Faqja Kryesore  >> Folklor  >> Legjenda
 

Legjenda

   
   
   
   
   
   
 

 


 

Hyrje

Epika popullore mund të ndahet, përveç përrallave, anekdotave dhe fabulave, edhe në dy grupe të tjerë të mëdhenj:
në 1) Epikën legjendare dhe 2) Epikën historike. Në epikën legjendare hyjnë këngët e ndryshme legjendare (duke përfshire këtu edhe Ciklin e Kreshnikëve), ndërsa në epikën historike hyjnë këngët që na fiasin per ngjarje e personalitete të ndryshme të historisë sonë, duke nisur nga Skënderbeu dhe duke ardhur deni në ngjarjet më të fundit historike.

Është e udhës ndërkaq, që para se të nisim nga studimi i këngëve legjendare, të ndalemi te vetë lëgjendat.
Legjendat, ose gojëdhënat janë tregime disi të çuditshme nga të cilat ngjarjet që mund të kenë një bazë historike deformohen nga.imagjinata popullore. Ka legjenda që janë lidhur me emra vendesh, lumenjsh, bimësh etj. Ka raste, pra, që nuk kemi këngë, por tregime të thjeshta për shpjegimin e një emri apo toponimi. Legjenda të tilla, që thuhen në prozë, ka shumë në popullin tonë, megjithëse ato janë mbledhur ende pak. Këto legjenda është bërë zakon të ndahen në

1) legjenda të metamorfozës (legjenda kozmogonike, mitike) dhe në
2) legjenda historike.

