Anthulla, pasi dëgjoi një
përmbledhje të shkurtër të përshkrimit
të udhëtimit nëpër Greqi dhe pjesërisht
në Turqi, filloi të lexojë me vete.
-Jo, lexo me zë! - urdhëroi Sherif Abeceja
dhe u ul larg saj, në një karrige në
rrëzë të verandës.
"Hyrja e Cute Babules në vallen e dervishëve
mevlevinj, o Hyskë, bëri një jehonë
aq të madhe në mes të shkencëtarëve,
sa me fjalën që na ka dhënë natyra
e gjuhës nuk mund të tregohet. Por kjo jehonë
vetëm fillimin e kishte në gjirin e shkencëtarëve.
Të nesërmen u bë ortek, që vërshoi
me uturimë në mbarë Konian. Po të
pasnesërmen? Të pasnesërmen u bë
uragan, që u soll dhe u mbështoll, u vërvit
dhe u rrotullua anembanë Turqisë. Si i thonë
në këngë?
Këtu duhet thënë: "Hajde Cute
Kapedani"! Ti e di mirë, o Hyskë, se
dikur, në kohët e shkuara namin ta hapte
kënga! Po të hyje në këngë,
edhe sikur të mos ishe shumë trim, apo shumë
i zgjuar, fama rritej, pasi emri që kalonte gojë
më gojë dhe çdo këngëtar
shtonte nga një fjalë e nga një epitet.
Kurse sot famën ta hapin mjete të tjera:
gazetat, revistat, librat, radioja, televizioni, filmi,
telefoni, telegrami, kompjuteri... Edhe fama e Cute
Babules vërtet e zuri fillin në gjirin e
shkencëtarëve, por pastaj ç'ndodhi
se!... Të pasnesërmen gazeta më e shquar
e Konias "Bytyn dynja" botoi një artikull
të shoqëruar me tri fotografi: njëra
që paraqiste Cute Babulen duke u nisur drejt
valles, tjetra në valle dhe e treta në përqafim
me dervishët në mbyllje të manifestimit.
Në artikullin e "Bytyn dynjasë"
gazetarë që mund të krahasohet me "Le
Monde" të Francës, se "dynja",
ashtu si "monde", do të thotë
"botë", shkruhej: "E mahnitshme!
E paimagjinueshme!" Në vallen e dervishëve
në Sema më e njohur nga gjithë bota,
që u dha nga mevlevinjtë për nder të
shkencëtarëve, hyri papritur dijetari marksist
shqiptar, studiuesi i kulturave popullore, Maksut
Babulja, që zakonisht i thërrasin Cute,
dhe me mjeshtëri, ndoshta më të përsosur
se të dervishëve dhe me njohuri fetaro-filozofike
mbase më të mëdha se semazeni, udhëheqësi
i Sema-së, kërceu e luajti deri në
mbyllje të ceremonisë, dhe në fund
i përqafoi me radhë të gjithë
valltarët e shenjtë nën breshërinë
e duartrokitjeve të njerëzve të shkencës.
Një fenomen i tillë, që të hynte
në vallen e dervishëve një i jashtëm,
qoftë turk e qoftë kaur, ka 722 vjet që
nuk është përsëritur, që
kur ishte gjallë hazreti Mevlana Muhamed Xhelaledin
Rumiu. Kur jetonte hazreti, në një ceremoni
dervishësh, u fut papritur mes valles një
sarhosh dhe filloi të kërcejë. Në
kërcim e sipër i shtynte me bërryl
dervishët, duke ua penguar rrotullimin! Atëherë
semazeni e shau sarhoshin dhe iu ankua hazretit Mevlana:
"Ky është i pirë dhe duhet ta
përzemë nga vallja!" Dhe hazreti Mevlana
Muhamed Xhelaledin Rumiu iu përgjigj: "Ai
ka pirë hyjninë, ju po silleni me të
si me një pijanec". Kjo frazë që
ka mbetur si ese, në frëngjisht shprehet:
"Lui, il a bu divin, vous agissez en ivrogne!".
Edhe për Cute Babulen kur hyri në vallen
e dervishëve, disa thanë se gjoja ishte
i pirë dhe kërkuan të zbohej nga andej.
Dhe këta që e thanë, fatkeqësisht,
ishin turq dhe francezë. Po të jetonte Mevlania,
do t'u përgjigjej: "ju silleni me të
si me të pirë!" ose "Vous vous
agissez ivrogne!"
"Habia jonë, vazhdonte artikulli, për
hyrjen e marksist-leninistit Cute Babulja në
vallen e dervishëve, është gjetiu...
Një shkencëtar shqiptar, që jeton në
kështjellën më të fortifikuar
të marksizmit, del nga andej dhe rrëzon
muret dhe vallëzon, duke u sjellur rrotull vetes
dhe rreth dervishëve. Dhe jo vetëm kaq!
Ai në fund të valles puthet me dervishët!
Është me të vërtetë paradossale,
kur dihet se në Vendin e Shqiponjave, që
janë në fakt shqiponja me krahë të
lidhura, ndalohet feja dhe institucionet e saj, ndalohen
dhe dënohen ata që takohen me hoxhallarë,
dervishë, baballarë, shehlerë, priftërinj,
murgjër e murgesha. Kurse shqiptari marksist-leninist-stalinist,
Maksut Babulja, i mbiquajturi Cute, që ndodhet
këto ditë midis nesh në Turqi dhe që
po na sjell një gëzim të mahnitshëm,
me veprimin e tij human, shprehu haptazi nostalgjinë
dhe dashurinë për mevlevinjtë në
veçanti dhe, në përgjithësi,
për islamizmin, të cilit i takon e ardhmja.
