Këngët legjendare të
vëllavrasjes janë mbledhur në zonat
veriore të vendit tonë. Në variantet
që njohim (Met ni nanë me di jetima dhe
Rriti nana dy jetima të KPL, f.70 e 72 si dhe
Dy vllazent te VK II f.246). Arketipi strukturor i
këngës legjendare është ky: një
nënë ka dy jetimë; një ditë
e pyesin jetimët se ç'zanat ka pasur i
ati; mësojnë se ka qenë gjahtar. Ata
kërkojnë që të shkojnë për
gjah, por e ema kërkon t'i ndalojë. Ata
nuk e dëgjojnë. Në pyll takojnë
një vajzë të bukur dhe zihen se kush
ta marrë. Njëri mbetet i vrarë. Tjetri
pendohet: "Atherë djali asht penue/lott
për faqe na i kanë shkue,/hoqi thikën
veten coptue./Iu ka hudhë gruja e i ka vajtue:
/S'kam qenë nuse me u martue, /kam qenë
zana me u zanue,/e ni pikë me pikoftë mue!"
Siç vihet re fundi është tragjik.
Duke analizzar këtë këngë legjendare
Q.Haxhihasani bën disa konsiderata interesante
(KLP, f.69): "Rreth origjinës së kësaj
legjende mund të ngrihen hipoteza të ndryshme.
Nga vargjet e fundit ne kuptojmë se vëllavrasjen
e shkakton një qënie mitologjike, zana,
e cila u shtihet vëllezërve si një
nuse e bukur. A mos vallë kënga me grindjen
që u hyn vëllezërve nga një grua
dhe me përfundimet fatale që rrjedhin prej
saj, kërkon të mbajë në këmbë
lidhjet tradicionale të gjakut -dashurinë
vëllazërore- mbi lidhjet e dashurinë
e gruas? Apo është një zë i ngritur
kundër xhelozisë, pasi në shumë
variante vëllai i madh e vret të voglin
pse gruaja e paraqit më të hijshëm
e më të zotin?
Në vargjet e fillimit ne gjejmë edhe një
motiv tjetër që luan një rol me rëndësi
në zhvillimin e subjektit të legjendës.
Kur e pyesin djemtë nënën se ç'mjeshtërí
duhet të ndjekin, ajo, me përjashtim të
gjahut, u lejon çdo lloj zanati. Ky qëndrim
i saj mund të shpjegohet me botëkuptimin
e malësorit tonë, me besimin e tij mbi qëniet
mitologjike: orë, zana etj. që jetojnë
nëpër bjeshkë. Të shkosh për
gjah do të thotë të endesh nëpër
këto vise, të prishësh qetësinë
e zanave e orëve me pushkë e britma dhe
të shkaktosh kështu zemërimin, mërinë
"shitimin a ngafisjef" e tyre.
Edhe një hipotezë e tretë mund të
ngrihet në lidhje me lindjen e kësaj legjende.
A mos kemi këtu reminishenca të braktisjes
së një mjeshtërie që ka qënë
dikur mjeshtëria karakteristike e një fisi?
Braktisja e një mënyre jetese tradizionale
nuk mund të ngjante pa kundërshtime; prandaj
ajo duhej ndihmuar edhe me krijime poetike të
tilla me përfundime tragjike si ato që paraqiten
në këngë. Këtë ide e përforcon
edhe fakti që legjenda e vëllavrasjes e
ka vatrën e saj në Mirditë. Sipas një
tregimi popullor, banorët e parë të
kësaj krahine kanë qenë gjahtarë.
Njihen edhe variante të tjera të kësaj
teme. Në njerin prej tyre, njeri vëlla është
larguar që në vogëli nga shtëpia
dhe vritet nga vëllai tjetër që nuk
e njeh pikërisht kur kthehet në vendin e
tij plot me dhurata për të vëllanë
që e vret. Në një variant tjetër
(në krahinën e Krajës), motra vret
në malin Hajdut të shtatë vëllezërit
e saj që përpiqen ta rrëmbejnë.