Legjendat e metamorfozës na flasin për zanafillën e shumë dukurive apo objekteve të realitetit. Këto, pa dyshim, janë nga legjendat më të vjetra, dhe mjaft prej tyre, janë të lidhura me fazat, më të hershme të njerëzimit, me paganizmin e parapaganizmin. Të tilla legjenda për nga natyra e tyre të kujtojnë së tepërmi "Metamorfozat" e Ovidit. Ashtu si dhe te metamorfozat e Ovidit edhe këtu gjejmë
origjinën e ndonjë shpendi, luleje etj.
Kështu, psh, S.Dineja te "Valët e Detit jep legjendën e qyqes dhe të Gjonit. Qyqeja kishte qenë një vajzë e varfër. Vëllai i saj quhej Kuku ose Kuko. Një ditë vëllai u largua nga shtëpia e vajti në kurbet e nuk u kthye më. Motra u bë si e çmendur dhe iu lut Zotit që ta bënte zog në mënyrë që të fluturonte e të kërkonte vëllanë. Dhe Zoti e bëri zog e ajo fluturon pyll më pyll duke kërkuar të vëllanë : "Kuku!Kuku!" Kur duan ta bëjnë që të pushojë, atëhere i këndojnë qyqes këto vargje që kanë qartas trajtën e një yshtjeje : "Qyqe, qyqe, mana qyqe,/ç'e bëre zonë tët vëlla/që ta therë posi ka,/gjaknë ia pinë me lugë,/mishnë ia prenë me thikë ?" E tillë është edhe legjenda e Gjonit, po këtë radhë është një nënë e cila i lutet Zotit ta bëjë zog dhe ajo bredh duke kërkuar djalin :"Gjon! Gjon!"
Të shumta janë edhe legjendat për lulet megjithëse nuk janë mbledhur thuajse fare. Vetëm te Nikolla Lako "Legjenda lulesh të florës shqiptare "(Tiranë, 1960) gjejmë disa syresh, por mbledhësi ka qene një botanist dhe legjendat e mbledhura i ka cënuar duke vënë dorë mbi to e duke u prishur vende-vende vërtetësinë. Megjithatë ne arrijmë të marrim vesh disa legjenda, si psh legjendën e Lules Ah-Jane (Myositis silvatica Hofm) mbledhur te arvanitët e Greqisë, legjendën e Lule Frosos, (Nymphaea Alba), legjendën e Lules Sapun-Qyqe (Saponaria officinalis L.), legjendën e Lules Honinë (Convolvus sepium L.), legjendën e Lules Thundër Mushke (Tussilago Farfara L.) etj.
Legjenda e Lules Sapun Qyqe është kjo: Një nuse mbahej pis, nuk lahej dhe atëhere vjehrra e mallkon dhe ajo bëhet qyqe, ndërsa sapuni me të cilin ajo nuk lahej, u bë lule. Kurse Lulja Thundër Mushke ka këtë legjendë: Skëndërbeu ia kishte hipur një mushke të cilën e kishte stolisur me ar. Në një fard vendi, një flori këputet nga freri dhe bie në tokë. Skënderbeu nxjerr shpatën dhe do që ta ngrejë nga dheu, por mushka vë këmbën përsipër floririt dhe e fundos. Që atëhere floriri u bë një lule e verdhë. Me figurën e Skënderbeut lidhen edhe legjenda të tjera të metamorfozës, që me sa duket, kanë qënë më të vjetra dhe më pas i janë atribuar atij. Kështu për shembull legjenda e burimeve të fshatit Shkretë të Krujës e tillë duhet të jetë. Sipas legjendës që tregohet sot, Skënderbeu, në një nga manovrimet e tij, për t'i shpëtuar ndjekjes së hordhive osmane, bariste mal më mal. Kur erdhi në fushën e Shkretës, ushtria nuk dëgjoi të ecte më tutje : ishte korrik a gusht dhe ushtarëve u ishte tharë buza për një pikë ujë. Atëhere Skenderbeu hiqet
mënjanë, bie në gjunjë dhe i lutet Zotit. Kur ai ngrihet, nga vendi ku ishin mbështetur gjunjët e tij, buron ujë dhe kështu ushtria piu ujë dhe u freskua. Edhe sot e kësaj dite ato burime quhen të Skënderbeut.
Për Skënderbeun, që është pa tjetër figura me kryesore e shumë legjendave tona, tregohen shumë ndodhi që nën rrobën legjendare na flasin për shtegtimet, luftërat dhe personalitetin e tij.Para së gjithash këto legjenda historike na japin të kuptojmë se prirja e popullìt për të idealizuar udhëheqësit e vet, për t'i legjendarizuar ata, duket e qartë edhe me këtë hero. Këtë na e tregojnë shumë legjenda. Dihet psh , "Kroi i vashës" në malin e Bushkashit, i cili quhet kështu sipas gojëdhënës, mbasi Skënderbeu, i mahnitur nga bukuria e një vajze që po mbushte ujë, e ndali ushtrinë aty dhe priti deri sa vajza mbushi ujë. Në rrethin e Kurbinit mund te hasësh Kroin e Skënderbeut, Gurrën e Mamicës etj. Në Rrajcë të Elbasanit gjen "Shkambin e Skënderbeut", në Pishkash gjen "Tryezën e Skënderbeut', kurse në vise të tjera "Gjurmën e kalit të Skënderbeut". Skënderbeu shikohet si "evliha","shenjt" dhe për këtë bekimet apo mallimet e tij janë me pasoja.
Legjenda të ndryshme hasen edhe për ditët e fundit të marsit që ngrin plakat, për yllin e karvanit, për Bistricën, per vijat e malit të Shpiragut që, sipas legjendës, janë blana të plagëve që bëri në trup të këtij vigani, vigani tjetër, Tomori, kur këta të dy u ndeshën etj. Të tilla legjenda shihet qartë që kanë të bëjnë me elemente të kozmogonisë dhe nuk ka dyshirn që këto kanë qenë më të shumta, por dora-dorës janë harruar dhe nuk janë mbledhur dot.
Një mitologji e ruajtur pak a shumë mirë është ajo që haset në veri të vendit tonë dhe që del si në Ciklin e Kreshnikëve si dhe në përrallat e mbledhura sidomos në këtë zonë. Orët, shtojzavallet, zanat (Zërat e Jugut) Gërzheta etj, janë pa dyshim mbetje të një mitologjie të lashtë e pagane. Disa prej tyre janë personazhe të përcaktuara mirë dhe me një karakter original që nuk ngatërrohet me karakteret e të tjerëve.
Te arbëreshët e Italisë hasim legjendën e së Bijës së Diellit, të Bijës së Hënës etj, ashtu si gjejmë praktikën legjendare për t'i përfunduar shpesh heronjtë e vdekur apo të vrarë të legjendave si bimë që mbijnë në varr të tyre (apo dhe si trupa të vdekurish që metamorfozohen në bimë). Kështu, kënga e famshme "Shumë u desh trimi me vashën", përfundon :"Trimi bëhet qiparis/vasha një hardhi". Po qiparis e hardhi bëhen edhe te këngët "Kur leve, leve ti vashë", "Valla e Engjëlinës" të mbledhura nga De Rada.

Këngë Legjendare

Hyrje
Këngë Legjendare Historike
Këngë të Rinjohjes
Legjenda
Gjergj Elez Alia
Rozafati
Besa e Kostandinit
Ymer Agë Ulqini
E Bija e Hënës dhe e Diellit


 

 

PĖRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003