Faqja Kryesore  >> Historia  >> Skenderbeu
 

Historia e Shqipërisë - Skënderbeu

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Fitoret e Para (1444-1447)

Menjëherë pas mbylljes së kuvendit, kujdesin kryesor Skënderbeu ia kushtoi organizimit të ushtrisë dhe marrjes së masave të tjera mbrojtëse. Organizimi i ushtrisë ishte një punë që kërkonte një mund të madh. Ushtria duhej të krijohej brënda një kohe sa më të shkurtër. Në të njëjtën kohë duheshin meremetuar dhe forcuar kështjellat. Skënderbeu dhe shoket e tij e kishin të qartë se sulltani do t'i drejtohej sa më pare Shqiperise kryengritëse dhe se nga rezultati i ndeshjes me turqit varej gjithë fati i mëtejshëm i popullit shqiptar.

Gjatë pranverës së vitit 1444, Skënderbeu, sikurse na njoftojne biografët e tij të parë, doli personalisht fshat më fshat dhe bëri regjistrimin e ushtarëve, u shpjegoi fshatarëve rëndesinë e mobilizimit, meremetoi dhe focoi kalatë në të cilat vuri roje të forta, vëzhgoi shtigjet, grykat e luginat e vendit ku vendosi informatorë për të lajmëruar sa më parë afrimin e armikut. Në fund të majit, ushtria shqiptare prej rreth 10 mijë vetash, në pjesën më të madhe rekrutuar nga zotërimet e Kastriotëve, qe gati për të hyrë në luftë.

Rasti për t'u ndeshur me turqit erdhi shumë shpejt. Në qershor të vitit 1444, një ushtri turke prej rreth 25 mijë vetësh, e komanduar nga Ali Pasha, hyri në Shqipëri nga lugina e Drinit të Zi në drejtim të Dibrës. Skënderbeu, i lajmëruar për afrimin e turqve, u doli përpara me ushtrinë e re shqiptare. Të dy ushtritë u rreshtuan ballë për ballë në fushën e Dibrës, Më 29 qershor, sipas planit të Skënderbeut, ushtria shqiptare e ndarë në tri pjesë, manovroi me mjeshtëri dhe tërhoq sikur të ishte e thyer deri sa e futi ushtrinë turke në fushën ngushtë të Torviollit të rrethuat me male e pyje. Kur Ali Pasha kujtoi se i kishte zënë shqiptaret, në kurth, u gjend papritmas i rrethuar nga forcat shqiptare që ishin fshehur në pyje, të cilët i sulmuan turqit nga të gjitha anët derisa i shpartalluan plotësisht. Turqit lanë në fushën e betejës 7 mijë të vrarë dhe në duart e shqiptarëve gati 500 robër. Shqipëtarët patën afërsisht 3800 të vrarë e të plagosur.

Me gjithë humbjet e mëdha, fitorja Torviollit, u prti me entuziazëm të madh si në Shqipëri ashtu dhe në vendet e ndryshme të Evropës. Besimi i popullsisë shqiptare te Skënderbeu dhe te ushtria e re u përforcua. Jehona e saj i bëri fuqitë evropiane, që po përgatisnin ato muaj një kryqëzatë të re kundër turqve ta drejtonin vemendjen e tyre edhe nga Shqipëria.

Hungarezët, të cilët ishin tërhequr nga Ballkani filluan përgatitjet për një fushatë ushtarake të re kundër turqve. I trembur nga këto përgatitje, sulltan Murati i II i kërkoi paqë Hungarisë, Vladislavi, mbreti i Hungarisë dhe i Polonisë e pranoi paqën dhe kjo u nënshkrua në Seged, më 12 korrik 1444. Në bazë të saj, Murati i II hiqte dorë nga sulmet kundër Hungarisë dhe ndër të tjera i kthente Gjergj Brankoviçit, që u bë vasal i tij, Serbinë, Këtij i njihte edhe zotërimet që ky mbante në Shqipëri (Drishtin, krahinat në krahun e djathtë të Bunës, etj.). Pas nënshkrimit të paqës, Murati i II abdikoi nga froni turk në favor të birit të tij, Mehmetit të II.

Por paqja e Segedit e nënshkruar për 10 vjet nuk vazhdoi as 6 javë. Me shtytjen e papës, i cili i premtoi ndihma të konsiderueshme Vladislavit, ky e shkeli marëveshjen dhe përgatiti një ushtri prej 14 mijë hungarezësh, polakësh e rumunësh ndërsa një pjesë e flotës papale do të dilte në grykat e Dardaneleve për t'i bllokuar rrugën ushtrise turke që të kalonte nga Azia Vogël në Ballkan.

Ndërkohë Vladislavi u vu në lidhje edhe me Skënderbeun dhe i kërkoi këtij të fillonte sulmet kundër turqve prapa krahëve në kohën kur trupat hungare-polake do të sulmonin nga veriu. Përgatitjet e hungarezëve ngjallën shpresa të mëdha si në Ballkan ashtu edhe në Shqipëri. Në vjeshtë, kur forcat e Vladisiavit krapërxyen Danubin dhe arritën pa gjetur ndonjë kundërshtim të madh deri në Bullgari pranë qytetit Varna, ku vendosën kampin e tyre, në Shqipëri forca të rëndësishme shqiptare, të komanduara nga Gjergj Arianiti, hynë thellë në Maqedoni.

Por fushata hungareze këtë radhë qe fatkeqe. Murati i II, i cili u kthye persëri në fron, grumbulloi me të shpejtë në Azinë e Vogël, një ushtri te madhe turke dhe me ndihmën e anijeve gjenoveze kaloi Bosforin dhe u duk befas para kampit të Varnës. Në betejën e ashpër që u zhvillua këtu me 10 nëndor 1444 ushtritë e Vladislavit u thyen shumë keq, duke mbetur edhe ai vetë i vrarë. Huniadi mezi mundi të shpëtonte me mbeturinat e ushtrisë hungareze. Shpresat e popujve ballkanikë që ishin lidhur me ekspeditën madhe të Varnës, pësuan një tronditje të madhe. Disfata hungaro-polake i la dorë të lirë sulltanit t'i drejtonte ushtritë e veta për të shtypur kryengritjet në Ballkan. Fuqitë shqiptare u detyruan të tërhiqeshiri nga Maqedonia, dhe të përgatiteshin për t'u mbrojtur nga ekspeditat e turqve.

Turqit iu drejtuan Shqipërisë më 1445. Por edhe këte radhë ata nuk mundën të depërtonin në thellesi të vendit. Më 10 tetor 1445 kalorës akinxhij, të ardhur nga Ohri u ndeshën me forcat shqiptare në fushën e Mokrës (fusha e Domozdovës) dhe u thyen keqas. Po këtë fat pësoi në vitin tjetër, më 1446, ushtria turke, e nisur nga Shkupi, e cila u thye në fushën e Otonetës, në Dibrën e Sipërme.

Fitoret që korrën në tri vjetët e para kundër turqve, ushtarakisht më të fortë, shkaktuan shqetësimin jo vetëm të turqeve, por edhe të një fuqie tjetër, të Republikës se Venedikut.

Skënderbeu

Kuvendi i Lezhës
Fitoret e Para
Lufta kundër Venedikasve dhe Turqve
Rrethimi I i Krujës
Formimi i Shtetit Shqiptar
Politika e Jashtme
Rënia e Kostandinopojës
Beteja e Beratit
Shqipëria në Arenën Ndërkombëtare
Rrethimi II i Krujës
Rrethimi III i Krujës
Rrethimi IV i Krujës


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003