YMER AGË Ulqini ishte djalë
në lule të moshës. Të sotmen u
martua të nesërmen i erdhi kartë nga
mbreti: "Ti Ymer agë Ulqini të nisesh
e të shkosh në luftë se po na sulmon
armiku ... "Kjo kartë ishte e zezë,
e hidhur se ndante trimin nga vasha. Po Ymer Aga ishte
ushtar nuk e bëntë fjalën dysh. U ngrit,
shaloi balashin, ngjeshi armët, shkoi u la shëndenë
miqve, shokëve, nënës e atit, pastaj
vajti e ia tha vashës: Moj vasha ime, mua më
dërgon mbreti fjalë të shkoj në
luftë e duhet të nisem.
- Merrmë dhe mua me ty Ymer Agë -, i thotë
vasha.
- Jo vashë nuk të marr dot, se atje i thonë
luftë e lufta është për burrat.
Unë dua të më japësh besën
se nuk do të martohesh e do më presësh
derisa të kthehem.
Më thuaj sa do të më presësh ti
mua moj vasha ime ?
- Do të të pres nëntë ditë
- Nëntë ditë janë pak moj vashë,
udha ime është e gjatë dhe lufta është
e gjatë, se kjo luftë bëhet në
dhe të largët. Në më do siç
të dua të më presësh nëntë
vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë
të nëntë vjetët e të nëntë
ditët e unë të mos kthehem ti vashë
martohu e trashëgohu se kështu qënka
thënë, atëherë unë s'do të
jem gjallë.
Vasha psherëtiu
- Mirë Ymer Agë do të të pres
nëtë vjet e nëntë ditë.
Kështu e lidhën fjalën ata të
dy. Ai të shkojë në luftë, ajo
të presë nëntë vjet e nëntë
ditë. Ymer Aga i la shëndenë vashës,
i hipi balashit e shkoi me zemër të ngrohtë
në luftë. Kali ikte e linte prapa një
re pluhuri që ngrihej në udhë. Kalorësi
nxitonte të arrinte sa më shpejt në
luftë. Trim ishte Ymer Agë Ulqini por armiku
ishte i madh e i shumtë. Që në përpjekjen
e parë të tij iu turrën mizëri
kalorësish
të veshur me hekur. E qarkuan dhe e qëlluan
me shpatë, Ymer Aga luftoi si burrë, shtriu
përdhe shumë burra, plagosi shumë të
tjerë po në luftë e sipër i vranë
balashin. Sa ia vranë balashin Ymer Aga luftoi
në këmbë gjersa iu thye shpata. E zunë
rob e hodhën në burg brenda në kështjellë.
Qarkuan nga të katër anët me gurë
mure të lartë dhe e mbajtën derë
për nder se kishte qënë trim dhe trimi
nderohet kudo. Aty në dhe të huaj në
burg shkojnë ditët e bëhen javë,
shkojnë javët e bëhen muaj, shkojnë
muajt e bëhen vjetë. Një dy, tre, më
shumë...
Mirëpo Ymer Agë Ulqini e ka zemrën
të ngrohtë sepse vasha i ka dhënë
fjalën ta presë në shtëpi nëntë
vjet e nëntë ditë. Ai ha bukë,
pi verë, qesh, ju jep zemër shokëve
i bie ciftelisë. Dëgjon bija e mbretit të
huaj e çuditet.
C'është ky njeri - thotë - që
s'tutet se është burg brenda në burgun
e kështjellës.
- Eshtë Ymer Agë Ulqini - i thonë.
- Të fortë e paska zemrën.
- Të fortë e të ngrohtë se është
shqiptar, me fjalën e tij e me këngën
e tij i forcon e i ngroh edhe të tjerët,
shokët. Po në të vërtetë
Ymer Aga e ka zemrën të ngrohtë e syrin
zjarr. Pret që mbreti i tij të dërgojë
shpërlblesë, ose shkëmbesë që
ta lirojë. "Domosdo" - thotë Ymer
Aga - "mbreti do të dërgojë të
më lirojë se unë kam luftuar kaq vjet
për të. Ia kam dëgjuar gjithnjë
fjalën, ku më ka dërguar kam vajtur,
ku ka dashur kam luftuar..."
Po Ymer Aga nuk di se mbretërit i harrojnë
njerëzit që u kanë bërë shërbime.
Edhe mbreti i tij e ka harruar fare. Atij si bëhet
vonë se ka e s'ka Ymer Aga në këtë
botë. Se Ymer Agën e pret vasha në
shtëpi, se Ymer Aga kalbet në burg. Mbreti
bën kokrrën e qejfit në sarajet mëdha
buzë detit, ha e pi e ndërron gratë,
dërgon të tjerë në luftë
që të vriten e të bien rob. Hajde,
hajde na shkojnë të nëntë vjetët.
