Nuk kisha dëshirë të
shkoja në asnjë zyrë. Isha lodhur duke
ndenjur në kolltuk para shokut Zylo. Veç
kësaj, më pihej një kafe. Kështu
që pas tij dola edhe unë. Hyra në kafe
"Tirana" dhe u ula në një tavolinë
përballë dritares. Duke ndenjur i menduar,
fillova të qeshja me vete: "Për mua
shoku Zylo është fenomenal. Me shumë
njerëz kam punuar. Shumë njerëzve ua
di psikologjinë, karakterin, tekat. Por njerëzit
që kam njohur nuk mund të krahasohen me
shokun Zylo. Si do të më shkojë puna
me të, vallë? Më duket se ky do t'i
shkruajë vetë referatet dhe raportet.
Unë vetëm do t'i mbledh të dhëna.
Të paktën kështu do ta kem më
lehtë..." - mendova i ulur në tavolinë.
Pastaj, aty për aty, më ndriti një
mendim: "Sikur të shkruaj çdo ditë
në një fletore pjesë nga bisedat me
shokun Zylo, pjesë nga fjalimet e tij në
telefon pjesë nga kuvendimet e tij me njerëzit,
kjo do të jetë diçka e rrallë.
Po, unë do të merrem përsëri me
letërsi! Ta shohë Zenepja se cilat do të
jenë, tregimet më të forta, ato që
shkruan Adem Adashi me fejesa e shfejesa, me burra
shpatullgjerë e me hoxhallarë, apo ato që
do të shkruaj unë... "Prapë qesha,
por këtë radhë me zë. Por papritur,
pas kësaj qeshjeje, më pushtoi një
trishtim i pakuptuar. Në ndërgjegjen time
të dytë vinte jehona e raporteve. Kjo jehonë
gjithnjë kështu më ndiqte. Edhe kur
më shfaqej ndonjë gëzim i turbullt,
jehona e raporteve goditëse në muret e ndërgjegjes
sime dhe ma shuante këtë gëzim të
pandezur. Edhe te shoku Zylo, - mendova me vete, -
nuk do të shpëtoj nga raportet. Unë
i duhem shokut Zylo, prandaj kërkoi të më
mbajë pranë. Ta zemë se për një
kohë ai do të më lërë të
qetë. Pastaj? - pyeta veten. - Në mos më
ngacmoftë shoku Zylo, do të më ngacmojë
shoku Q. Edhe shokut Q i duhen raportet. Kurrizi yt,
o Demkë, do t'i mbajë të gjitha letrat
e nxira të futura në dosje të bardha!"
Përsëri qesha si psikopat: "jo, jo,
më duket se po lajthit..."
Në tavolinë m'u kujtua ftesa e shokut Zylo.
Sa e priste! Me siguri ajo nuk i ka ardhur. Kot e
pret. Ai e di që nuk i vjen. Edhe sikur të
mos i ketë ardhur, do të thotë se i
erdhi, por nuk kishte qejf të shkonte.... Shoku
Q. ka rrezik ta lërë mbrëmjen solemne
dhe të shkojë në shtëpi të
shokut Zylo (sipas mendimit të tij).
Më erdhi keq për të. Sikur të
kisha një ftesë do t'ia jepja. Le të
shkonte...
Tek rrija në tavolinë, pashë nga dritarja
Bakirin, një nga kolegët e mi. Ai më
vuri re dhe u kthye.
- Ne thamë se do të punoje në zyrën
tonë; ti e paske punën me shefat, - tha
ai.
- U paraqita për herë të parë.
- E, të dha udhëzimet?
- Biseduam, - u përgjigja.
- T'i tregoi studimet e para në "prizmin
shkencor?" - qeshi ai.
- Folëm për gjëra të tjera, -
thashë, pasi nuk doja ta merrja nëpër
gojë shokun Zylo.
- Po partiturat e Diogjenit t'i tregoi? - pyeti ai
përsëri.
- Jo.
- Çudi! Ai i mban në çantë...,
- tha Bakiri duke qeshur.
- Do të merrni një kafe? - e pyeta.
- Asgjë nuk do të marr, - tha ai. - E njihnit
mirë më parë shokun Zylo? - shtoi.
- Pak.
- Unë e njoh mirë. Dikur kam pasur mjaft
miqësi. Ai kujton se unë tallem me të
dhe është larguar, - tha Bakiri.
- Keni qenë edhe më parë bashkë
në ndonjë punë?
- Kemi qënë në një klasë
në shkollë. Pastaj ai u ngrit në përgjegjësi.
Megjithatë, përsëri vazhdoi miqësia
jonë. Edhe tani kemi njëfarë miqësie.
Heshtëm për një çast. Nga dritarja
frynte një erë e ngrohtë. Perdja e
hollë lëkundej dhe herë pas here më
binte në fytyrë.
- Endrra e shokut Zylo është të emërohet
ambasador në ndonjë vend të Evropës,
- tha Bakiri.
- E kam dëgjuar, - thashë unë.
Bakiri qeshi.
