Komisari Memo (1970), ndoshta për
shkak të ngjyresës së fjalës "komisar",
është një libër që shpesh
është gjendur i ekspozuar kritikës.
A është "Komisari Memo" një
vepër tipike e realizmit socialist, në kuptimin
e nënshtrimit ideologjik (ndaj frymës së
partisë) dhe artistik (ndaj kanoneve), domethënë
një vepër skematike? Vështirë
të thuhet po. Së pari, sepse vetë figura
qendrore e romanit, komisari Memo, është
brenda llojit të "njerëzve të
krisur" që përmban në tërësinë
e vet letërsia e Dritëro Agollit. Ai nuk
është një komisar i ngrirë në
rregulla e mendime, si dy paraardhësit e tij,
që komandanti Rrapo i kishte përzënë
pa e zgjatur. Komisari Memo, "patriot i një
kohe të re", e gjen pa vështirësi
gjuhën e komunikimit me "shqiptarin e vjetër
patriot" komandantin Rrapo, që ngjan si
i thirrur prej kohës së komitëve. Ai
është një hero që herë-herë
e shkel disiplinën, bën gabime, dashuron
një vajzë në një kohë kur
për cënim të kësaj tabuje, mund
të merrje vendimin e pushkatimit nga gjyqi partizan
(duhej edhe shumë që Kongresi i Helmësit
ta lejonte dashurinë), nuk bën "trimërira
sokolash".
Zhurma e erërave të dikurshme (1964), një
përmbledhje me tregime, botuar më 1964,
u hoq nga qarkullimi për nxirje realiteti Nga
pikëpamja letrare, këto tregime, një
pjesë e të cilave u ribotuan në librin
"Njerëz të krisur", janë
të mbushura me personazhe atipike, me karakter
e pamje të paskalitura, me individualitete jashtë
standartit, gjë që përbënte një
largim të hapur nga parimet e metodës skematike
zyrtare.
Në romanin Njeriu me top (1975) Dritëro
Agolli zbuloi një marrëdhënie tjetër,
krejt të ndryshme nga ajo e "Gjeneralit
të ushtrisë së vdekur" të
Kadaresë, sa i takon raportit të njeriut
shqiptar me armën. Zot e rob i pushkës,
i magjepsur dhe i marrosur prej saj, ky njeri bën
çudira e marrëzira nga më të
pabesueshmet. Ky njeri është i denjë
të thërrasë me dëshpërim
njësoj si Hamleti: "Dynjaja u prish! O hak
i madh, ç'pret?!", ndonëse mund të
mos e ketë dëgjuar kurrë emrin e Shekspirit.
Edhe në këtë roman shfaqen gjurmë
të babait patriark në organizimin e bashkësive
bektashiane shqiptare.
Romani Trandafil në gotë (1980) u prit nga
mendimi letrar si një "libër rozë",
por me këtë vepër Dritëro Agolli
provoi të bënte një sfidë tjetër
në letërsi, duke krijuar një vepër
të arrirë me një personazh që
gjendet midis dashurish, pa tema epokale; pa epizëm
dhe heroizëm. Me këtë roman Agolli
krijoi njeriun hero për merita të dobësisë,
duke manifestuar një hapësirë lirie
vetjake jashtë asaj lirie që ofrohej prej
mendimit shoqëror të kohës.
Dritëro Agolli është një shkrimtar
i mësuar me "goditje rrufesh". Në
vitin 1965, një plenum i posaçëm
i Komitetit Qendror të Partisë së Punës
për letërsinë dhe artet, e kishte kritikuar
në raportin kryesor librin e tij "Zhurma
e erërave të dikurshme", i cili pastaj
u hoq fare nga qarkullimi. Ndonëse periudha e
liberalizmit në kulturë (1972-1974) e gjeti
"në pozita të shëndosha"
(sapo kishte botuar poemën "Baballarët",
që evokonte lidhjen e brezave dhe jo konfliktin
e tyre), romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut
Zylo, që botohej pjesë-pjesë në
revistën "Hosteni", u ndërpre
me porosi nga zyra të larta të shtetit.
Në mesin e viteve '70 një teatër vuri
në skenë dramën e tij "Baladë
për një grua", ku personazhi qendror,
një aktiviste e partisë në rreth, anëtare
byroje, voton kundër përjashtimit të
ish-burrit të saj nga partia, por duke zbritur
shkallët pas mbledhjes i thotë: "Ti
je i denjë për të qëndruar në
parti, por jo për të qenë burri im!".
Ishte një "kundravajtje ideologjike"
që nuk mund të falej. Sipas vijës duhej
të ndodhte e kundërta: marrëdhënia
në familje vinte si rrjedhim i mbetjes ose jo
në parti. Shfaqja u ndalua dhe drama nuk u botua
më. Edhe dramat Fytyra e dytë e Mosha e
bardhë nuk u pritën mirë nga kritika
zyrtare. Polemikë kritike u zhvillua për
romanin "Trandafil në gotë". Vitet
'80 vijuan me një varg zymtish të tjera.
"Hundëleshi" (i botuar më pas
me titullin "Kalorësi lakuriq"), u
kritikua ashpër për ironi dhe aludime anti-ideologjjke.
Kritikat ndoqën edhe disa tregime dhe cikle poezish
të botuara në gazetën "Drita".
Ndërsa për romanin "Dështaku",
që pruri tek lexuesit një realitet me dramë,
u mbajt heshtje.