Dikur na bridhte qiejve një
shi,
Që veç poetët çmendte po t'i
lagte.
Dhe ra ky shi pa pritur mbi njerëzi,
Poetët u lajthitën pas një nate.
Filluan të kopjonin veç një varg,
Të kishin të përbashkët veç
një metaforë,
Për shembull: "Jam Homeri, jam bust në
park,
Jam Sofokli, Eskil e Pitagorë.
Jam rrugë vetëtimash e rrufè,
Jam dhe kostelacion në qiell,
Jam rrap me rrënjët pleksur nëpër
dhè,
Jam udhëtar që kam në sup një
diell…"
Po nga ky shi s'u lag veç një poet,
Se ishte fshehur në një pyll të dendur,
Poetët e lajthitur në qytet
E qeshnin dhe i thoshin: "Je i çmendur!"
Dhe u mërzit poeti në vetmi,
Se talleshin të çmendurit, poetët,
Dhe luste zotin që të binte prapë ky
shi,
Që dhe ai të çmendej si të tjerët.
---------------------------------------
Kjo poezi është shkruar nga Agolli në
formën e një proteste ndaj shoqërisë
ku jeton, e cila mendjelehtësisht nuk i zë
besë poetit- profet, por është gati
të ndjekë pas shortarë të rrernë,
që ndoshta do ta degdisin në greminë.
Përmes kësaj poezie autori ka shprehur dhimbjen
e vet, që përmbyllet me një dëshpërim
gati disfatist, për psikozat masive që e
kanë futur shoqërinë në një
farë kurthi.
"Shiu i marrë" bashkon në një
lëngatë kolektive gjithë bashkësinë,
e cila shkon e ngazëllyer drejt vetëmashtrimit,
ndërsa profetët e vërtetë i përqesh
dhe i tregon me gisht si të lajthitur. Kjo poezi
është dhimbja e poetit të vetëveçuar,
të braktisur edhe nga vetë raca e poetëve,
që i prin turmës drejt humnerës me
një entuziazëm mahnitës.
Agolli paraqitet në këtë poezi në
një dilemë që duket tragji-komike.
Ai nuk di ç'vendim të marrë: të
tërheqë ende vëmendjen e turmës
së shastisur se në ç'hone po e tërheqin
misionarët e rremë, apo të bashkohet
edhe ai vetë me të, për të shpëtuar
një herë e mirë nga dhimbja e të
treguarit me gisht. Së fundi, i dëshpëruar
për mosmirënjohjen e shoqërisë,
ironikisht poeti lutet të rikthehet edhe një
herë shiu i marrë, të përzihet
edhe ai me turmën anonime që gjendet nën
pushtetin e psikozës masive, të humbë
identitetin në vorbullat e saj, të flijojë
edhe dhuntinë e tij prei misionari me diellin
mbi sup, mjafton që, së paku, të mos
e marrin edhe më tej si të çmendur.
Duket se ky është flijimi i fundmë
që i mbetet poetit të bëjë. Ndoshta
mundet edhe me këtë ta trondisë shoqërinë,
ta sjellë në vete, ta bindë për
të gjetur yllësinë që meriton.
--------------------------------------------------------