Këngët legjendare të
murosjes janë të përhapura në
tërë Shqipërinë, por ato hasen
edhe jashtë kufijve të atdheut tonë,
në të gjithë Ballkanin. Për këngën
legjendare të murimit, Jakob Grimm ka shkruar
se ajo "është një nga këngët
më tronditëse të të gjithë
popujve dhe të të gjitha kohëve".
Për këtë këngë ashtu si dhe
për këngët e tjera legjendare, disa
prej të cilave i gjejmë të përhapura
në tërë Evropën, kanë pretenduar
dhe vazhdojnë ende të pretendojnë autorësinë
shumë vende. Por me të drejtë studjuesi
rumun I.Talos në Cahiers Roumains Nr.3, 1975,
f40, shkruan:
"... Kënga epike që ka lindur nga kjo
nënshtresë universale, nuk njihet veçse
nga grekët, shqiptarët, serbokroatët,
bullgarët, rumunët dhe hungarezët".
Në bazë të kësaj kënge qëndron
zakoni i flijimit të një njeriu në
themel të ndërtimeve që, në këngët
legjendare, është më së shumti
një kështjellë, një urë,
një kishë apo manastir. Ajo që flijohej
ishte një grua, si simbol i jetës, i pjellshmërisë,
pra bartëse e forcës së jetës.
Njeriu primitiv mendonte se duke sakrifikuar jetën
e një njeriu, ajo jetë që i merrej
atij kalonte në qëndrueshmërinë
e godinës. Me kohë ky zakon erdhi duke u
dobësuar dhe atëhere vendin e njeriut e
zuri kafsha (dash, qingj apo shpend) ose dhe përfytyrimi
nëpërmjet një busti, gjë që
vërtetohet edhe me bustin prej druri të
gjetur në këmbët e urës së
Goricës në Berat ose një fill spangoje
në gjatësìnë e trupit të
një njeriu vendosur në themele. Ky zakon
haset që në kohë shumë të
vjetra. Atë e gjejmë në Bibël,
në legjendën iraniane të themelimit
të Jerikos, në shumë popui të
Indisë, Affikës etj. Në vendin tonë
legjenda është e përhapur kudo dhe
ka si objekt ndërtime të ndryshme. Në
zonat e Shkodrës, Dukagjinit, Pukës, Mirditës,
Krujës, Durrësit dhe Elbasanit legjenda
është për murimin në themelet
e një kalaje (kalaja e Shkodrës, Drishtit,
Elbasanit, Turrës); në lindje të vendit
(Dibër e Kosovë) ashtu dhe në krejt
Jugun, legjenda këndohet për ndërtimin
e një ure (ura e Fshajt, Skiles, Qystendilit,
Nartës etj); kurse në Pogradec (Lin) këndohet
për ndërtimin e një kishe; në
Dardhë dhe në fshatin Sinicë (Korçë),
këndohet edhe për kala edhe për ura.
Të njëjtën shtrirje kanë këto
motive edhe në Ballkan: në veriperëndim,
në Jugosllavi gjejmë motivin e kalasë
(zakonisht kalaja e Shkodrës); në jug, Greqi,
Maqedoni e Bullgari gjejmë motivin e urës
(ura e Artës, Strumës), kurse te rumunët
gjejmë motivin e manastirit (manastiri i Argëshit).
Struktura e zakonshme e kësaj kënge legjendare
është pak a shumë kjo: tre vëllezër
ustallarë (ka variante ku ustallarët janë
edhe më shumë, por kurdoherë kryemjeshtrit
janë tre), ditën ndërtojnë e natën
ajo që ndërtojnë shembet. Atëhere
dikush i këshillon apo i mëson, sipas varianteve
është një plak, janë zogjt e qiellit
apo ndonjë shenjt (sidoqoftë është
kurdoherë diçka që përfaqëson
traditën, porosinë qiellore për zakonin
e murosjes) dhe atëhere të tre vëllezërit
vendosin të kryejnë flijimin. Dy vëllezërit
e mëdhenj e thyejnë besën dhe ua tregojnë
gravet të tyre, kurse i vogli jo dhe kështu
të nesërmen u çon për të
ngrënë nusja e vogël. Kur e shesh së
largu, vëllai i vogël dëshpërohet;
në Mjaft variante nusja hyn pa kundërshtuar
në themel të ndërtimit kurse në
disa variante të tjera (Elbasan, Korçë
etj.) ajo kundërshton dhe detyrohen ta gënjejnë
sikur të shoqit të saj i ka rënë
unaza në kanalin e hapur për themele dhe
nusja futet në kanal për të marrë
unazën dhe atëherë e mbulojnë
befas dhe i venë rrasën e gurtë sipër.
