartë të realizmit, si do të pritej pas ndryshimit me themel të horizontit të pritjes? Kjo është çështja e lirisë krijuese. Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje është e nevoishme të pohohet që në fillim se në romanin "Arka e djallit" lexuesi gjen disa shkallë të lirisë, të cilat, ndonëse nuk kanë kufij të përcaktuar ndërmjet tyre, megjithatë janë të dallueshme. Kjo e bën atë një "vepër me liri shumëkatëshe".
Shkalla e parë e lirisë së shpërfaqur është ajo e shkrimtarit. Gjithë rruga krijuese e D.Agollit është një zinxhir shmangiesh nga disiplina metodologjike. Romani "Arka e djallit" ka në qendër të veprimit një shkrimtar: Sherif Abecenë. Detyra e tij është të zbulojë "arkën e diallit", një sënduk ku ruhen dorëshkrimet e ndaluara të një autori që "ka shkelur vljën". "Djalli" që duhet të zbulojë shkrimtari s'ka të bëjë me demonologjinë popullore, as me ndonjë qenie që tundon njeriun për të dalë nga rruga e perëndisë. "Djalli" është romani "Shakaja e ndaluar ose njeriu që e ndaluan të qeshë", nje vepër e ndaluar e shkrimtarit të dënuar Bamkë Dynjaja, jeta e të cilit është ndërlikuar në episode të paqarta, që mbeten enigmatike deri në fund dhe që lexuesi duhet t'i marrë me mend si shprehje disidence.
Shkrimtari Dritëro Agolli, duke vendosur në qendër të romanit të tij kërkimin për të zbuluar një tabu, duke kërkuar të ndaluarën, shfaqet me një përmasë lirie që gjendet mbi lirinë e shoqërisë, mbi lirinë shtetërore, mbi lirinë e qytetarëve të zakonshëm, mbi lirinë që ofronte metoda. Në një farë mënyre, shkrimtari me këtë zgjedhje merr vendimin "të ulet në karrigen e djallit" dhe të bëhet avokat i tij, të marrë në mbrojtje sëndukun e drunjtë ku është ndryrë mendja dhe krijimtaria e një shkrimtari që kërkonte ndryshime në shoqëri.
Shkalla e dytë e lirisë shprehet nga shkrimtari Sherif Abeceja, i cili, si personazh i librit, ndërmerr udhëtimin për në fshatin e largët Qershizë, me qëllim që ta shpëtojë "arkën e djallit", romanin e ndaluar të Bamkës. Kjo është një shkallë më e lartë lirie, sepse, duke qenë një alter-ego e autorit, D.Agollit, shkrimtari Sherif Abeceja, në fund të fundit një hije, hero romani, është më i lirë t'i pohojë idetë e rrezikshme, sepse një hije nuk trembet as nga doktrinat, as nga ligjet, as nga kufizimet e një metode, as nga nenet kushtetues të ndalimeve, as nga gjyqi dhe dënimi. Sherif Abeceja ia merr fjalën nga goja shkrimtarit të vërtetë, D.Agollit, për të mos e lënë të rrezikojë hapur, sepse ai është shtetas i një vendi të cilit duhet t'ia zbatojë ligjet, qofshin ato liberale apo restriktive.
Një shkallë e tretë e lirisë krijuese gjendet në "shthurjen" e Cute Babules, një personazh që gjithashtu shumë herë bëhet bartës i mendimeve të autorit, sidomos në filozofinë e tij për jetën, për njeriun dhe botën, për atdheun dhe planetin, për historinë dhe të sotmen, për popullin dhe qeveritë. Cute Babulja, në romanin "Arka e djallit", qysh në fillim të viteve '80-të protestonte kundër lënies së fshatarit pa bagëti, pa një copë pronë të vogël. Kurse autori i romanit mundi t'i nyjëtonte pa ndërmjetësinë e personazhit të tij këto ide një dekadë më vonë.
Cute Babulja është paraqitur në vepër si njëfarë "sherr-budallal", që përpiqet t'i bëjë të pranueshme idetë e tij duke i fshehur pas një shakaje, pas një sofizmi, pas një naiviteti. Ai ka arritur fitoren e madhe që edhe "atje lart" të mendojnë e të thonë: "Kështu e ka Cutja!". Kjo është një përparësi e madhe për të. Ai është i lirë të pohojë mendime që as shkrimtarit me famë botërore Sherif Abeceja nuk i shkon në mendje t'i shprehë. Cute Babulja ka dalë me kohë jashtë "kryqit" të "njeriut të ri" dhe i ka krijuar vetes një hapëslrë lirie mbi të tjerët.
Shkrimtari arrin një shkallë të katërt lirie me "romanin brenda romanit", me "arkën e djallit", ku gjendet vepra e ndaluar e Bamkë Dynjasë. Ajo quhet "Shakaja e ndaluar", titull që të kujton romanin e njohur të Kunderës "Shakaja". Kritikët perëndimorë kanë shkruar se, po të ishte përkthyer më herët "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", ndoshta "Shakaja" e Kunderës do të priste radhën për të zënë ndonjë vend tjetër në vlerësimet e opinioneve letrare. Në romanin "Arka e djallit" gjendet pikërisht një vepër që mban si titull emrin e veprës së Kunderës, i cili për rreth dy dekada u bë shenjëzim i disidencës letrare në vendet e Lindjes. Në këtë shkallë të lirisë krijuese D.Agolli është fare pranë disidencës. "Romani brenda romanit", siç e përcaktuam qysh në fillim "Shakanë e ndaluar" të Bamkë Dynjasë, që lexuesi e gjen gati të plotë në faqet e "Arkës së djallit", merret me mend se nuk është ndonjë zbulim i autorit, ajo është një vepër e shkruar nga i njëjti autor.

