Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Janina
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Janinës

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Acarimi i Marrëdhënieve me Stambollin

Forcimi i pushtetit të Ali Pashës dhe synimet e tij për tu bërë një sundimtar autonom në Shqipëri shkaktuan shqetësime në Stamboll.

Në vitin 1812, pasi lidhi paqe me Rusinë, sulltan Mahmuti i I e drejtoi vëmëndjen te gjendja e brendshme e vendit. Qëllimi i tij ishte të forconte pushtetin qendror perandorak që po tronditej gjithnjë e më shumë nga përpjekjet separatiste të feudalëve të mëdhej provincialë dhe nga thellimi i mëtejshëm i pakënaqësisë së kombësive të shtypura të Ballkanit.

Në përputhie me këtë politike sulltani filloi të merrte masa edhe kundër Ali Pashë Tepelenës. Po atë vit, më 1812, Aliu u shkarkua nga detyra e mytesarifit të Terhallës domethënë nga detyra e sundimtarit të pashallëkut. Bashkë me të u shkarkua edhe biri i tij, Veli Pasha, nga detyra e rëndësishme e mytesarifit të Moresë. Porta e Lartë mendoi ta shkarkonte Aliun edhe nga ofiqi i derven pashës, por, për të mos e acaruar tërbimin e tij, këtë masë e la për më vonë. Veç këtyre, me pretekstin se qe përlyer me vrasjen e banorëve myslimane të Kardhiqit, sulltani e urdhëroi Aliun të largohej përkohësisht nga Janina dhe të vendosej në Tepelenë.

Aliu iu bind urdhërit dhe u tërhoq ne Tepelenë. Por këtu qëndroi për pak kohë. Sapo mori vesh disfatën katastrofale të Napoleonit në Rusi u kthye me të shpejtë në Janinë. Që këtej u kërkoi anglezëve armë për të sulmuar Pargën që ndodhej akoma në duart e ushtrive frënge si dhe ndërmjetësimin e tyre në Stamboll për të përmirësuar marrëdhëniet e tij me Portën e Lartë. Anglezët, të cilët e lakmonin për vehte Pargën, e ndihmuan Aliun me armë. Ata ndërhynë gjithashtu në Stamboll në favor të tij pasi donin të përfitonin nga pjesëmarrja e Aliut kundër ushtrive frënge për të lehtësuar barrën e tyre në pushtimin e Korfuzit. Aliu nga ana e vet synonte me këtë rast të terhiqte, nga anglezët sasi të mëdha materialesh luftarake për t'i bërë ballë ekspeditës ndëshkimore turke që pritej të organizohej nga sulltani.

Portën e Lartë nuk mundi të merrte masa kundër Aliut, pasi pas disa muajsh, më 1813, shpërtheu kryengritja e armatosur e serbëve dhe sulltani kishte nevojë për forcat e tij. Në verën e atij viti ai e urdhëroi Aliun dhe birin e tij Myftar Pashën të niseshin bashkë me ushtritë e tyre në Serbi për të marrë pjesë në shtypjen e kryengritjes. Por që të dy nuk iu bindën urdhërit. Për të larguar rrezikun e një revolte të brendëshme, Aliu çfarosi të gjithë bejlerët rivalë që i mbante të burgosur, bashkë me të edhe Mustafa Pashën, të cilin sulltani kërkonte ta caktonte mytesarif në sanxhakun e Delvinës, të aneksuar nga Aliu. Në të njëjtën kohë Aliu e bëri thirrje sundimtarëve të pashallëqeve fqinje të ndihmonin për t'i bërë ballë ndërhyrjes së sulltanit.

Me këto veprime marrëdhëniet e Aliut me Portën e Lartë u acaruan së tepërmi. Që nga kjo kohë Pashallëku i Janinës u kthye në fakt në një shtet autonom. Suntani i zënë me kryengritjen serbe, nuk vendosi as këtë radhë të ndërmerrte një ekspeditë ushtarake. Kështu, më 23 tetor 1813, ia përsëriti Aliut detyrat dhe ofiqet e mëparëshme, detyrën e mytesarifit të Terhallës dhe të derven-pashës. Në krye të sanxhaqeve dhe të kazave të Toskërisë, formalisht u emëruan djemtë dhe nipërit e Aliut, disa nga të cilët ishin fëmijë të vegjël.

Pasi kaloi rreziku turk, në dhjetor 1814, Aliu u kërkoi francezëve Pargën. Francezët e hodhën poshtë këtë kërkese dhe parganjotët nuk pranuan të afroheshin me Aliun. Atëherë, në shkurt të vitit 1814, ushtritë e Aliut sulmuan dhe pushtuan fshatin Aja në afërsitë e Pargës. Por parganjotët, të nxitur nga agjentët britanikë, iu lutën ushtrive angleze që t'i merrnin nën mbrojtje duke ua dorëzuar atyre qytetin. Më 22 mars 1814 ushtritë angleze hynë në Pargë. Aliu, Ndonëse u zemërua, nuk i prishi marrëdhëniet me Anglinë. Përkundrazi u mundua të përfitonte nga kjo miqësi për t'u shkëputur anglezëve armë të tjera.

Gjatë këtyre muajve ndodhën ngjarje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Napoleoni u thye keq nga ushtritë aleate (ruse, austriake, prusiane) të cilat më 31 mars hynë në Paris. Më 17 qershor ushtritë frënge u larguan nga Korfuzi. Këto ndryshime sollën përmbysjen e raportit të forcave në Evropë. Në këtë, kohë pozitat e Aliut si në lëmin e brendëshëm ashtu edhe në lëmin, ndërkombëtar u bënë me të forta se kurrë.

Pashallëku
i Janinës

Pashallëqet Shqiptare
Ali Pasha në
Pashallëkun e Janinës
Zgjerimi i Pashallëkut
Marrëdhëniet e Jashtme
Nënshtrimi i Sulit
Forcimi i Pushtetit
të Ali Pashës
Acarimi i Marrëdhënieve
me Stambollin
Marrëdhëniet me
Eteristët Grekë
Prerja e Marëdhënieve
me Stambollin
Ekspedita Turke
Shembia e Pashallëkut
të Janinës


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003