- Na tha një ditë se i ishin lutur ta emëronin
ambasador në një shtet të huaj, por
e kishte refuzuar, sepse nuk i pëlqente jeta
monotone, pa njerëz të njohur, pa vende
të njohura... "jashtë shtetit është
mërzi për njerëzit që janë
mësuar mes një shoqërie të madhe",
- na tha.
Edhe mua m'u qesh. Bakiri e imitonte zërin e
tii me përpikmëri të madhe. Ai u jepte
fjalëve intonacionet e shokut Zylo, ai bënte
të njëjtat gjeste dhe të njëjtat
lëvizje. Ndofta prandaj shoku Zylo ishte ftohur
nga Bakiri. Nuk ka gjë më të tmerrshme
se ta vësh njeriun në pozita qesharake.
E qeshura e çarmatos njeriun. Aristofani me
të qeshurat i çarmatosi perënditë.
Bakiri kishte një zakon që kur thoshte ndonjë
fjalë me humor, qeshte me zë të lartë
dhe i binte gjunjëve me pëllëmbë,
pastaj të cëmblidhte në krah për
të ta tërhequr vëmendjen.
- Po në shtëpi të tij ke qenë?
- pyeti ai dhe më cëmbidhi në krah.
- Jo.
-Do të shkosh e do të kënaqesh, - tha
Bakiri duke mbyllur njërin sy.
- Pse?
- Nuk të tregoj asgjë që të mos
e humbasësh kuriozitetin. Vetëm kur të
shkosh më merr edhe mua, - tha dhe u ngrit.
- Rri! Shpejt është.
- Po dal, Demkë.
Mbeta vetëm në tavolinë. Mendja më
shkoi përsëri te shënimet që duhet
të mbaja nga jeta e shokut Zylo. Por në
çast m'u thye zemra. Kujtova "Tartarinin
nga Taraskona" të Alfons Dodesë dhe
mendova se shënimet e mia do t'u ngjanin atyre
që ishin shkruar në atë libër
të zgjuar. "Njerëzit do të kujtojnë
se unë kam imituar "Tartarinin nga Taraskona",
- thashë me vete. Pastaj prapë u qetësova.
"Tartarini nga Taraskona" është
shkruar shumë më vonë nga "Don
Kishoti" i Servantesit dhe "Panairi i kotësive"
i Tekerit, por Dodenë nuk e akuzojnë se
ka imituar këto dy romane të famshme.
Pas këtyre mendimeve u ngrita. Kishte kaluar
mesi i ditës. Edhe gruaja duhej të ishte
kthyer nga puna, prandaj u nisa dalëngadalë
për në shtëpi.
Kur hyra në dhomë, pashë në tavolinë
një zarf, mbi të cilin ishin shkruar: "Shoqes
Zenepe".
E hapa dhe nxora që andej një letër
të trashë të lëmuar. Ishte një
ftesë.
Me ftesën në dorë hyra në kuzhinë.
Gruaja po hidhte gjellën në pjatë.
- Ftesë për në mbrëmjen solemne?
- pyeta.
- Pse çuditesh? Vetëm ti që shkruan
raporte ke të drejtë të shkosh nëpër
mbrëmje solemne? tha ajo me një buzëqeshje
dhelpërake.
- Çuditem se si nuk i erdhi një ftesë
e tillë shokut Zylo, -thashë unë...
------------------------------
Në këtë fragment shqetësimi i
shokut Zylo është më se i drejtë.
Ai në një farë mënyre, është
peng i mentalitetit të vet. Ai i ka mburrur lëvizjet
revolucionare, qarkullimin, frymën e klasës,
luftën kundër burokracisë. Tani nuk
ka kohë të kthehet prapa. E ka humbur të
drejtën morale të thotë se nuk i pëlqen,
të largohet nga Tirana. Njeriu duhet ta pranojë
qarkullimin me entuziazëm. Këtë duhet
të bëjë edhe shoku Zylo. Duke qenë
një personazh i ndërlikuar, tek i cili rëndon
standarti i dyfishtë (njëri për vete
dhe tjetri për të tjerët), shokut Zylo
nuk i mbetet gjë tjetër veçse të
shpresojë se nuk mund të jetë e vërtetë.
Atij i vjen mirë të mashtrojë dhe veten
se mungesa e ftesës është thjesht një
harresë. Por vuajtja e tij më e madhe është
çfarë do të thotë opinioni.
Shoku Zylo ka një emër në shoqëri,
por këtë emër ai e ka krijuar jo prej
ndonjë dhuntie a tradite. Emri i tij është
i lidhur me pozitën në karrierë dhe
mund të marrë fund me ndryshimin e kësaj
pozite.
Prandaj fati i tij mbetet deri në fund i papërcaktuar:
për lart apo për poshtë. Këtë
nuk di as lexuesi si ta përfytyrojë. Shkrimtari,
duke mos i dhënë zgjidhje kësaj situate,
duke mos e përcaktuar qendrimin e vet ndaj personazhit
të krijuar, shfaqet me një liri vetjake
mendimi që ishte e rrallë për kohën.
----------------------------------------------------