Faqja Kryesore  >> Folklor  >> Legjenda
 

Legjenda

   
   
   
   
   
   
 

 


 

Këngë Legjendare të Vëllait të Vogël

Kënga legjendare e vëllait të vogël. Kjo këngë legjendare, në variante dhe në subjekte herë herë edhe me ndryshime të qenësishme, është e përhapur praktikisht në tërë Evropën. Pikërisht duke u frymëzuar nga një këngë e tillë legjendare, poeti gjeman Gotfrid August Byrger, botoi me 1773 balladën e njohur "Lenorë". Megjithatë duhet thënë që në krye se te balada "Lenorë" nuk kemi një vëlla që sjell në shtëpi motrën e martuar diku larg, por dy dashnorë. Dy të rinj dashurohen dhe vendosin të martohen. Befas, djali vritet në luftë. Vajza shkon e pikëlluar deri te varri i të dashurit. Ky ngrihet në mesnatë dhe nën dritën e hënës kërkon të fejuarën për të ardhur në dasmë dhe nis kësisoj udhëtimi natën, me pyetje e përgjigje deri te varri i djalit. Aty vajza ose vdes, ose shpëton nga kënga e gjelit të mëngjesit.
Kurse subjekti i këngës legjendare të vëllait të vogël që haset përgjithësisht në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri është disi tjetër. Tipi i Lenorës, që gjendet në gjithë Evropën, është i përhapur edhe në Rumani, Hungan', Serbi dhe Kroaci pra në pjesën veriore të Ballkanit ndërsa tipi i mirëfilltë i ballkanit haset në Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Bullgari, Serbi, Kroaci, Rumani dhe te aromunët. Siç ve re Q. Haxhihasani (Këngë popullore legjendare, Tiranë 1955, f20), në folklorin tonë ka katër variante kryesore:
1) varianti arbëresh që botohet nga Stafa, De Rada, Kamarda etj. me heronj Kostandinin e Garentinën (Garentinë quhet në Kalabri, ndërsa në Siçili, Doruntinë);

