Lirikat e frymëzimit tematik
politik në krijimtarinë e Ali Podrimjes,
(sidomos ato të viteve nëntëdhjetë),
degëzohen brenda tri refleksioneve: refleksi
i nxitur nga pushtuesi i tokës kosovare; refleksi
tjetër, i nxitur nga "hipokrizia e Evropës",
qëndrimi i së cilës ndaj fatit shqiptar
në çaste të caktuara historike ka
qenë fatal dhe tragjik për tërësinë
e kombit dhe në fund, refleksi që nxitet
nga pjesa e keqe e kombit të vet.
Përballë "hordhisë pushtuese"
poeti vë kalanë e tij mbrojtëse, të
veshur simbolikisht, si guri, kulla, muri, Rozafa,
që përbëjnë korpusin e kështjellës
shpirtërore të kombit me rrënjë
dhe origjinë antike në këtë truall
dhe në këtë hapësirë. Përmes
kësaj lirike, edhe pse të frymëzuar
nga ngjarjet e ditës, poeti arrin që ta
asimilojë artistikisht lëndën nga e
cila frymëzohet, të mos bjerë për
asnjë çast në banalitet, dhe aq më
pak në patriotizëm të rremë dhe
folklorizëm shterpë.
Edhe indiferenca dhe dyfytyrësia e Evropës
ndaj çështjes dhe fatit shqiptar, është
njëra nga vatrat që e ka nxitur, sidomos
gjatë viteve të fundit, frymëzimin
poetik të Ali Podrimjes. Ai e shpreh
pezmin e vendimeve të padrejta të qendrave
evropiane ndaj lirisë dhe pavarësisë
së shqiptarëve, duke u bërë thirrje
shqiptarëve se duhet t'i dalin vetë për
zot çështjes së tyre. Në kuadër
të kësaj lirike, që e emërtuam
politike, poeti nuk lë pa fshikulluar sjelljen
e atyre shqiptarëve që janë indiferentë
ndaj dramës, të cilën e përjeton
Kosova e aq më pak ndaj atyre që me sjellje
a veprime e pengojnë këtë luftë,
duke u vënë në shërbim të
pushtuesit. Prirjet për grindje dhe përçarje,
për vënie kufijsh rajonalë, krahinorë,
fisnorë, dhe besimtarë, janë reflekse
që i shkaktojnë shqetësim dhe dhimbje
poetit. Si dukuri të ditës, në vargun
poetik të Ali Podrimjes së talentuar, ato
kanë mundur të shndërrohen në
vlera poetike që shënojnë kulme të
poezisë aktuale shqiptare.