Faqja Kryesore  >> Historia  >> Pashalleqet e medha  >> Janina
 

Historia e Shqipërisë - Pashallëku i Janinës

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Marrëdhëniet e Jashtme

Me kthesën që pësoi revolucioni frëng më 1794, në Francë pushteti ra në duart e borgjezisë së madhe e cila filloi një politikë pushtimesh grabitqare dhe koloniale. Më 1797 Franca e mundi Austrinë dhe e detyroi të nënshkruante traktatin e Kampo-Formios, më të cilin iu dha fund ekzistencës së Republikës së Venedikut. Midis të tjerave Franca shtiu në dorë zotërimet e Venedikut në detin Jon, ishujt dhe qytetet bregdetare të Epirit.

Me këto pushtime Franca u bë fqinje me Pashallëkun e Janinës. Ndryshimet që ndodhën në fushën ndërkombëtare i dhanë rast Ali Pashë Tepelenës të rifillonte veprimtarinë për të zgjeruar kufijtë e pashallëkut dhe për të forcuar pushtetin e vet feudal. Për këtë qëllim ai shpejtoi të shfrytezonte fqinjësinë me Francën. Më 1 qershor 1797 Aliu i dërgoi një letër gjeneral Napoleon Bonapartit, me të cilën i shprehte gadishmërinë për të ndihmuar zbarkimin e ushtrive frënge në ishujt joniane. Bonoparti e pranoi ofertën dhe i premtoi miqësinë e Francës.

Francezët zbarkuan në Korfuz me 27 qershor 1797. Midis Ali Pashës dhe komandantit francez të Korfuzit, gjeneralit Donzëlo u vendosën marrëdhënie të rregullta. Të dy palët u përpoqën ti përdornin, secila për interesat e veta, këto marrëdhënie. Gjenerali Donzëlo, sipas udhëzimeve të Bonapartit, përpiqej të nxiste Aliun si dhe sundimtarët e pashallëqeve të tjera të ngriheshin kundër Portës së Lartë. Qëllimi i Bonapartit ishte t'i krijonte Turqisë diversion në Ballkan për të lehtësuar pushtimin e Egjyptit që Franca po përgatiste me fshehtësi të madhe. Nga ana e tij, Ali Pasha kërkonte të forconte miqësinë me Francën për të siguruar përkrahjen e saj në politikën e vet separatiste.

Qysh në fillim Aliu pati disa përfitime nga miqësia me francezët. Me kërkesën e tij, gjenerali Donzëlo i dërgoi Aliut një sasi armësh dhe disa instruktorë ushtarakë. Në pranverën e vitit 1798 Aliu shkëputi nga francezët lejen që anijet e tij të ngarkuara me ushtarë të kalonin përmes kanalit të Korfuzit. Me këto anije ai zbarkoi natën e pashkëve në Lukovë (Himarë). Që këtej ushtarët e tij sulmuan himariotët papritmas dhe shkretuan fshatrat Shën-Vasil, Nivicë-Babar, Sarandë e Porta Palermo. Me këtë ekspeditë, Aliu i theu himariotët, aleatët e suliotëve, dhe plotësoi rrethimin e pashallëkut të Delvinës, të cilin synonte ta nënshtronte.

Më 1798 Aliu mori urdhër nga Stambolli të nisej me ushtritë e veta për të marrë pjesë në ekspeditën turke kundër Pasvanogllit. i cili kishte ngritur krye në Vidin. Francezët e Korfuzit u përpoqën të ndalonin Aliun nga pjesëmarrja në këtë ekspeditë. Gjenerali Donzëlo i pëshpëriti Aliut se ushtritë frënge do të zbarkonin së shpejti në Greqi. Por Aliu nuk u besoi francezeve. Në krye të 8 mijë ushtarëve u nis për në Vidin.

Në Vidin Ali Pasha mësoi se ishte formuar një aleancë tri palëshe annglo-ruso-turke kundër Francës dhe se flota e përbashkët ruso-turke do t'i dëbonte ushtritë franceze nga ishujt jonian.

Formimi i këtij koalicioni e bëri Aliun të humbiste besimin te fitorja e Francës, prandaj vendosi të vepronte kundër saj. Për të përkrahur veprimet e flotës ruso-turke në ishujt joniane, Aliu u kthye në Janinë me lejen e sulltanit. Kur Turqia i shpalli luftë Francës më 10 shtator 1798, ai filloi menjëherë sulmet kundër ushtrive franceze dhe pushtoi Butrintin, Gumenicën, Prevezën e Vonicën, përpara se të arrinte flota ruso-turke. Porta e Lartë duke ndjekur me kënaqesi veprimet e Ali Pashës, shpërbleu atë me titullin vezir.

Flota e përbashkët ruso-turke, nën komandën e admiralëve Ushakov dhe Kadri bej, arriti në ishujt jonianë në fillim të vitit 1799. Me pushtimin e Korfuzit, më 22 shkurt 1799, ushtritë franceze u dëbuan nga këto vise. Në vend të francezëve, Pashallëku i Janinës tani kishte fqinjë rusët.

Qysh se u prish me francezët, Ali Pashë Tepelena u përpoq të lidhte miqësi me rusët. Për këtë qëllim ai hyri në kontakt me admiralin Ushakov dhe me funksionarë të tjerë rusë. Këtyre u dha të kuptonte se kishte nevojë për ndihmën e Rusisë që të shkëputej nga sovraniteti i sulltanit. Me 1799 kur Aliu bëntë të tilla përçapje, Rusia ishte aleate e Turqisë dhe nuk kishte interes t'i shkaktonte telashe aleates së saj pa mbaruar lufta me Francën. Veç kësaj, Rusia, në eventualitetin e një lufte kundër Turqisë përkrahte popullsitë e krishtera të Ballkanit dhe nuk kishte besim te ky pasha mysliman. Në këtë mënyrë marrëdhëniet e Aliut me fqinjët rusë nuk qenë të mira qysh në fillim dhe ato shkuan gjithmonë duke u acaruar.

Pashallëku
i Janinës

Pashallëqet Shqiptare
Ali Pasha në
Pashallëkun e Janinës
Zgjerimi i Pashallëkut
Marrëdhëniet e Jashtme
Nënshtrimi i Sulit
Forcimi i Pushtetit
të Ali Pashës
Acarimi i Marrëdhënieve
me Stambollin
Marrëdhëniet me
Eteristët Grekë
Prerja e Marëdhënieve
me Stambollin
Ekspedita Turke
Shembia e Pashallëkut
të Janinës


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003