Afrohet dita e zezë. Pas nëntë ditësh
do të martohet vasha e Ymer Agës, siç
e kishin lidhur fjalën bashkë. Atëherë
Ymer Agës i ftohet zemra, i shuhet syri, nuk
ha më bukë, nuk pi më verë, nuk
i bie ciftelisë . Cuditen gjithë shokët
e pyesin çka e pse rri i mekur . Ai nuk përgjigjet
, qëndron në heshtje kokëvarur i pikëlluar.
E bija e mbretit që s'ia dëgjon më
këngën pyet njerëzit:
- C'ka Ymer Aga që s'po i ndihet zëri ?
Ymer Aga i thonë - ka ditë që s'po
ha e s'po pi, s'po vë gjumë në sy e
s'po i bie ciftelisë.
- Ma thërrisni këtu Ymer Agën!
I vete Ymer Aga së bijës së mbretit.
- C'ke ti Ymer agë ? - e pyet e bija e mbretit
. Pse s'ha bukë e pse s'pi verë, pse si
bie ciftelisë.
Ymer Aga pëshon e ia kthen:
- Nuk ha dot e nuk pi dot, moj bijë e mbretit,
as ciftelisë nuk i bie dot. Kam parë një
ëndërr të keqe.
- C'ëndër ke parë Ymer Agë?
- Kam parë shtëpinë të nxirë
e të shembur, babanë të vdekur e të
harruar, nënën gjallë por të verbuar.
Edhe kam parë se vasha ime po martohet. Unë
veç një natë kam ndenjur martuar
me vashën time, të nesërmen më
erdhi kartë të nisem për luftë.
U nisa, luftova e rashë rob. Ne kemi bërë
me besa besë që vasha të më presë
nëntë vjet e nëntë ditë.
Si të shkojnë nëntë vjetët
e nëntë ditët ajo të martohet
e trashëgohet. Të nëntë vjetët
shkuan, tani po shkojnë dhe të nëntë
vitet. Të falem moj bijë e mbretit, a nuk
i thua babait të më lëshojë për
ca ditë, të shkoj në shtëpi sa
të flas me vashën e pastaj të khehem
prapë në burg.
- I them Ymer Agë por im atë, mbreti, kërkon
nëntë qese aspra që të lëshojë.
- E ku ti gjej unë këto nëntë
qese moj bijë e mbretit.
Unë kam nëntë vjet që jam rob
i zënë ...
- C'më lë ti peng mua o Ymer Agë që
të të lë të shkosh ?
- Të le besën time o bijë e mbretit
.
E bija e mbretit e di se Ymer Aga është
shqiptar dhe se shqiptari vdes dhe nuk e shkel besën.
i Thotë:
- Ngrihu Ymer Agë, shalo kalë dorinë
e për tri ditë arri në Ulqin.
Shokët e Ymer Agës fillojnë e qajnë:
- Mjerë ne Ymer Agë po shkon e na le vetëm!
Ymer Aga kthehet e u thotë:
- C'keni o shokë që po qani? Në qofsha
gjallë do kthehem prapë. Këtu një
orë e më parë do presim bashkë
si ta kemi të thënë. Të mirëmbetshi.
- Udhë e mbarë Ymer Agë, dalsh faqebardhë!
Shalon ai shpejt kalë dorinë, i hip e merr
vrapin drejt për në Ulqin. Kali ikën
si shigjetë , lë pas një
vrazhdë pluhuri që ngrihet lart. Mbetën
prapa male e fusha, dalin përpara male të
tjera, fusha të tjera.
Vrapo dori që të arrijmë të bukurën
përpara se të martohet. Ik e ik e ditë
e natë me shkumë të kuqe në gojë
... Doriu është i këputur, Ymer Aga
është i drobitur. Veshët i buçasin
por të dy shkojnë e
shkojnë ... Për tri ditë e tri net
shkojnë në vend. E ja tek zbardh Ulqini
i bukur shqiptar, buzë detit
tonë ...
- Ah, Ulqin, Ulqin tërë jetën të
kam pasur në zemër. Nëntë vjet
të kam parë natë përnatë
në ëndërr. Nëntë vjet kam
dashur që të puth dheun. Valët thyhen
njëra pas tjetrës në breg. Era fryn
e fortë. Përsipër fluturojnë pulëbardhat...
Ja tek nxin shtëpia e Ymer Agës. Ai shikon
si nëpër gjumë. Jam a s'jam këtu,
i është tharë gjuha për një
pikë ujë. Qëndron në një
krua që të lahet e të pijë, aty
gjen të ëmën plakë. Ai e njeh
ajo se njeh.
- Mirë se të gjej o e mira nënë!
- Mirë se vjen o rob i zënë!
- Ku më di ti se jam rob i zënë?!
- Nga flokët e gjata që të varen supeve.
Nga na vjen ti o rob i zënë?
- Vij nga ajo e zeza Spanjë!