Mos vallë kjo është një shenjë
që në Shqipërinë tonë mike,
po ndryshojnë gjërat? Apo Cute Babulja këtë
gjest fisnik e bëri për hir të forcimit
të miqësisë tradizionale shqiptaro-turke
pa pyetur autoritetet shqiptare? Nuk e besojmë
që kjo të jetë një shaka, megjithëse,
sa dimë, Cute Babulja është një
shakaxhi, që i kalon kufinjtë e Vendit të
Shqiponjave. Dhe madje temën e kumtesës,
që do të mbajë sot në Konferencën,
në ora 10.00, e ka: "Folklori shqiptar dhe
Nastradini". Dihet se qendra e Nastradinit, pas
zbimit të tij nga Buharaja, u bë qyteti
ynë i lashtë Konia. Mund të bëhet
edhe një supozim tjetër, Cute Babulja, si
materialist, duke hyrë në valle, shpreh
lëvizjen universale, lëvizjen e molekulave,
atomeve, protoneve dhe neutroneve. Një dervish
që rrotullohet rreth vetes dhe rreth të
tjerëve, simbolizon lëvizjen e atomit. Marksistë-leninistët
lëvizjen e quajnë si një nga format
më të rëndësishme të materies.
Mos vallë Cute Babulja nga gjithë vallja
ka marrë vetëm thelbin, lëvlzjen, që
atij i intereson? Edhe ky mund të jetë një
arsyetim... E mahnitshme dhe fantastike! "Me
këtë thirrje mbyllej artikulli".
-----------------------------------
Një nga vlerat më të rëndësishme
të romanit "Arka e djallit" është
qëndrimi i autorit ndaj botës kulturore
të Orientit. Kjo është një përpjekje
për të zbuluar disa të vërteta
të thjeshta, që kanë të bëjnë
me kuptimin e universit njerëzor në tërësinë
dhe ekuilibret e tij. Dritëro Agolli, përmes
"Arkës së djallit", e dëshmon
veten si një njohës të shkëlqyer
të kulturave tradizionale të popujve të
Lindjes, të letërsisë së tyre
të mirënjohur, të riteve dhe zakoneve
të jetesës,të ngjashmërive dhe
ndryshimeve kulturore me ato të popullit të
tij. Në mënyrë figurative, për
lehtësi të krijimit të simetrisë
së mendimit, autori ka marrë gazetën
turke "Bytyn dynja", të cilën
e krahason me "Le Monde", të dyja me
kuptimin "bota". Ndërmjet Parisit të
gazetës "Le Monde" dhe Stambollit të
"Bytyn dynjasë" gjendet vendi i vogël
i autorit, i cili, i ngatërruar në hallet
e tij, nuk ngurron t'ia bëjë me sy Perëndimit,
pa e ditur se ç'ka në anën tjetër
të botës. Shkrimtari është i kujdesshëm
në zgjedhjen e emërtimeve, me qëllim
që të ndikojë tek lexuesi për
të forcuar bindjen se qytetërimi perëndimor
dhe ai lindor janë dy pamje të së njëjtës
kulturë njerëzore. Konia, vendbanim antik
i qytetërimit helen (nga gr. "Ikonia"),
vendi ku zhvillohet festivali ndërkombëtar
i valleve dhe i riteve të Sema-së bektashiane,
dhe jepen çmime të nderuar për fituesit,
të kujton qysh në emër Kanën,
ku konkurrojnë artistët e kinematografisë
botërore. Vallja e Sema-së, ku hyn të
luajë edhe njëri nga personazhet e romanit,
paraqitet si një kryevlerë më vete,
që për shekuj ka magjepsur breza njerëzorë.
Qëllimi i shkrimtarit për të ndikuar
në opinionet letrare për një ekuilibër
të vërtetë vlerash shihet jo vetëm
në admirimin e vlerave kulturore lindore, në
adhurimin e figurave të ndritura të këtyre
kulturave, si Xhelal-ed-din Ruumi, por dhe në
formën stilistikore si e ndërton frazën.
Ja një paragraf tipik, ku, edhe përmes stilit
ndikohet për të përfytyruar botën
si një të tërë:
"Një fenomen i tillë, që të
hynte në vallen e dervishëve një i
jashtëm, qoftë turk e qoftë kaur, ka
722 vjet që nuk është përsëritur,
që kur ishte gjallë hazreti Mevlana Muhamed
Xhelaledin Rumiu. Kur jetonte hazreti, në një
ceremoni dervishësh, u fut papritur mes valles
një sarhosh dhe filloi të kërcejë.
Në kërcim e sipër i shtynte me bërryl
dervishët, duke ua penguar rrotullimin. Atëherë
semazeni e shau sarhoshin dhe iu ankua hazretit Mevlana:
"Ky është i pirë dhe duhet ta
përzëmë nga vallja!". Dhe hazreti
Mevlana Muhamed Xhelaledin Rumiu iu përgjigj:
"Ai ka pirë hyjninë, ju po silieni
me të si me një pijanec!"
---------------------------------------------------------