Në variantin e Elbasanit ajo qan: "Mjera
un se qesh e re!/M'qafè me paç, o burri
im/që më le djalin jetim!/Jetim qesh' e
jetim lashë,/oj medet e oj medet!/o moj dhe,
mos me tret!" dhe më pas, si në të
gjitha variantet ajo kërkon që t'i lënë
njërin gji jashtë që të mund të
mëndë foshnjen.
Tërë ngjarja tragjike është treguar
me lakonizëm dhe me një dinamizëm të
çuditshëm që jep me forcë mprehtësinë
e situatës. Nga ana tjetër, duket qartë
se kënga legjendare është ngritur jo
për të përkrahur këtë zakon
të egër dhe barbari por për ta luftuar
atë. Kjo do të thotë se kënga
ka lindur jo atëhere kur zakoni ka qënë
në kulmin e forcës dhe njerezit e zbatonin
të bindur në drejtësinë e tij,
por në kohën kur forca e zakonit nuk është
më ajo e para, përkundrazi, njerëzit
kanë nisur të mos e pranojnë. Kjo duket
nga fakti që tre vëllezërit e fillojnë
ndërtimin pa kryer asnjë sakrificë,
megjithëse, doemos, e dinin zakonin; kjo duket
edhe në fakin që vëllezërit e
mëdhenj u tregojnë grave, ndërsa me
i vogli, që simbolizon të drejtin, e mban
porosinë; kjo duket në kundërshtimin
që bën nusja e vogël dhe, më në
fund, te toni i mallëngjyer që ka tërë
kënga legjendare, që pikërisht se zakoni
po shuhet, merr tone elegjiake, mbasi të qe ndryshe
do të këndonte për hyjnizimin e jo
për sakrificën e fatkeqes. Në të
gjitha variantet personazhi më prekës dhe
më i dashur mbetet përherë nusja e
vogël. Nga ana tjetër, fati tragjik i kësaj
nëne arriti të krijojë supersticionin
sipas të cilit, gjiri i saj vazhdonte të
rridhte pa prerë në gurët e kështjellës
dhe për këtë, në këtë
vend tashmë të shenjtë, në shumë
vise, gratë që nuk kanë gji shkojnë
me ceremoni rituale në kështjella apo në
ura ku ka ndonjë lagështirë a pikon
ujë dhe njomen me të për t'u ardhur
qumësht.
Shumë studjues, sidomos shqiptarë, përpiqen
të provojnë zanafillën shqiptare të
kësaj kënge legjendare. Argumentet e tyre
mund të përmblidhen në disa pika. E
para, Marin Barleti na flet që më 1504 në
veprën e tij "Rrethimi i Shkodrës"
për legjendën e themelimit të kalasë
së Rozafatit. Kjo legjendë, thonë,
megjithëse nuk ka asgjë të përbashkët
me atë të subjektit të këngës,
"është një dëshmi me interes
per ekzistencën e një tradite të tillë".
Po duhet thënë se kjo traditë haset,
siç e thamë, jo vetëm në Shqipëri
e Ballkan , por në mbarë botën. Kadareja
ngul këmbë e shkruan: "Kështjella
e Shkodrës është ngrehina e parë
madhështore e Ballkanit me legjendë flijimi.
Ajo është themeluar tre shekuj para erës
sonë. Të gjitha ngrehinat e tjera që
pretendojnë legjendën janë shumë
më të vonshme se ajo: Ura e Adanasë
527-565, Ura e Artës 1602-1606, Ura e Agraidhës
1659 etj.
"E dyta , është përhapja gjeografíke
e këngës legjendare me këtë motiv:
në asnjë zonë tjetër të Ballkanit
ajo nuk ndeshet aq dendur sa në trojet shqiptare,
ku ajo këndohet për ura, kështjella
dhe manastire. Dhe kjo është e vërtetë.
E treta, është motivi i besës, mbasi
vëllezërit japin besën të mos
tregojnë. (Ne të vërtetë, kjo
këngë legjendare do të mund të
merrej si shembull i shkeljes së fjalës
së dhënë, pra të besës, nga
shumica e shqiptarëve së paku nga 2/3, mbasi
dy vëllezër nuk e mbajnë e vetëm
i vogli i qëndron besnik fjalës së
dhënë!). Çështja është
se kënga legjendare nuk ka për qëllim
të tregojë shenjtërinë e fjalës
së dhënë nga ana e shqiptarëve.
Shtresa e besës është diçka
që i është mbivendosur originalit.
Me sa duket kjo këngë legjendare, e përhapur
në tërë Ballkanin, ka në vetvete
prurje nga këngë të ndryshme legjendare
me të njëjtën temë të lindura
në vende të ndryshme dhe për këtë
ështe shumë e vështirë sot të
ndalesh me siguri te një model i caktuar.