Me të drejtë mund të
thuhet, se Ali Podrimja është ndër
poetët më të shquar të lirikës
patriotike në poezinë aktuale shqiptare.
Poemthi Híja e tokës është matricë
e përbashkët frymëzimi poetik dhe e
cikleve Guri, Kulla, Cungu, Poema e heshtjes, Kali
i Trojës, Dëftore, Pylli, etj. Edhe tek
vargjet intime, familiare të poetit, madje dhe
tek vargjet e përfshira në vëllimin
Lum Lumi, që janë vargje të dhimbjes
dhe pikëllimit për vdekjen e të birit
(Lumit), shqetësimi krijues për Kosovën
dhe etninë është në sfond, prapavijë
e përhershme, atmosfere nisëse dhe përmbyllëse.
Poetika e vargut të Ali Podrimies, e çliruar
nga konvencionet tradizionale, shquhet për gjuhë
ekspresive e të pasur figurative, për shqiptim
të dendur, dramatik dhe komunikativ. Është
një poetikë në kërkim të
pandërprerë për mundësi të
reja e originale të artikulimit të emocionit,
të imagjinatës dhe filozofisë jetësore.
Shtylla standarde të korpusit figurativ në
këto poezi janë emërtimet: Guri, Kulla,
Pylli, Cungu, Muri, Ura... Poetika e Ali Podrimjes
është e dendur me dramacitet historik, origjinal,
përmes të cilit arrihet unifikimi i plotë
mes individit dhe kolektivit, mes vetëdijes individuale
dhe asaj kolektive. Përmes simbolikës së
tillë mitike dhe antike të fisit, Ali Podrimja
arrin vlera universale të përgjithësimit
artistik. Pikërisht në mbështetje të
ngjyrimit emocional, shpirtëror të fisit
të vet, vlera krijuese e kësaj gjuhe arrin
të marrë vlerë gjithënjerëzore.
Pylli
Cikli Pylli është një faqe tjetër
e udhëtimit nëpër botën e kombit,
të fatit të tij. Pylli, simbol i bashkësisë
së botës dhe të njerëzimit është
shkelur, pushtuar nga dhëmbi i ujkut. Përtej
pyllit është lumi që shuan etjet e
truallit, tokës etnike, stërgjyshore, por
për të ecur lirshëm nëpër
pyll duhet të të prijë Ylli (ideali,
besimi), i shqiptuar në frymën e një
përralle popullore. i tërë cikli "Pylli"
është një mikrohistori e rrëfyer
poetikisht, me anë simbolesh dhe aluzionesh që
sjellin mesazhin për trashëgiminë tonë
etnike. Poezia "Dëftore" pak më
e gjatë se Pylli është një tjetër
perspektivë ligjërimi: ardhja dhe ikja e
pushtuesve gjatë shekujve shprehet me gjuhë
realiste. Ajo është ardhje pushtuesish si
mbretër, sulltanë, kralë, përherë
në përsëritje. Ndërsa, njësoj
si tek cikli Pylli, edhe tek Dëftore, është
i gjallë besimi i poetit, vizioni i hapur drejt
të nesërmes, lirisë: një brez
i ri, një frymë e re, por edhe një
fyell (poetik) zgjon gjakun e arbërit dhe të
Kosovës, njësoj si tek rilindasit.