Lufta kundër pushtuesëve
turq dhe fitoret e korrura që sollën çlirimin
e vendit, krijuan kushtet e favorëshme për
formimin e shtetit shqiptar të pavarur.
Lidhja shqiptare e Lezhës, e themeluar më
1444, që shërbeu për forcimin dhe zgjerimin
e frontit të luftës kundër pushtuesve
turq, ishte vetëm një aleancë politike
dhe ushtarake midis zotërve feudale shqiptarë.
Bujarët, të cilët morën përsipër
të ndihmonin luftën me ushtri dhe me të
holla, i ruajtën për vehte në zotërim
e tyre të drejtat feudale si edhe të drejtën
të largoheshin nga lidhja pa pësuar asnjë
ndëshkim apo sanksion. Skënderbeu qe kryetar
i Lidhjes vetëm përsa i përkiste luftës
së përbashkët kundër turqve osmanllij
dhe nuk mund të ndërhynte në administrimin
e zotërimeve të tjera. Ai qe zot feudal
vetëm në zotërimin e vet dhe komandant
i ushtrisë së Lidhjes shqiptare.
Por Lidhja e Lezhës, e cila i dha Skënderbeut
në vitet e para një mbështetje të
rëndësishme për luftën me sukses
kundër shkelësve turq, nuk ishte më
në gjëndje t'u përgjigjej detyrave
të reja. Partikularizmi i bujarëve dhe e
drejta e imunitetit që ata ruanin me xhelozi,
e bë një pengesë për zhvillimin
e mëtejshëm të luftës, e cila
kërkonte mobilizimin e të gjitha forcave
njerëzore dhe burimeve materiale të vendit,
gjë që mund të bëhej vetëm
me përqëndrimin e pushtetit politik. Pavarësia
e veprimeve që ata gëzonin dhe e drejta
që ruanin për t'u larguar nga Lidhja shqiptare,
sidomos në momentet më kritike, ishte një
rrezik i përhershëm për Skënderbeun
që kishte përgjegjësinë kryesore
të luftës, aq më tepër kur qëndrimin
e lëkundshëm të bujarëve e shfrytëzonin,
bile e nxitnin fuqitë armike, turqit dhe venedikasit.
Nevoja e zhvillimit të mëtejshëm
të luftës së madhe, në të
cilën u angazhuan shqiptarët, e bënë
Skënderbeun të thyente partikularizmin e
feudalëve. Pikëmbështetje për
këtë u bë rritja e prestigjit dhe e
autoritetit të tij që erdhi si pasojë
e luftës së drejtë dhe e fitoreve ushtarake.
Ushtria shqiptare që u formua për nevoja
të mbrotjes, u lidh nga pikëpamja organizative
direkt me komandantin e vet. Përveç Arianitëve
dhe Dukagjinëve, zotërimet e të cilëve
kishin qëndruar deri diku edhe më parë
jashtë kontrollit të turqve, bujarët
e tjerë i kishin dëbuar nga domenet e tyre
spahijtë turq dhe i gëzonin këto domene
vetëm në sajë të fitoreve që
po korrte ushtria shqiptare nën udhëheqjen
e Skënderbeut. Të dobët dhe të
përçarë, ata ishin të varur
nga Skënderbeu, pasi pa përkrahjen e tij
nuk mund t'i rezistonin dot furisë turke. Edhe
feudalë të mëdhenj si Topiajt, Muzakët,
Stres-Balshët, e kishin lidhur tashmë fatin
e tyre me atë të Skënderbeut. Muzakët,
për shembëll, të cilët e kishin
shtënë në dorë Beratin pas fillimit
të kryengritjes së përgjithëshme
të Skënderbeut, kur forcat shqiptare më
1450 ishin të angazhuara në luftën
e Krujës, e humbën përsëri qytetin
e tyre të rëndësishëm dhe për
të rifituar u duhej prap ndihma e Skenderbeut.
Në interes të luftës dhe kur fati i
saj ishte në lojë, Skënderbeu nuk i
përfillte privilegjet e feudalëve partikulariste.
Gjatë veprimeve ushtarake ky i shkeli kufijtë
e dorreneve të tyre. Në keshtjellat e feudalëve
aleatë vendosi garnizone ushtarake besnike, gjë
që prekte të drejtat e tyre të imunitetit.
Nevoja për të mbushur radhët e ushtrisë
shqiptare që dëmtohej dhe pakësohej
gjatë luftimeve me turqit, e shtynë Skënderbeun
të mobilizonte ushtarë me inisiativën
e vet, sidomos në zotërimet e feudalëve
të dobët e fqinj. Kështu dalëngadalë
dhe njëri pas tjetrit zotërimet e feudalëve
të vegjël filluan të shkriheshin ose
të "aneksoheshin", siç shkruan
bujari shqiptar Gjon Muzaka, në principatën
shqiptare të Skënderbeut.
