Në ciklin e poezive të përfshira
në vëllimin "Lum lumi", që
me leximin e parë shquan dhimbjen në përmasa
totale për sëmundjen e pashërueshme
të të birit, por njëkohësisht
është e pranishme edhe fryma e krenarisë
dhe e qëndresës së fisit. Është
e pranishme, gjithashtu edhe dhimbja për syrin
e birit të sëmurë, për të
cilin ka nevojë frëngjia e kullës në
mbrojtjen e truallit dhe të dheut. Edhe tek poezia
tjetër "Dhoma e vdekjes" janë
të pranishme grimca dhe reflekse të legjendave
autoktone: lufta nëpër shekuj e fisit ndaj
të keqes në përgjithësi. Në
drejtim të ligjërimit artistik, poezitë
e vëllimit "Lum lumi" mund të
emërtohen si lirikë e pikëllimit, me
prirje elegjiake. Në këtë poetikë
vërehet shqiptimi i drejtpërdrejtë
i emocionit dhe i mesazhit, pa mbështjelljen
e domosdoshme me petkun figurativ. Këtë
derdhje të drejtpërdrejtë të botës
së brendshme të pikëlluar, që
vetëpërmbahet nga një tendosie e madhe
shpirtërore dhe fizike, do ta hasim edhe më
pas në atë pjesë të lirikës
së Ali Podrimjes, të cilën mund ta
emërtojmë dhe si lirikë politike. Si
rrethi tematik, ashtu dhe frymëzimi poetik, vendosen
në sfondin e tërësisë lirike me
tematikë patriotike, sfond ky që shtrihet
si qiell universal në tërë veprën
krijuese të Ali Podrimjes. Variacionet e frymëzimit
tematik, si dhe perspektiva e soditjes dhe e detajit
poetik, modelet dhe ngjyrimi i ngarkesës emocionale
dhe filozofike të kësaj poezie apo strukturimi
figurativ i vargut, mund të konsiderohen si një
prirje bosht apo si prirje në tërësinë
poetike shqiptare sot. Janë të shumtë
emrat e poetëve të rinj që e pasojnë
krijimtarinë e Ali Podrimjes, natyrisht ata që
me forcën e talentit arrijnë ta asimilojnë
brenda individualitetit të tyre krijues.