Marrja e Beratit kishte një rëndësi
të dyfishtë për shqiptarët. Nga
njera anë u prishej turqve të sanxhakut
të Shqipërisë baza ushtarake më
e përparuar dhe më e fortifikuar e nga ana
tjetër hapej rruga për çlirimin e
krahinave jugore të Shqipërisë.
Për marrjen e Beratit Skënderbeut i duheshin
artileri dhe mjete të tjera me të cilat
do të rrethonte kështjellën që
ngrihej mbi një pozicion të rëndësishëm
strategjik. Për këtë qëllim, ai
qysh më 1453 kishte vajtur vetë në
Napoli dhe i kishte kërkuar Alfonsit dërgimin
e ndihmave ushtarake dhe në mënyrë
të veçantë të artilerisë,
sipas marrëveshjes së Gaetës. Me kërkesat
e përsëritura të Skënderbeut,
Alfonsi më në fund dërgoi në maj
të vitit 1455 një repart prej 2 mijë
këmbësorësh italianë.
Në korrik të vitit 1455, Skënderbeu
në krye të ushtrisë prej 14 mijë
vetësh, i ndihmuar edhe nga repartet napolitane
rrethoi Beratin. Në fillim shqiptarët korrën
suksese, pushtuan qytetin, ngushtuan rrethimin e kështjellës
që ngrihet mbi qytet dhe e detyruan komandantin
turk të garnizonit të kërkonte armëpushim
prej 15 ditësh për të bërë
dorëzimin. Në pritje të afatit Skënderbeu
u nis për të pregatitur sulmin kundër
një kështjelle tjetër. Por ndërkohë,
në mënyrë të befasishme, një
ushtri turke prej 40 mijë vetësh, nën
komandën e Isak Bej Evrenozit që e kishte
njohur Shqipërinë gjatë shtypjes së
kryengritjes së Gjon Kastriotit më 1430,
i erdhi në ndihmë, pa u diktuar, garnizonit
të rrethuar të Beratit dhe i sulmoi prapa
krahëve shqiptaret e papërgatitur dhe të
shkujdesur. Në këtë përleshje
shqiptarë u thyen rëndë. Me mijra vetë
u vranë, bashkë me to edhe pjesa më
e madhe e ushtarëve napolitanë. Kjo qe një
disfatë serioze që pësuan forcat shqiptare
gjatë periudhës që luftuan nën
udhëheqjen e Skënderbeut.
Ardhja pa u diktuar e turqve u bë e mundur,
sepse Moisi Golemi, komandant i forcave kufitare,
i pakënaqur nga përqëndrimi i pushtetit
në duar të Skënderbeut ia kishte hapur
tradhëtisht rrugën Isak Bej Evrenozit. Pas
disfatës së Beratit, Moisiu kaloi hapur
në anën e turqve.
Disfata e Beratit u kushtoi shumë shtrenjtë
shqiptarëve. Përveç humbjeve të
mëdha njerëzore, u keqësua edhe gjëndja
politike e Skënderbeut. Alfonsi i Napolit hoqi
dorë përfundimisht nga ndihmat ushtarake.
Venediku shfrytëzoi rastin dhe rifilloi provokimet
për të eliminuar pushtetin e Skënderbeut.
Krerët feudalë, të nxitur edhe nga
Venediku, duke kujtuar se tashmë i erdhi fundi
rezistencës shqiptare, vrapuan të merreshin
vesh me turqit ose të siguronin strehim në
Venedik. Dukagjinët u prishën përsëri
me Skënderbeun dhe u lidhën me turqit. Por
me gjithë këto fatkeqësi, në sajë
të përkrahjes së pakufizuar që
gjeti në masat popullore, Skënderbeu e rimori
vehten dhe e rimëkëmbi brënda një
kohe të shkurtër ushtrinë e gjymtuar.
Më 1456 një ushtri turke prej 15 mijë
kalorësish, duke pasur në krye tradhëtarin
Moisi Golemin, u nis kundër Shqipërisë,
por thye në betejën që u zhvillua më
14 maj, në fushën e Oranikut (Dibër).
Moisiu, i penduar, iu dorëzua Skënderbeut
dhe i shërbeu atij me besnikëri deri në
fund. Më 1456 ndodhën lëkundje të
tjera në radhët e bujarëve shqiptarë.
Gjergj Stres Balsha u dorëzoi me tradhëti
turqve kështjellën e Modricës. Kulmi
i përçarjes dhe i tradhëtisë
feudale arriti më 1457. Nipi dhe bashkëpunëtori
më i ngushtë i Skënderbeut, Hamza Kastrioti,
i cili e humbi shpresën për t'i zënë
vendin ungjit të vet kur këtij i lindi djali
trashëgimtar, kaloi në anën e sulltanit.
Viti 1457 ka qënë një nga vitet më
kritikë të periudhës 25 vjeçare
të luftave të Skënderbeut. Vdekja e
Huniadit që ndodhi më 1456 i dha rast sulltan
Fatihut ta drej-tonte vemendjen e vet kundrejt Shqipërisë.
Ai nisi në korrik të këtij viti një
ushtri të madhe turke prej 80 mijë vetësh
nën komandën e gjeneralit të regjur
në luftën kundër shqiptarëve,
Isak Bej Evrenozit dhe të shoqëruar nga
Hamza Kastrioti, të cilin e kish-te emëruar
sundimtar të Krujës.
Hamza Kastrioti, njohës i mirë i vendit,
i ushtrisë shqiptare dhe i taktikës së
Skënderbeut, përpara se t'i drejtohej Krujës,
e këshilloi komandantin turk të asgjëson-te
masën kryesore të ushtrisë shqipëtare
e cila bashkë me komandantin e saj qëndron-te
zakonisht jashtë kështjellave. Skënderbeu
këtë radhë ishte i detyruar të
ndiqte një taktikë të re. Pasi kreu
një sërë veprimesh dhe tërheqjesh
ai, si duket e shpërndau përkohësisht
masën kryesore të ushtrisë për
t'u dhënë turqve të kuptonin se ishte
shpartalluar, se ushtarët e tij kishin dezertuar,
se krerët e kishin tradhëtuar, dhe se ai
vetë po kërkonte shpëtim. Kjo manovër
duket se pati sukses, sepse edhe kapiteni venedikas
i Durrësit, Marko Diedo, e njoftonte më
31 korrik 1457 dogjin e republi-kës: "Fort
i larti Skënderbe po bredh nëpër male
për të shpëtuar kokën, dhe u braktis
nga të gjithë krerët kryesorë
të rrethit të vet që shkuan të
bashkohen me turkun". Isak Bej Evrenozi dhe Hamza
Kastrioti, duke mos e ndeshur në asnjë vend
ushtrinë shqip-tare, u bindën më në
fund se Skënderbeu tashmë ishte shpartalluar.
Por kur më 7 shtator 1457 ushtria turke kremtonte
në fushën e Albulenës pranë Milotit
fundin e rezistencës shqipëtare, - Skënderbeu,
i cili nuk i kishte humbur lidhjet me ushtarët
e vet, me kushtrimin e tij të parë grumbulloi
me të shpejtë ushtrinë e shpërndarë
dhe sulmoi në befasi turqit e shkujdesur duke
i shpartalluar plotësisht. Shqiptarët zunë
rob midis mijra vetave edhe Hamza Kastriotin, i cili
u mbajt i burgosur për disa vjet në Itali.