Faqja Kryesore  >> Historia  >> Skenderbeu
 

Historia e Shqipërisë - Skënderbeu

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Kuvendi i Lezhës (1444)

Qëllimi i Skënderbeut ishte çlirimi i krejt vendit dhe lufta kundër shkelësve turq me forcat e përbashkëta të të gjithë shqiptarëve, me ushtri të rregullt dhe të organizuar.

Për t'ia arritur këtij qëllimi, Skënderbeu sapo mori Krujën. filloi bisedimet paraprake me bujarët shqiptarë. Këto bisedime, vazhduan edhe në fillim të vitit 1444. Fitoret që po korrte Huniadi, lajmet që qarkullonin në ato muaj se në vendet e ndryshme të Evropës qëndrore e perëndimore po bëheshin përpjekje për të organizuar një fushatë të re ushtarake kundër turqve, suksesi i shpejtë që korri Skënderbeu në çlirimin e zotërimeve të Kastriotëve si dhe gadishmëria e mbarë popullit për të luftuar kundër turqve, i bindi bujarët shqiptarë se kishte ardhur koha që të çliroheshin edhe ata nga zgjedha e sulltanit dhe të rifitonin zotërimet e tyre të mëparëshme. Ne këto rrethana, ftesa e Skënderbeut për të mbajtur një kuvend të përgjithshëm gjeti pëlqimin e pothuajse të gjithë bujarëve shqiptarë. Kuvendi u vendos të mblidhej në fillim të marsit. Mbledhja u caktua të bëhej në qytetin e Lezhës që ishte nën zotërimin e Venedikut, për të mos ngjallur dyshimin e republikës dhe për të evituar pakënaqësinë e bujarëve, që mund të shkaktohej në qoftë se mbledhja bëhej në një nga domenet feudale. Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës u ftuan të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kuvend.

Kuvendi u çel më 2 mars 1444 pranë katedrales së Shën Kollit të Lezhës. Midis bujareve që moren pjesë në kuvend qenë udhëheqësit e kryengritjeve të mëparëshme: Gjergj Arianiti, Andre Topia, Nikollë Dukagjini dhe Teodor Korona Muzaka.

Personalitete të tjera të rëndësishme qenë gjithashtu Pal Dukagjini, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani,Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviçi dhe mjaft feudalë të tjerë. Në kuvend morën pjesë edhe përfaqësues të fiseve malësore.

Çështja kryesore që u bisedua në kuvend qe ajo e bashkimit të vendit në luftën kundër turqve. Skënderbeu, pasi u foli pjesëmarrësve të kuvendit mbi të kaluarën e tij dhe arësyet që e kishin detyruar të shërbente si sanxhakbej i sulltanit, u theksoi atyre nevojën e bashkimit të forcave të vendit per të marrë pjesë në luftën kundër turqve tani që fitorja e hungarezëve kishte hapur prespektiva për çlirimin e popujve të Ballkanit. Në përfundim të bisedimeve, bujarët shqiptarë, megjithëse në shumë çështje kishin divergjenca të theksuara, u shprehën në mënyrë të njëzëshme për bashkimin e tyre në luftë kundër turqve, bashkim ky në shkallë kombëtare që ndodhte, nga sa dihet, per të parën herë në historinë e Shqipërisë feudale. Me pëlqimin e pjesëmarrësve kuvendi vendosi formimin e një besëlidhjeje e cila njihet me emërin "Lidhja shqiptare", ose "Lidhja e Lezhës" Lidhja shpalli Skënderbeun kryetar të saj.

Një vendim tjetër me rëndësi që mori kuvendi i Lezhës qe formimi i një ushtrie shqiptare me repartet që do të rekrutonin si Skënderbeu ashtu dhe bujarët e tjerë në zotërimet e tyre. Komandant i saj u caktua gjithashtu Skënderbeu, me titullin "kapiten i përgjithshëm" (Capitaneus generalis) ndërsa komandantët e reparteve të veçanta do të caktoheshin nga vetë bujarët. Përveç ushtrisë, kuvendi vendosi të krijonte edhe një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Fondi do të krijohej me kontributet që do të jepnin bujarët shqiptarë si dhe me një pjesë të të ardhurave të kriporeve të Shën-Köllit që ndodheshin në veri të Durrësit. Kontributi që premtuan të jepnin bujaret arriti në shumën e rëndësishme prej 200 mijë dukatësh ari.

"Lidhja Shqiptare" kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake të krijuar për nevojat e luftës kundër pushtuesve turq, por secili bujar pjesëmarës e ruante autonominë e vet, Skënderbeu, si kryetar, ishte në këtë kohë vetëm një "i parë midis të barabartëve" dhe nuk gëzonte asnjë të drejtë të ndërhynte në zotërimet e bujarëve të tjerë. Megjithatë, caktimi i një udhëheqësi të vetëm politik e ushtarak kishte një rëndësi të madhe, ishte një hap përpara në kapërximin e përçarjes feudale. Në duart e Skënderbeut, i cili fitoi një prestigj dhe autoritet në radhët e masave popullore si çlirimtar i zotërimeve të gjëra të Kastriotëve, "Lidhja e Lezhës" u bë një mjet për bashkimin politik të mbarë popullit shqiptar në luftën kundër pushtuesve turq.

Republika Raguzes, ndonse premtoi, nuk dërgoi ndonjë perfaqësues në kuvend. Edhe Republika e Venedikut nuk mori pjesë zyrtarisht. Ajo dërgoi këtu vetem një vëzhgues. Republika, e cila ishte në paqë me sulltanin dhe nuk donte t'i prishte marrëdhëniet me të, u dha shqiptarëve, me anën të vëzhguesit të saj, vetëm premtime të thata. Ajo bile, vrapoi të nxirrte përfitimet e veta. Duke përdorur si pretekst rrezikun e shqiptarëve, republika hyri në bisedime me turqit, dhe u kërkoi Vlorën e Kaninën. Por këto qytete sulltani nuk i lëshoi.

Skënderbeu

Kuvendi i Lezhës
Fitoret e Para
Lufta kundër Venedikasve dhe Turqve
Rrethimi I i Krujës
Formimi i Shtetit Shqiptar
Politika e Jashtme
Rënia e Kostandinopojës
Beteja e Beratit
Shqipëria në Arenën Ndërkombëtare
Rrethimi II i Krujës
Rrethimi III i Krujës
Rrethimi IV i Krujës


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003