Zgjata dorën në livadh lulen
me këputë
"Mos - fqiu im i dashur më bërtiti-
-do të vyshket!
Qita hapin, kalin e bardhë me mbërri-
-vashën e ëndërruar kaherë.
"Mos! - përsëri m'u gjegj fqiu.
Unë qava me mall edhe atëherë.
Hodha dorën në gjithësi me pikëllim-
Çel e mshel sytë dritë m'u bë.
"I lumi ti!" - dikush më bërtiti
në përqafim
e kurrgjë tjetër s'pashë as ndjeva.
Sot e atë ditë, kudo e kërkoj fqiun
tim të mirë.
---------------------------------------
Këtë poezi Ali Podrimja e ka shkruar në
vitin 1960, në moshën 18 vjeçare,
kur ishte gjimnazist në Gjakovë. Kjo poezi
tingëllon si një përrallë e rrëfyer
nga ndonjë gjysh i lashtë. Bart me vete
një fshehtësi të thellë të
njeriut gjatë rrugës së tij të
jetës. Mesazhi i saj është pothuaj
i hapur; s'ka asgjë të fshehtë, për
të cilën rrëfyesi lirik mundohet ta
fshehë, përkundrazi. Ai e ka jetuar jetën
me të gjitha gëzimet dhe mundimet dhe tani
i takon roli i plakut të urtë, që me
shumë urti nuk jep këshilla, por i sugjeron
ato nëpërmjet përvojës së
tij vetiake. Poeti jep mesazhin: po lakmove ta kesh,
ta pushtosh "botën" me një hap,
me një lëvizje, po lakmove ta zotërosh
cakun e fundit me një të goditur, me një
të këputur, do të jesh humbës
i përjetshëm. Në fillim, mbase në
rini mund ta këpusësh lulen ose vashën,
por do vijë dita kur të ëndërrosh
caqe përmasash të largëta, të
pafundme, të përjetshme. Është
koha kur të shuhet zjarri për të arritur
diku, por të ndizet pendesa që s'ke arritur
qëllimin. Dhe ky qëllim jepet si vizion
i bukurisë që s'ka fund. Një trajtim
filozofik ky, nga ana e poetit, që ndonëse
është vetëm 18 - vjeç imagjinata
e ndezur dhe talenti poetik e bëjnë të
arrijë në mesazhe universale.
----------------------------------------------------------------------