Hipja e Mehmetit të II (1451-1481)
në fronin e sulltanëve shënoi për
Turqinë një periudhë të re luftash
të cilat sollën zgjerimin e mëtejshëm
të kufijve të saj. Sulltani i ri kishte
ambicjen të fuste nën hijen e Islamit gjithë
Lindjen dhe Perëndimin domethënë gjithë
teritoret e dikurshme të Perandorisë Bizantine
dhe të Perandorisë Romake. Me synime të
tilla, ishte afër mëndjes se sulltani i
ri, që kishte pësuar së bashku me të
jatin disfatën e turpshme të Krujës,
nuk do të linte pa nënshtruar edhe Shqipërinë,
përmes së cilës kalonin rrugët
më të shkurta për në Romë
ku ai ëndërronte të vendoste flamurin
e vet.
Në vitin e parë të mbretërimit
të tij, Mehmeti i II, i zënë me ekspeditat
që kreu në Azinë e Vogël kundër
sundimtarëve Karamanisë dhe Mendeshës,
nuk e trazoi Shqipërinë. Kjo i dha rast
Skënderbeut të merrte masa për forcimin
e mbrojtjes së vendit, të meremetonte kështjellën
e dëmtuar të Krujës dhe të ndërtonte
një kështjellë të re, në
Modricë, në grykën e Dibrës nga
ku hynin zakonisht ushtritë turke.
Por vitin tjetër, më 1452, kur i pati
duart e lira, Mehmeti i II dërgoi kundër
Shqipërisë në të njëjtën
kohë dy ekspedita me qëllim që ta vinin
ushtrinë e Skënder-beut midis dy zjarresh.
Por të dy këto ekspedita u thyen njera pas
tjetrës përpara se ato të bashkoheshin,
e para më 21 korrik në afërsitë
e Modricës ku u zu rob dhe komandanti turk Hamza
Pasha, dhe e dyta pak më vonë në fushën
e Meçadit ku ushtria turke u thye plotësisht
duke lënë të vrarë edhe komandantin
e saj, Talip Pashën. Oficerët turq që
zuri rob, Skenderbeu ia ktheu sulltanit pasi mori
prej tij një shpërblim prej 13 mijë
dukatash.
Në prillin e vitit 1453 një ushtri e re
turke, nën komandën e Ibrahim Beut, iu afrua
kufijve të Shqipërisë, por edhe kjo
u thye prej Skenderbeut në betejën që
u zhvillua më 22 prill, në fushën e
Pollogut, midis Dibrës dhe Tetovës.
Pak më vonë, më 29 maj 1453 Mehmeti
i II pushtoi Kostandinopojën dhe e bëri
këtë kryeqytetin e turqve. Rënia e
Kostandinopojës ose e Stambollit siç e
quajtën më vonë turqit kryeqytetin
e tyre shkaktoi një panik të madh në
Evropë. Mehmeti i II ose "Fatihu" (Pushtuesi),
siç filloi të mbiquhej nga turqit pas
pushtimit të Stambollit, ia drejtoi tani vëmëndjen
e vet pushtimit të Evropës që vazhdonte
të ishte e përçarë nga luftat
e brëndëshme. Venediku dhe Napoli, që
tani krenoheshin drejtpërdrejt, ishin të
zhytur në luftë me rivalët e tyre.
Venediku ishte në luftë me Milanon, Napoli
me Gjenovën dhe Firencën. Nga vënde
të ndrysme dolën zëra për të
organizuar një kryqëzatë të madhe
për të shpëtuar qytetërimin evropian
nga rreziku turk. U bë për këtë
qëllim, më 1453, një mbledhje e madhe
në Romë, por ajo nuk dha ndonjë rezultat.
Rezultat nuk dhanë as dy mbledhjet e tjera që
u bënë më 1454, në Ratisbonë
dhe Frankfurt mbi Main (Gjermani). Shtetet evropiane
vazhdonin të ishin të përçara.
Më 1454 Republika e Venedikut, me qëllim
që t'ua ngarkonte të tjerëve barrën
e luftës kundër turqve, nënshkroi me
sulltanin, më 18 prill 1454, një marrëveshje
paqje dhe miqësie.
Pas rënies së Kostandinopojës, Skënderbeu
i shtoi përpjekjet për të siguruar
aleancën me fuqitë e tjera evropiane. Ai
nisi delegatë në Napoli, Romë, Venedik
dhe Raguzë për të kërkuar ndihma
ushtarake dhe financiare. Alfonsit i kërkoi veç
të tjerave edhe topa, pa të cilët nuk
mund të merreshin kështjellat. Por Alfonsi
i dërgoi vetëm premtimin se do t'i jepte
Skënderbeut një pension prej 1.500 dukatash
në vit nga të ardhurat që do të
nxirrte prej kriporeve të Rodonit, të cilat
kishin kaluar në duart e mbretit të Napolit.
Papa u përgjegj me një ndihmë të
parëndësishme financiare. Venediku e siguroi
se do ta ruante miqësinë me të, prapa
këtyre fjalëve fshihej qëllimi i republikës
për ta lënë Skënderbeun të
përleshej me Mehmetin e II. Vetëm Raguza
i dha Skënderbeut një përkrahje të
rëndësishme politike. Ajo u bë ndërmjetëse
pranë Hungarisë, Sërbisë dhe Shqipërisë
për të formuar një koalicion luftarak
kunkër turqve. Kështu e vetmja shpresë
e shqipëtarëve mbeti tek lufta e përbashkët
me popujt ballkanikë.
Frika e formimit të koalicionit hungaro-serbo-shqiptar
e nxiti Mehmetin e II të kryente më 1454
një fushatë ushtarake kundër Serbisë,
për të hapur rrugën drejt Hungarisë.
Por Huniadi, në krye të ushtrive hungareze,
kaloi Danubin dhe e theu ushtrinë turke në
Serbi duke zënë rob edhe komandantin e saj,
Feriz Pashën.
Për të forcuar gjëndjen e brëndëshme,
Skënderbeu bëri përpjekje të afrohej
edhe me bujarët separatistë, me Arianitët
dhe Dukagjinët. Me ndërhyrjen e papës,
i cili i kërcënoi me mallkim, Dukagjinët
u pajtuan me Skënderbeun. Por marrëdhënjet
me Arianitët u prishën përsëri.
Më 1454. Gjergj Arianiti kaloi në anën
e Venedikut dhe i preu fare marrëdhënjet
me Skënderbeun. Autoriteti i tij, si duket tani
kishte rënë sepse pas vitit 1454 ai nuk
lojti ndonjë rol në ngjarjet politike të
Shqipërisë.
Për shkak të disfatës që pësuan
në Sërbi, turqit nuk kryen atë vit
ndonjë ekspeditë ushtarake kundër Shqipërisë.
Kjo i dha rast Skënderbeut që të përgatitej
për të marrë në dorë inisiativën
e luftës kundër turqve. Nga të dy kështjellat
kryesore të pushtuara prej turqve, ajo e Beratit
dhe Sfetigradit, në shtabin ushtarak të
Skënderbeut, u vendos të sulmohej më
parë kështjella e Beratit.