2) varìanti i Jugut me personazhe gjithashtu të krishterë;
3) varianti i Shqipërisë së Mesme që përhapet edhe në krahun verilindor me veshje të islamizuar dhe, së fundi,
4) varianti i Malësisë së Veriut, me këngën e bukur të Halil Garrisë, që këndohet në frymën karakteristike te rapsodive.
"Nga këto variante, kënga arbëreshe, vazhdon Haxhihasani, paraqet njomështi dhe elegancë. Ngjarjet aty tregohen me një gjuhë të thjeshtë, po plot skena e dialog të gjallë. Dallëndyshja proksenike (lajmëse për krushqit), skena e vajtimit të nënës mbi varrin e djalit të vdekur, udhëtimi e takimi i Kostandinit me fëmijët e motrës, që bredhin pas dallëndysheve dhe me gratë që hedhin valle nëpër katund, bisedat e përmallshme motër e vëlla dhe nënë e bijë, janë disa nga elementet karakteristikë të këtij varianti. Varianti i Veriut pasqyron psikologjinë dhe botëkuptimin e malësorit tonë. Halil Garria del nga katundi i tij për të zënë miq e probatina; ai i jep fjalën një miku të largët për ta martuar të motrën me të dhe s'luan më prej kësaj fjale; gruaja e martuar, kur i vjen vëllai për ta marrë, nuk mund të largohet nga shtëpia, pa lejen e të shoqit. Ngjarjet tregohen këtu me gjatësinë e hollësitë e zakonshme të këngëve epike të Veriut, megjíthatë nuk mungojnë në ketë variante edhe skena konçize e dramatike".
Kënga në Ballkan ka dy tipa: në njërin prej tyre, i vdekuri ngrihet nga varri nga lotët e nënës, ndërsa në tipin e dytë, ai ngrihet nga varri nga lotët e së motrës. Rumunët, maqedonët, aromunët dhe grekët kanë vetëm tipin e parë, ndërsa kroatët vetëm tipin e dytë, kurse shqiptarët dhe bullgarët i kanë të dy tipat.
Shumë është shkruar e vazhdon të shkruhet për këtë këngë legjendare (në bazë të saj I.Kadareja ka krijuar një nga veprat e tij më të spikatura në prozë, siç është "Kush e solli Doruntinën"); kanë shkruar C.Fauriel (Chants populaires de la Grèce moderne, Paris, 1825, f.45), D. D'Istria që e përktheu frëngjisht dhe e botoi në "Shqiptarët e të dy brigjeve të Adriatikut dhe kombësia shqiptare sipas këngëve popullore" (Revue des deux mondes, 1866, 15 maj f.407-409), G.Morici (La cavalcata nottuma dello spettro, "L'Europa Orientale", III-IV, Roma, 1937, f.151) A. Shmaus (Syzhet ballkanik në epikën popullore arbëreshe, "Gjurmime albanologjike", Prishtinë, 1,1968, f.9), S.Fetiu (Besa në baladat shqiptare, Trashëgimnia dhe transformimi i kulturës popullore, Prishtinë 1983, f.41), D.Shishmakov (Presenta za mërtvija brat vë poeziata na ballkanskite narodi, Sbornik za narodni umotvorenija, nauka i kniznina, knj.XIII, 1896 f.474 tj.), Q.Haxhihasani (vepër e cituar), I.Kadare (Autobiografi e popullit në vargje Tiranë, 1980), F.Arapi (Shënime rreth. këngës së "motrës dhe vëllait të vdekur" në traditën popuftore shqiptare, në librin "Këngë të moçme shqiptare", Tiranë, 1986 f 5-11 1) etj. Shumë studiues shqiptarë janë përpjekur të tregojnë zanafillën shqiptare të kësaj kënge legjendare dhe sjellin argumente si nga subjekti, si nga zakonet e paraqitura në të (sidomos besën e dhënë nga vëllai i vogël), si dhe nga fakti që në vendin tonë kjo këngë eksiston në të giitha variantet e të gjithë tipat. Nga ana tjetër, fakti që kjo këngë haset edhe te arbëreshët e Italisë, dëshmon se ata e morën me vete kur u larguan nga Shqipëria dhe kjo flet për vjetërsinë e saj. Ka shumë nga argumentet që sjell si Kadare ashtu dhe Arapi që mund të quhen (dhe janë) të bazuara. Megjithate ende nuk është thënë fjala e fundit për një gjë te tillë.
Është me vend, ndërkaq, që të ndalemi në një problem tjetër. Të vjen çudi se si pjesa me e madhe e studiuesve, nuk kanë vënë re ose dhe nëse e kanë vënë re i kanë shkuar përsipër, faktit që në këtë këngë legjendare kemi luftën që i bëhet martesës ekzogamike. Kjo lloj martese, që u ishte kundërvënë martesave brenda fisit (martesat èndogamike), te cilat ishin të papranueshme sidomos kur rrezíkohej, bashkimi midis njerëzish me lidhje gjaku (martesat me fëlligështi gjaku), po bëhej në fakt shkak i shpëmdaijes së familjes, së prishjes së saj. Kjo jo vetëm nga ana ekonomike (mbasi motra e martuar larg merrte me vete edhe pjesë të pasurisë si prikë), por edhe nga ana e fizionomisë dhe soliditetit të brendshëm të kësaj qelize kryesore të shoqërisë, siç është familja. Për të luftuar martesën ekzogamike, lindi kënga legjendare e vëllait të vogël e cila kanoste me shkatërrim të plotë atë familje që e praktikonte. Kënga mësonte se mbi këtë familje binte mallkimi dhe atëhere ajo do të shkatërrohej e gjitha, ashtu siç ndodhi me familjen e Kostandinit dhe të Doruntinës. Paralajmërime te tilla për mallkime e për shfarosje, koha e vjetër dhe mesjeta i kishte të shumta. Kështu, p.sh, kanosej të mallkohej dhe atëherë të shfarosej (me anë epidemish apo katastrofash natyrore apo dhe luftrash) ai popull që do te ngrinte dorën kundër mbretit, mbasi sipas besimit mesjetar, mbreti ishte i shenjtë, ishte bir perëndie. (Pikërisht për të hedhur poshtë frikën e një besimi të tillë Shekspiri shkroi "Rikardin II"). Kështu shfaroset edhe familja në këtë këngë legjendare: nëntë djem vriten në luftë (Erth një vit keq i rëndë/ e i korri asaj zonje/ nëntë bijt te një shesh lufte"(arb.), helmohen nga një stihi, përbindësh (Vajza e mora nj'ok mish/ dhe e hodha në kusi ... / Të më çpiket një stihi, /me vrap m'u hodh në kusi,/më helmoi djemt e mi,/ nëntë djem e nëntë nuse,/të nënta me djem në duar./Nënte djepe ç'm'i përmbyse,/nëntë pajë ç'm'i zhurite,/nënte dyfeke ç'm'i shite!(Zagori), ose u bie sëmundja e murtajës (E mortajën Zoti va ka çue/ e nan vllaznit i ka farue (Has). Po si dënim u vjen sëmundja edhe tek kënga e famshme e Halil Garrisë: "Hakibet Zotynë e ka bà/N'ditt t'shtatë ditëve murtaja u ka ra, /t'shtatë murtaja na i ka mytë,/për sevap n'dhe na'i kanë shti, qyqe nanën e kanë lanë në shpi". Por as nëna dhe as vajza e martuar larg nuk shpëtojnë, mallkimi plotësohet mizorisht deri në fund: te varianti arbëresh, kënga përfundon -"E mba jëma tek e bila,/mba e bila tek e jëma,/vëdinë jëma ej e bila!"; te varianti i Zagorisë -"Një në prak e një në derë,/plasnë si qelqe me verë!"- në Has -"Edhe n'grikë nana e ka marrë, /e shehit Zoti i ka lanë!'; kurse te Halil Garria -"Nan' e bi nër vorre shkojnë,/vorr në vorr, vajin e kanë marrë,/majë vorrit t'Halilit t'dyja kanë plasë!"
Duket qartë se tema e besës është një shtresë më e vonë, më e re, një theksim i mëtejshëm i diktuar nga fakti që mallkimi i legjendës nuk e kishte më atë forcë të mëparshme, mbasi problemi i martesave larg e më larg ishte në zhdukje e sipër neë mos ishte zhdukur dhe atëhere ngritja nga varri përputhej fare bukur me zakonin e besës që, siç thuhet, e bën shqiptarin të ngrihet edhe nga varri.

Këngë Legjendare

Hyrje
Këngë Legjendare Historike
Këngë të Rinjohjes
Legjenda
Gjergj Elez Alia
Rozafati
Besa e Kostandinit
Ymer Agë Ulqini
E Bija e Hënës dhe e Diellit


 

 

PĖRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003