Këngët legjendare të
metamorfozës janë patjetër më
të hershme. Ato na flasin për një botëkuptim
tepër primitiv të lidhur kryesisht me animizmin,
me shpjegimin antropomorfik të dukurive të
natyrës, me idenë e metamorfozës së
dukurive dhe të objekteve etj. E tillë është,
për shembull, kënga legjendare "Djali
gjarpër" mbledhur ne Bregun e Matës.
Në këtë këngë të bukur
e të rrallë legjendare tregohet për
një grua që pas nëntë vjet martese,
lind një fëmijë gjarpër. Kur rritet,
djali gjarpër kërkon të martohet me
të bijën e mbretit. Pas martesës, e
ëma habitet se si nusja është e kënaqur
me një gjarpër që, siç thotë
ajo, "e kam mnerë un çi e kam djalë"!
Nusja i tregon se naten ai e hiqte këmishën
e gjarprit dhe paraqitej si një djalë i
pashëm. Nëna përgjon një natë
dhe ia djeg këmishën. Djali vdes: "Shpirtin,
nanë, mua ma ke marrë!/Kmishën n'zjarm
ç'ma ke djegë ?/Edhe gjasht vjet nanë
ti me pa pritë, /un vetë kmishën nanë
e kisha hjekë". Kuptimi i legjendës
në vështrim të parë të duket
se kemi të bëjmë me konfliktin që
has lindja e një familjeje të re në
gjirin e një familjeje tjetër dhe kështu,
për nusen djali është një dhëndër
i bukur, i mirë, kurse për nënën
një -gjarpër! Po kënga legjendare me
sa duket ka edhe elemente të tjera që duhen
interpretuar: 6 vjetet (shumëfish i numrit fatidik
3) martesa, florinjtë etj.
Për përpjekjet për konsolidimin e familjes
se re, na flet edhe kënga legjendare arbëreshe
"Parasten kontesha Kontë" (I thotë
Kontesha Kontit). Konti nuk i bindet këshillës
së nënës Konteshë që të
mos gjuajë në malin e Kuçedres, mbasi
mund ta pësonte, por, i nxitur nga nusja, ai
shkon pikërisht në malin e Kuçedrës
për të gjuajtur.
Doemos Kuçedra e zë dhe kërkon ta
hajë, por Konti i lutet që ta lërë
sa të shkojë te e ëma t'i kërkojë
uratën. Dhe kështu ndodh vërtet, por
nusja i del në krah dhe i thotë se do të
shkonte edhe ajo bashkë me të te Kuçedra!
Dhe nusja trime e lidh Kuçedrën që
mahnitet nga forca e saj dhe i thotë: Çë
gjëri më je ti vajzë ? "Jam e
bija e hënës, /kam për babë diellin,
/vetë jam vetim' e qiejve, /që bie maleve,
/maleve e fushave/mbi kreninë e ligësinë".
Në këto ujëra noton edhe kënga
legjendare mbledhur në Bregun e Matës "Ashike
Imeri dhe Begzadja e Bardhë", që është
nga krijimet më të bukura të folklorit
tonë. Imeri e Begzadja i japin fjalën njeri-tjetrit,
por nëna e Imerit që nuk e do Begzaden për
nuse, e marton të birin me një tjetër.
Natën e gjerdekut, Imeri nuk duron dhe vret veten.
Begzadja merr vesh ç'ka ndodhur dhe vendos
të vdesë pranë të dashurit. Nga
marazi vdes edhe plaka. Krushqit i shtien në
tri varre, pranë njeri-tjetrit (numri 3!). "Ku
kish pasë Ashiku kryet,/bash te vorri ni dardhë
i ka bi;/ku kish pasë njajo plaka kryet, /i ferr'e
egër aty kite pa'dalë; /ku kish pasë
Begzadja kryet/aty bike ni moll' e bukur".
Triumfi i dashurisë, vlerësimi i saj i lartë
në krijimin e një familjeje ështe i
qartë në vargjet e kësaj kënge
legjendare.
Siç mund të vihet re edhe nga shembujt
që sollëm, ndikimi turk bie në sy edhe
në këngët tona legjendare, në
mos tjetër në ndërrimin e emrave të
personazheve, gjë që do ta shohim edhe me
poshtë. Mbishtresa islamike në këngët
tona legjendare është doemos e vonë
dhe ndikimi i saj ndërlikon sadopak kërkimet
e studiuesve. Sidoqoftë këngët tona
legjendare janë krijuar o në lashtësinë
e thellë, o në periudhën e sundimit
të krishtërimit në trevat e Ballkanit.
Islamizmi, që dëmtoi së tepërmi
identitetin si të folklorit ashtu dhe të
krejt mënyrës sonë të jetuari,
sidomos në zonat fushore dhe në qytete,
preku në anën e jashtme pasurinë e
kulturës sonë, mbase edhe e zhduku (siç
ndodhi me shumë këngë të Skënderbeut),
por nuk krijoi këngë të reja legjendare,
ato janë të gjitha, me sa duket, para robërisë
turke.