- A mos e ke parë Ymer Agën tim? A mos ke
dëgjuar ndonjë fjalë për të?
E kam parë sot e tri javë moj e mira nënë.
Ymer Aga u vra, vetë e lava, vetë e qava
e të shtatëzën ia ndava. Plaka nis
vajin e vajton, Ymer Aga e bën zemrën gur
e nuk i rrëfen të vërtetën. i
thotë:
- C'jan ata njerëz që nxijnë tej moj
e mira nënë? C'janë këta topa
që po bien kodrave?
- Janë krushqit e atij qenit Veli Pashës
që kanë marrë nusen e po shpien në
shtëpi. Topat që bien janë topat e
dasmës.
- C'nuse kanë marrë moj e mira nënë?
- Nusen e tim biri , të Ymer Agës ...
Ymer Aga i bie kalit e u del krushqve përpara.
- Mirë se ju gjej o krushq dasmorë
- Mirë se vjen , o rob i zënë. Nga
na vjen ti , o rob i zënë?
- Nga ajo e zeza Spanjë
- A mos e ke parë Ymer Agën apo mos ke dëgjuar
ndonjë fjalë për të?
- Kam tri javë që e kam parë. Ymer
Aga u vra. Vetë e lava e vetë e qava e të
shtazan ia ndava.
Krushqit gëzohen, qeshin; nusja qan nën
duvak ...
Ymer Aga hidhet e thotë:
O krush o dasmorë! Ymer Aga më ka lënë
një amanet: t'i them nja dy fjalë kësaj
vashe.
- Thuj tri e sa të dush, o rob i zënë
Ymer Aga i afrohet koçisë dhe pyet nusen:
- A e njeh Ymer Agën, moj vashë?
- Si ta njoh e mjera unë e mjera nje natë
të fjetur, nëntë vjet pa pjekur ..
Ajo e zeza nënë me pat thënë se
ka një shenjë në llërën e
djathtë, që ia ka kafshuar kali Ymer Aga
përvesh llërën e djathtë e i tregon
shenjën. Nusja e njeh, gëzohet. I zbret
koçisë, hedh mbi krye duvakun e nusërisë
e u thotë krushqeve:
- udhë e mbarë, o krush bujarë, se
unë po marr burrin e parë! Ky është
Ymer Aga im. Burrë e kisha e burrë e kam
për jetë e mot!
Ymer Aga e hedh në vithe të doriut edhe
shkon drejt në shtëpi. Kthehet pastaj edhe
sjell nënën.
Të nesërmen i hip prapë doriut edhe
merr udhën e Spanjës. "Ti, dori, të
më zbardhesh faqen, se i kam dhënë
fjalën bijës së mbretit! "Ulqini
i bukur shqiptar mbetet persëri prapa. Kali vrapon
ditë e natë...
Po ç'na ndodh andej, në atë të
zëzë Spanjë? Mbreti se dëgjon
e se sheh Ymer Agën. Pyet e i thonë se Ymer
Agën e ka lëshuar e bija që të
kthehet në vendin e vet. Ai thërret sakaq
të bijën e i shfyen:
- ç'u bë Ymer Aga robi ?
- E lëshova unë o im atë, që të
takohet me vashën e tij se do t'ia merrte dikush
tjetër. Më dha besën: për tri
ditë vjen prapë. Sot mbarojnë të
tri ditët e do të kthehet. mbreti zemërohet.
- Jo të gënjeu nuk do të kthehet!
Jep urdhër t'i presin kokën së bijës
në krye të shkallëve.
Prit o im atë, gjersa të ngryset, se Ymer
Aga do të kthehet medeomos. Ai se shkel besën
- Jo, kush shkon nuk vjen prapë. Është
si zogu i kuvlisë: posa ia hape, iku...
Do të kthehet se me ka dhënë besën.
- Besa është një fjalë, dhe fjalën
e merr era. Atë e shkelin dhe mretërit.
- Mbretërit e shkelin, Ymer Agë shqiptari
nuk e shkel, o im atë... Në atë çast
dukej tej një kalorës që vjen vrapë,
duke lënë mbrapa një fashë pluhuri.
Sa të mbyllesh e të hapësh sytë,
kalorësi hyn në portë të kështjellës.
I zbret kalit të shkumëzuar dhe i falet
së bijës së mbretit:
- Rrofsh e qofsh, moj bij' e mbretit! e mbajta besën.
Unë vajta e u ktheva. Rob isha, rob jam prapë.
Mbreti e shikon i çuditur nga kryet e shkallëve
e thotë
- Ymer Ago shqiptar , ti paske qënë me të
vertetë burrë i besës! Të lumtë!
pastaj kthehet e u jep urdhër rojeve:
Ymer Agën ta lironi të shkojë ku të
dojë. Burrë qënka e burrë qoftë!
Lëshoni dhe të nëntë shokët
që ka.