Vendosja e rusëve në ishujt
jonian u dha guxim suliotëve. Ata e dinin se
Ali Pashë Tepelena, me gjithë disfatat që
kishte pësuar në vitet 1791-1792, nuk kishte
hequr dorë nga nënshtrimi i Sulit. Tani
ata kishin shpresë se Rusia e krishterë
do t'i ndihmonte dhe nuk do ti linte vetëm në
mëshirën e Aliut të egërsuar nga
rezistenca e tyre. Prandaj suliotët hynë
në marrëdhënie me rusët e Korfuzit
dhe lidhën miqësi me ta.
Suliotët banonin në 7 fshatra, të
gjitha në vende malore, rreth 50 kilometra në
jugperëndim të Janinës. Suliotët
qenë malësorë shqiptarë të
shpërngulur nga krahina e Himarës dhe të
vendosur me kohë në Epirin e jugut. Për
hir të qëndresës së tyre të
vazhdueshme, edhe suliotët i kishin ruajtur privilegjet
e administrimit autonom dhe vazhdonin të mos
paguanin taksa. Bashkësia e suliotëve udhëhiqej
prej kuvëndit të pleqësisë nga
gjiri i të cilit zgjidhej kapedani i tyre. Si
familje kapedanësh shquheshin familjet e Boçarëve
dhe Xhavellave. Në fshatrat malore të Sulit
nuk kishte toka buke të mjaftueshme. Për
të siguruar jetesën, suliotët të
udhehequr nga kapedanët, sulmonin fshatrat e
fushave, kryenin mbi to plaçkitje ose i detyronin
t'u paguanin haraçe të rregullta. Këto
sulme i shtrinin deri në viset e largëta
të Epirit dhe Thesalisë. Fshatrat e tyre
ishin të mbrojtura nga bjeshkët e pakapërxyeshme
të Sulit. Veç kësaj suliotët
ishin luftëtarë trima. Me sulme të
shpeshta, ata vazhdonin të shqetësonin pashallëkun
e Aliut. Tani kur suliotët u lidhën me rusët,
rreziku i sulmeve të tyre u bë edhe më
i madh.
Lidhja e suliotëve me rusët e egërsoi
edhe më tepër Ali Pashën. Prandaj ai
vendosi të organizonte një ekspeditë
të re kundër tyre.
Ekspedita kundër Sulit filloi në vjeshtën
e vitit 1799. Aliu këtë radhë u bëri
suliotëve një rrethim të fortë
për t'i detyruar të dorëzoheshin nga
uria. Nga ana tjetër ai shfrytëzoi antagonizmin
midis familjeve udhëheqëse dhe mundi të
bënte për vehte Kiço Boçarin
që kishte mbetur i pakënaqur nga shkaku
se në vend të tij, si kapedan i suliotëve,
qe zgjedhur Foto Xhavella.
Pas disa muajsh gjëndja e suliotëve u
vështirësua nga bllokimi. Rusët e Korfuzit
ndërhynë dhe arritën të bindnin
bejlerët e Çamërisë, sundimtarin
e Beratit, Ibrahim Pashën, dhe sundimtarin e
Delvinës, Mustafa Pashën, që të
sulmonin Aliun. Por ky e thyen bllokun e kundërshtarëve
duke i përçarë dhe duke u shkaktuar
telashe në pashallëqet e tyre deri sa përballë
tij mbeten përsëri vetëm suliotët.
Bllokimi i Sulit vazhdoi gjatë viteve 1800-1801.
Në vitin 1801 veprimet ushtarake u ngadalësuan
përkohësisht, pasi me urdhërin e sulltanit
Aliu u detyrua të dërgonte një pjesë
të ushtrive të veta për të shtypur
kryengritjen e sundimtarit të Edrenesë.
Por më 1802, kur ushtritë u kthyen nga Edreneja,
luftimet kundër suliotëve rifilluan. Këtë
radhë ushtritë e Aliut, nën komandën
e birit të tij Veli Pashës, me gjithë
qëndresën heroike të suliotëve,
depërtuan deri thellë në bjeshkët
e Sulit. Suliotët, ndonëse në kushte
shumë të vështira, luftuan deri në
fund të vitit 1803, por, më 25 dhjetor u
detyruan të kapitullonin dhe pranuan të
shpërguleshin nga bjeshkët e tyre. Veli
Pasha u premtoi toka suliotëve që do të
deshironin të qëndronin në Shqipëri
dhe rrugë lirë atyre që do të
kërkonin të mërgonin jashtë vëndit.
Por Ali Pasha, i cili arriti në Sul më 29
dhjetor 1803, nuk e pranoi marrëveshjen që
kishte lidhur Veliu me krerët suliotë. Ai
e dinte se me kalimin e suliotëve në ishujt
jonianë, ata do të viheshin në shërbim
të Rusisë. Prandaj dha urdhër të
mos lejoheshin të hynin në zonat e rusëve.
Një pjesë e suliotëve, së bashku
me kapedanin tyre, Fato Xhavellën. mundi të
hidhej në Korfuz. Por pjesa më e madhe,
që ishte nisur për në Pargë, u
kap rrugës dhe u detyrua të vendosej në
çifligjet e Aliut. Mjaft suliotë nuk deshën
të dorëzoheshin dhe vazhduan luftën
deri sa u çfarosën. Një grup grash
suliote, për të mos rënë në
duart e Aliut, në çastin e fundit u hodhën
në greminë bashkë me fëmijët
e tyre nga shkëmbinjtë e Zallongut.