Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s'mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as
i artit tënd
(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules
edhe
Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh
në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë
ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët
e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je
Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time
të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë
therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.
----------------------------------------------
Kjo poezi është nga perlat e krijimtarisë
poetike të Ali Podrimjës madje dhe në
poezinë shqiptare. Ajo i përket vëllimit
Lum Lumi botuar më 1982, dhe i kushtohet djalit
të poetit, Lumit, tashmë të pajetë.
Ndërsa poezia mban datën e krijimit në
vitin 1979, kur Lumi ishte ende gjallë, por shumë
i sëmurë. S'ka asgjë vajtuese, asnjë
ankesë, asnjë mallkim në këtë
poezi, përkundrazi poeti krijon atmosfere mjaft
poetike, duke e pozicionuar veten në vend të
prindit, i cili as që mund ta shkojë nëpër
mend vdekjen e fëmijës së vet, pasi
kjo është kundër vetë ligjeve
të natyrës. Ajo që është
më e dhimbshme se vetë dhimbja në këtë
poezi shfaqet në formën e këshillave
të babait ndaj birit, sikur ai ka këtë
jetë të gjatë përpara. Porositë,
siç mund të shihet shtrihen në një
rrafsh të gjerë të ekzistencës,
e sidomos në planin e formimit etik dhe kombëtar
të personalitetit. Cili duhet të jetë
ideali, synimi kryesor i Lumit, Çfarë
duhet të dojë dhe Çfarë të
urrejë në jetë, prej kujt duhet të
mbrohet dhe për kë duhet të kujdeset.
Këto amanete të nxjerra nga përvoja
shekullore e trollit, e Kullës tingëllojnë
të përhershme e të çdokohshme.
Ato përhapen si jehonë e hapësirës
etnike dhe njerëzore njëkohësisht.
Ai që ka ekzistuar para teje jam unë. Dhe
në këtë përhershmëri vdekja
bëhet e papërfillshme.
--------------------------------------------------------------