Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Projekti i Pjetër Budit (1621)

Pas dështimit të ekspeditës së Dukës së Neverës, inisiativën për të ringjallur interesimin e papës dhe të shteteve të tjera e mori kalorësi boshnjak Bertuçi. Qysh nga viti 1595 ky ishte në kontakt me krerët shqiptarë dhe me premtimet që u bënte këtyre për ndihma ushtarake, përkrahje politike dhe shpërblime të mëdha kishte siguruar deri diku simpatinë e tyre. Në oborret evropiane Bertuçi e paraqiste vehten si udhëheqës të një ushtrie kryengritesish prej 30 mijë shqiptarësh dhe 50 mijë boshnjakësh. Ai kishte hartuar disa projekte për çlirimin e krejt Ballkanit me të cilat u kërkonte shteteve evropiane ndihma armësh dhe kuadrosh ushtarake. Pasi kishin dështuar përpjekjet pranë Selisë së Shenjtë Romake, projektin e vet Bertuçi ia paraqiti mbretit të Spanjës.

Në të njëjtën kohe edhe Pjetër Budi përpiqej më 1618 në Romë që të siguronte për shqiptarët ndihma armësh dhe kuadrosh ushtarake evropiane. Por përpjekjet e tij nuk kishin dhënë ndonjë fryt. Më 1621, kur ndodhej në Romë dhe përgatitej të nisej për në Shqipëri, Pjetër Budi me një relacion të hollësishëm drejtuar kardinalit Gocadino, përkrahte projektin e kalorsit Bertuçi dhe kërkonte vënjen e tij në jetë.

Relacioni i Budit është një dokumemt i rëndësishëm i shekullit XVII. Përveç lajmeve ekonomike, shoqërore dhe gjeografike mbi Shqipërine, ai na jep një pasqyrë mbi gjëndjen politike të popullit shqiptar pas 50 vjet kryengritjesh të vazhdueshme. Në relacion del qartë se ekspeditat e tërbuara të turqëve, mos pranimi i shteteve evropiane për të ndihmuar kryengritësit shqiptarë dhe dështimet e kryengritjeve të shumta që kishin ndodhur pas vitit 1571, nuk ua kishin thyer vullnetin dhe vendosmërinë shqiptarëve për të vazhduar luftën kundër sundimtarëve turq. Me 1621, rreth 30 mijë shqiptarë ishin gati të rrëmbenin armët kundër turqëve sapo të zbarkonte në Shqipëri ndonjë ekspeditë evropiane. Popullsia e krishterë, raportonte Pjetër Budi, do të luftonte krahas popullsisë myslimane me të cilën ishin në marrëveshje. Veç kësaj, edhe mjaft veta nga paria myslimane ishin gati të merrnin pjesë në kryengritje pasi edhe për këta pesha e sundimit të sulltanit ishte bërë e padurueshme. Në sajë të marrëveshjes me ushtarët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë turke, kalatë e vendit do të binin menjëherë dhe pa luftë në duart e kryengritësve shqiptarë. Shqiptarët, shkruante Budi, nuk kanë nevojë për asgjë tjetër, "veçse për një princ që t'u ndihmojë me njerez, veçanërisht me njerëz për komandë dhe me municione, sepse janë mjaft ata vetë, për t'i qëndruar armikut turk me forcat e veta". Dhe koha më e përshtatshme për një ekspeditë ishte pikërisht viti 1621, theksonte Budi, "sepse vendi ishte pa ushtri turke, me qenë se të gjithë kishin shkuar në luftë kundër polakëve. Dhe, po të bëhej kjo ekspeditë, vazhdonte Budi, u jepet zemër polakëve dhe vete perandorit, i cili edhe ky do t'i drejtome armët kundër turqve... ".

As projekti i Bertuçit, as relacioni i Budit nuk e bindën papën dhe shtetet e tjera evropiane t'u përgjigjeshin thirrjeve të kuvendeve shqiptare. Refuzimet e vazhdueshme të të huajve dhe, më keq, shkeljet e premtimeve që bënin e shtuan mosbesimin e shqiptarëve ndaj tyre. Në fillim të vitit 1622, Budi, me t'u kthyer në Shqipëri, mblodhi në një kuvend të posaçëm klerin katolik të tri dioqezave (Zadrimës, Shkodrës dhe Lezhës) të cilët i bindi të betoheshin që të mos pranonin asnjë peshkop të huaj në këto dioqeza dhe, në qoftë se do të dërgohej ndonjë i tillë, të nxirrnin preteksin se këta nuk e njihnin as gjuhën e as zakonet e vendit. Arsyeja ishte se këto peshkopë qenë të pa dëshirueshëmnë Shqipëri, pasi vepronin në dobi të shteteve të huaj. Pas dhjetë muajsh, Pjetër Budi, gjatë udhëtimit për në Malësinë e Madhe, u mbyt nga armiqtë e tij kur po kalonte lumin Drin.

Mungesa e armëve dhe e përkrahjes politike sollën rënjen e hovit të kryengritjeve të armatosura në Shqipëri dhe në Ballkan. Në fakt, për 25 vjet me radhë (1613-1638), kronikat nuk bëjnë fjalë për kryengritje në Shqipëri dhe për një kohe edhe më të gjatë në vendet fqinje.

Gjatë kësaj kohe në Evropë ishin përhapur lajme gati legjendare mbi trimërinë dhe gadshmërine e shqiptarëve për të luftuar kundër turqve. Si dhe më parë, një varg personalitetesh të huaja, midis të cilëve dhe disa aventurierë, vazhdonin t'u paraqisnin oborreve evropiane "projekte" të hollësishme, me anën e të cilave merrnin përsipër po t'u jepeshin ndihmat e kërkuara, t'i dëbonin turqit nga Shqipëria dhe Ballkani. Por edhe këto projekte, megjithëse ngjallën për disa kohë interesimin e shteteve evropiane, nuk dhanë asnjë rezultat.

Sundimi Turk

Timaret në Shek. XVI
Riorganizimi Administrativ
Marrëdhëniet Tregtare
Marrëdhëniet Agrare
Zhvillimi i Qyteteve
Kryengritjet e 1571
Kuvendet e Matit
Ekspeditat Turke
Projekti i Pjetër Budit
Përhapja e Islamizmit
Kryengritjet e Shek. XVII
Rezultatet e Kryengritjeve
Arsimi në shek. XVII
Fillimet e Letërsisë
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003