Ku shkund gurët qafë e
shpatit,
Mardhur bore, djegur vape,
Mbushe, xha Selimi i Bratit,
Dy hejbe me këngë labe.
Erë plumb e erë predhë,
Erë prush e erë brengë,
Erë dushk e luleshqerrë
Binin-binin ato këngë.
Se hejbetë në sënduke
Për t'u mykur nuk i vure,
Po i more çukë më çukë,
Selim Brati me poture.
Dhe mbi malet e përpjetë,
Mardhur bore, djegur vape,
Prapë i zbraze ti hejbetë
Mbushur plot me këngë labe.
I përcolle, larg i nise,
Nëpër gjurmë gjelberimi:
"Shikoni, bija, merrni viset
Ju bekoftë xha Selimi"!