Një nga dukuritë më interesante që vihen re në romanin "Arka e djallit" është shprehja e vetvetes në një shumësi emrash. Autori i veprës shihet i projektuar në figurën e shkrimtarit Sherif Abeceja në sjelljet e tij të serta, në tiparin e tij të këmbënguljes për të zbuluar atë që të tjerët përpiqen ta mbulojnë, në heshtjen dhe dialogët "me popullin". Ai shihet i projektuar tek figura e Cute Babules në mënyrën si ndërton humorin, si u heq cipën mashtrimeve, si sillet shpenguar në marrëdhëniet me të huajt, si i mund komplekset e veta dhe gjen shtigje e rrugëdalje edhe në situata të vështira, si i ndërton bisedat dhe lidhjet me fshatin dhe fshatarët, si preket e ligështohet pas gabimeve dhe qortimeve. Në figurën e Bamkë Dynjasë është një pjesë e fatit real të vetë shkrimtarit. Eshtë fakt se D.Agolli pati nisur ta botonte "Arkën e djallit" në formën e fragmenteve, por fundi i saj qe ndalimi, një sënduk njësoj si ai i "Shakasë së ndaluar" të Bamkës.
Nuk është e rastit që D.Agolli, duke e quajtur romanin e tij "Arka e djallit", që nënkupton sëndukun ku mbahet e kyçur vepra e ndaluar e Bamkë Dynjasë, i ka paralaimëruar atij një fund të trishtuar. Ndoshta autorësia e shumëfishtë (unë s'jam as Bamka, as Cutja, as Sherif Abeceja; ata janë personazhe të një vepre, ku shkrimtari ka qëndrimin e tij të qartë) mund të mos funksiononte si lehtësi dhe hile për të thënë atë që ishte e zorshme të thuhej. Ndoshta edhe romani i Agollit mund të përfundonte pikërisht në një sënduk të frikshëm, të cilin më pas dikush do të duhej ta zbulonte.
Duke mundur "vetëkufizimin", me "Arkën e djallit" D.Agolli e çliroi letërsinë shqipe nga një prej pengesave më të mëdha. Deri më sot është e zorshme të gjendet një vepër tjetër ku autori të ketë arritur vetëshfaqjen jo vetëm në atë që ia ndalojnë të tjerët, por deri në atë që ia ndalon ai vetvetes.


1931

Jeta dhe Vepra

Poezia
Proza
Analiza
Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo
Njeriu me Top
Arka e Djallit
Poezi
Kur një Mëngjes
Vetmija
Poemë për Babanë e për Vete
Pjesa e dytë
Pjesa e tretë

 

 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003