Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Arkitektura në shek. XVI-XVII

Me pushtimin e Shqipërisë feudalët turq u interesuan në fillim vetëm për ato ndërtime që plotësonin nevojat e tyre ushtarake, për ndërtimin ose rindërtimin e kalave, urave, etj., si dhe për nevojat e kultit të tyre Islam për ndërtimin e xhamive, teqeve, tyrbeve, etj. Turqit nuk sollën me vehte ndonjë stil të veçantë në arkitekturë. Në ndërtimet e tyre të para ata futën në përdorim teknikën, stilin dhe elementet arkitektonike që gjetën në vendet e pushtuara, të cilat i përvehtësuan me anën e mjeshtërve vendës. Këtë na e tregon kalaja e Elbasanit, kalaja e parë e ndërtuar nga turqit në Shqipëri mbi themelet e një kalaje të vjetër (1466) teknika dhe stili i saj nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga teknika dhe stili i kalave të tjera mesjetare paraturke.

Qysh në fillim të sundimit të tyre turqit i kushtuan kujdes të veçantë faltoreve islame. Edhe sot qëndrojnë në këmbë disa nga xhamitë e ndërtuara qysh në shek. XV (Xhamia Mbret në Elbasan, xhamia e Bajazidit të II në Berat, Xhamia e Imrahorit në Korçë). Por edhe në këto faltore turqit futën pak elemente të reja. Kubeja qendrore e xhamisë dhe shtyllat e sofasë janë një përvetësim i kubesë dhe shtyllave të kishave bizantine në Shqipëri.

Lidhur me kultin e tyre, turqit përhapën gjithashtu tipin e mauzoleut oriental, tyrben, e cila qe diçka e re, kurse banjat publike që i ndërtuan në qytete s'ishin gjë tjetër veçse vazhdim i traditës bizantine. Si tyrbet edhe banjat janë shumë të thjeshta, pa as ndonjë dekoracion. Edhe urat, në përgjithësi, nga pikëpamja e teknikës dhe e stilit nuk kanë ndonjë ndryshim nga urat e vjetra. Ato u ndërtuan si gjithë veprat e tjera, prej mjeshtërve muratorëve vendës.

Në ndërtimin e shtëpive të thjeshta popullore përgjithësisht u ruajtën traditat shqiptare të vjetra. Stili turk-oriental duket se nuk u përhap gjatë këtyre dy shekujve në Shqipëri. Nga pikëpamja arkitektonike, shtëpitë e ndërtuara gjatë kësaj kohe janë të thjeshta. Vetëm feudalët filluan të ndërtonin, gjatë shek. XVII, saraje të bukura të kushtueshme.

Shek. XVI ka qenë një nga shekujt më të varfër përsa i përket ndërtimit të faltoreve të krishtera, pasi sundimtarët turq ndaluan ndërtimin e kishave dhe manastireve të reja. Nëpër fshatra të largëta, ku nuk ndihej dora e autoriteteve feudale turke, mund të jetë ndërtuar ndonjë kapele e parëndësishme nga pikëpamja arkitektonike.

Por gjatë shek. XVII filluan të ndërtoheshin përsëri një numur faltoresh të krishtera në Shqipëri. Gjysma e parë e këtij shekulli karakterizohet me ndërtimin e faltoreve me kube sipas traditës së vjetër të stilit bizantin por edhe me ndikime perëndimore (kisha e Fjetjes së Shën-Mërisë në manastirin Goranxi afër Gjirokastrës me kube të stilit gjysëm-gook ndërtuar me 1600). Më vonë, nga gjysma e dytë e këtij shekulli, ndryshoi stili arkitetonik në ndërtimin e faltoreve të krishtera. Ato nuk janë me stilit bizantin, në formë kryqi me kube që duket mbi çatinë, por të stilit bazilikal, në formë katërkëndësh këndrëjtë të ndarë në drejtimin gjatësor të tyre me shtylla me tri anije, me kube hemisferike të mbuluar nga çatia për të mos u dukur nga jashtë dhe me një ose tri gungore (absida) nga lindja. Largimi nga tradita vjetër e stilit bizantin me kube dhe me stolisjet e tjera nga jashtë dhe përdorimi i stilit bazilikal, i cili nga pamja e jashtme paraqitet i thjeshtë dhe u ngjet shtëpive të zakonëshme, u shkaktua nga nevoja që këto faltore të mos u binin në sy turqve fanatikë.

Në krahinat e Shqipërisë së veriut, për shkak të varfërimit të vazhdueshëm dhe të trazirave të shpeshta, vendin e kishave dhe të katedrave të mëparëshme të rrënuara e zunë kishat ose kapelat e thjeshta si dhe altarët e varfëra të vendosura në vende të hapura, pa asnjë vlerë artistike dhe arkitektonike.

Sundimi Turk

Timaret në Shek. XVI
Riorganizimi Administrativ
Marrëdhëniet Tregtare
Marrëdhëniet Agrare
Zhvillimi i Qyteteve
Kryengritjet e 1571
Kuvendet e Matit
Ekspeditat Turke
Projekti i Pjetër Budit
Përhapja e Islamizmit
Kryengritjet e Shek. XVII
Rezultatet e Kryengritjeve
Arsimi në shek. XVII
Fillimet e Letërsisë
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003