Porta e Lartë kërkonte që
qëndresa në Janinë të përfundonte
një orë e më parë me qëllim
që t'i kishte ushtritë e lira për të
përballuar gjëndjen revolucionare në
Greqi. Për këtë arsye Ismail Pasho
Beu i propozoi Aliut të dorëzohej duke dhënë
shkresën se do të falej nga sulltani.
Por Ali Pasha e hodhi poshtë propozimin dhe
vendosi të vazhdonte qëndresën me shpresë
se do të përmbysej raporti i forcave në
favor të tij. Shpresat e Aliut mbeshteteshin
te përçarja që përpiqej të
mbillte në radhët e pashallarëve turq,
te përpjekjet që ndërmori për
të riorganizuar ushtrinë, te shpërthimi
i kryengritjes greke që po organizonte "Shoqëria
e Miqve" dhe te kryengritjet e popullsive të
tjera të Ballkanit.
Ndonse i rrethuar, Aliu nuk i humbi kontaktet me
jashtë. Me anën e informatorëve që
kishte në ushtrinë armike, ai ishte në
dijeni të antagonizmave që zienin midis
pashallarëve turq. Me dinakëri të hollë,
ai u përpoq t'i shfrytëzonte këto antagonizma
dhe mundi të bënte për vehte repartin
e suliotëve, të cilët nën komandën
e kapedan Noti Boçarit kishin marrë pjesë,
krahas ushtrive turke, në rrethimin e Janinës.
Ai lidhi me Noti Boçarin një marrëveshje.
Në mbështetje të kësaj, suliotët
fitonin të drejtën të ktheheshin në
Sul me kusht që të dezertonin dhe të
hynin në luftë kundër ushtrive turke.
Pasi u shkëmbyen midis tyre pengje, suliotët
dezertuan. Pastaj filluan të sulmonin ushtrinë
turke dhe të shqetesonin rrugët e furnizimit
të saj.
Për të riorganizuar ushtrinë e mëparëshme,
në fillim të vitit 1821, u nisën nga
Janina disa nga bashkëpunëtorët e Aliut
(Tahir Abazi, Zylyftar Poda. Ago Vasjari, etj.) të
cilët u shpërndanë në Shqipëri
dhe në Epir, dhe formuan disa çeta vullnetarësh.
Në shkurt 1821 shpresat e Aliut u shtuan pasi
Ismail Pasho Beu u shkarkua nga sulltani për
pazotësi. Në vënd të tij u emërua
ish-veziri i madh, Hurshit Pasha. Aliu hyri menjëhere
në bisedime me komandantin e ri për të
fituar kohë deri sa të fillonte kryengritja
në Greqi. Por një muaj më vonë
kur në More shpërtheu kryengritja e armatosur
dhe kur informatorët turq diktuan shënjat
e bashkëpunimit midis Aliut dhe "Shoqërisë
së Miqve", Hurshit Pasha e kuptoi dinakërinë
e Aliut, prandaj fiiloi sulmet kundër kështjellave
të rrethuara. Ali Pasha, gjithënjë
me qëllim që të fitonte kohë,
i vazhdoi bisedimet, dhe luftimet herë pas here
u ndërprenë.
Në gusht 1821, rrjedhimi i ngjarjeve ndryshoi
menjëherë në dëm të Ali Pashës.
Me urdhër të sulltanit, Mustafa Pashë
Bushatlliu bashkë me ushtritë e tij i erdhi
në ndihmë Hurshid Pashës dhe e shtrëngoi
rrethimin e kështjellave të Aliut. Në
shtator, ndërsa në Stamboll u ekzekutuan
djemtë dhe nipërit e Ali Pashës në
Janinë malsorët gegë që bënin
pjesë në ushtrinë e Aliut nuk pranuan
të luftonin kundër malsorëve të
Mustafa Bushatlliut që ishin bashkatdhetarë
të tyre dhe u dorëzuan këtyre kështjellën
Litharicës, një nga kështjellat e Janinës.
Çetat e komanduara nga Tahir Abazi, Zylyftar
Poda, Ago Vasjari. Noti Boçari, që vepronin
në Çamëri dhe Toskëri, nuk e
ndryshuan gjendjen e Aliut. Presioni, i ushtrive turke
erdhi duke u shtuar. Shpresat se kryengritja greke
do të dobësonte presionin turk u përmbysën.
Qeveria turke nuk i luajti fare ushtritë e veta
nga Janina. Këto shkaktuan demoralizimin e bashkëluftëtarëve
të Aliut. Në dhjetor 1821 filluan dezertimet.
Në janar 1822 Aliun e braktisën edhe shokët
me të ngushtë të tij si Ago Vasjari,
Tahir Abazi, Zylyftar Poda. Forcat që mbetën
ua hapën turqve portat e kështjellës
buzë liqenit.
Ali Pasha mbeti me pak shokë brenda në
kështjellë. Për të shpëtuar
thesaret e Aliut që ndodheshin brenda në
kështjellë, Hurshit Pasha rifilloi bisedimet
për të bindur atë me dredhi të
dorëzohej, duke i dhënë shpresë
për falje Aliu pranoi të dorëzohej
pasi ta shikonte me sytë e tij fermanin e faljes
të nënshkruar nga sulltani. Më 14 janar
1822, Aliu bashkë me të shoqen Vasiliqinë
dhe me shokët e tij besnikë, Thanas Vajen.
Selfo Bono, Fehmi Çamin, etj. u vendos në
manastirin e Shën-Pandelejmonit në një
ishull të liqenit të Janinës.
Pas 10 ditësh, më 24 janar, Hurshit Pasha
mundi ta mashtronte Aliun me një ferman të
rremë mbi akordimin e faljes nga sulltani. Më
25 janar 1822 dërgoi një repart ushtarësh
turq për ta arrestuar. Por Aliu nuk u dorëzua,
dhe në përpjekje me ushtarët turq mbeti
i vrarë. Më 23 shkurt 1822 koka e tij u
çua në Stamboll ku u ekspozua përpara
publikut. Pastaj u varros pranë bijve të
tij nga një dervish shqiptar i cili vuri mbi
gurin e varrit këtë mbishkrim: "Këtu
është varrosur koka e të famëshmit
Ali Pashë Tepelenës, ish qeveritar i Janinës,
cili më tepër se 30 vjet qeverisi i pavarur
në Shqipëri".
Pasuritë e Aliut u konfiskuan të gjitha.
Çifligjet e tij të shumta u kthyen, në
pjesën më të madhe në pronë
shtetërore dhe në pronë të sulltanit.
Vetëm një pjesë e vogël u kthye,
pronarëve të mëparshëm feudalë.
Pasuritë që u gjetën në thesarin
e kështjellës, rreth 18 milion grosh, u
konfiskuan nga sulltani.
Vrasja e Ali Pashë Tepelenës la një
përshtypje të thellë në Shqipëri.
Lëvizja e udhëhequr prej tij dhe sidomos
qëndresa e fundit, patën një jehonë
të madhe në ngjarjet e mëvonëshme.