Një etapë të rëndësishme
në këtë drejtim shënoi fitorja
e madhe që korri Skënderbeu nën muret
e Krujës. Prestigji dhe autoriteti që ai
siguroi nga kjo fitore si brënda ashtu dhe jashtë
vendit e eklipsoi edhe më tepër autoritetin
e bujarëve aleatë. Në fakt, edhe bujarët
Topia, Muzakaj, Stres-Balshë, e humbën ca
nga ca profilin e tyre si zotër feudalë
të pavarur. Pasojë e këtij proçesi
qe shkrirja e këtyre zotërimeve feudale
së bashku me atë të Kastriotëve,
në një njësi shtetërore me vehte
duke formuar kështu shtetin shqiptar të
pavarur, nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Në këtë shtet kufijtë e mëparshëm
të shumë zotërimeve feudale tani në
fakt nuk ekzistonin më.
Ky proçes, i cili tani vetëm sapo kishte
filluar, vazhdoi në mënyrë të
pandërprerë në vitet e mëvonëshme.
Skënderbeu nuk i kurseu as bashkëpuntorët
dhe të afërmit e vet. Bujari Gion Muzaka
shkruan se Skënderbeu "pasi u bë kryekomandant
i zotërijve të Shqipërisë... vendosi
të shtinte në dorë gjithë vendin...
Ai vuri në burg zotërijtë Gjon dhe
Gojko Balsha... dhe ua mori shtetin e tyre që
ishte midis Krujës dhe Lezhës, zotit Moisi
Komnenit i mori shtetin që ishte në Dibër...
Dhe pasi vdiq im atë, na mori neve Tomoricën
dhe Myzeqenë e Vogël dhe po ashtu ua bëri
edhe zotërijve të tjerë, por ata s'kishin
se ç'të bënin sepse ai kishte në
dorë ushtrinë dhe ata kishin gjithmonë
turkun mbi krye".
Kjo politikë shkaktoi pakënaqësinë
në radhët e feudalëve të mëdhej.
Të pafuqishëm për ta penguar forcimin
e autoritetit të Skënderbeut, disa prej
tyre filluan të largoheshin nga Lidhja shqiptare,
dhe kërkuan mbështetjen e Venedikut ose
përkrahjen e Napolit, ose edhe kaluan në
tradhëti të hapët, duke u bashkuar
me turqit. Kështu, pas fitores së Krujës,
Skënderbeut iu desh të përballonte
edhe rrezikun e brendshëm që lindi nga largimet
dhe tradhëtitë e aleatëve. Në
përfundim të luftës kundër feudalëve
separatistë, Lidhja shqiptare e Lezhës pothuajse
e humbi krejt kuptimin e vet. Shteti shqiptar që
erdhi duke u rritur e forcuar, mori përherë
e më tepër karakterin e një shteti
të përqëndruar.
Me gjithë shtrirjen e shtetit shqiptar në
një teritor që përfshinte pak a shumë
krahinat e Shqipërisë së mesme, Skënderbeu
nuk mundi t'i shkrinte dot në shtetin e vet dy
nga zotërimet më të mëdha të
vendit, ato të Dukagjinëve dhe Arianitëve.
Zotërit e këtyre zotërimeve e ruajtën
të drejtën si sundimtarë më vehte
edhe më vonë. Më 1448, gjatë nënshkrimit
të paqës me Republikën e Venedikut,
kundër së cilës luftuan edhe vëllezërit
Pal e Lekë Dukagjini, këta nuk pranuan të
merrnin pjesë së bashku me Skënderbeun
në bisedimet me delegatët venedikas dhe
nënshkruan me republikën një paqë
të veçantë. Gjergj Arianiti gjithashtu
vazhdoi ta konsideronte Skënderbeun si një
aleat, pa iu nënshtruar vullnetit të tij.
Përpjekjet e Skënderbeut për të
nënshtruar feudalët e mëdhej dhe për
ta përqëndruar pushtetin në duart e
tija, nuk drejtoheshin aspak kundër vetë
rendit feudal. Skënderbeu ishte armik vetëm
i feudalëve partikularistë shqiptarë
sepse privilegjet e tyre dëmtonin çështjen
kryesore në ishte lufta kundër turqëve.
Në luftën kundër partikularizmit feudal,
Skënderbeu u mbështet në shtresën
e feudalëve të vegjël të dalluar
në luftë, të cilët i përkrahu,
duke u dhënë me duart e tij, feude në
formë pronash. Skënderbeu krijoi kështu
nga njëra anë kuadro ushtarake besnike në
luftën kundër turqve, e nga ana tjetër
një mbështetje të sigurtë në
përpjekjet për t'ua pakësuar pushtetin
bujarëve të vjetër feudalë.
Shteti shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut,
duke u rritur në një ambient luftash të
vazhdueshme, pati në organizimin e vet, një
karakter kryesisht ushtarak. Gjithë kujdesi i
Skënderbeut dhe i bashkëpuntorëve të
tij iu kushtua ushtrisë dhe ndërtimit të
fortifikimeve. Administrata shtetërore me aparatet
e saj të veçanta (financë, rekrutim,
etj.), kryente funksione që i shërbenin
drejt për së drejti luftës.