Vatra kryesore e këtyre veprimeve
në Shqipërinë e veriut ishte sanxhaku
i Dukagjinit. Akoma në fillim të shek. XVI,
Dukagjini ishte i vetmi sanxhak i Rumelisë pa
spahij dhe pa sanxhakbej të vetin. Për të
mos e lënë pa sanxhakbej, Stambolli, këtë
sanxhak ia bashkonte sanxhakbejlerëve të
tjerë, më shpesh sanxhakbeut të Vlorës.
Zyrtarisht ky mbante titullin sanxhakbeu i Vlorës
dhe i Dukagjinit. Por në të vërtetë
ky nuk ushtronte asnjë autoritet në krahinat
e Dukagjinit.
Me kryengritjet e vazhdueshme që shpërthenin
sidomos kur Turqia ishte e zënë në
luftë kundër shteteve të tjera, malsorët
e sanxhakut të Dukagjinit ishin një kërcënim
i përhershëm dhe serioz për turqit.
Rruga që lidhte Shkodrën me Prizrenin, pasi
kalonte përmes tokave të këtij sanxhaku,
ishte vazhdimisht e pasigurtë. Kur fillonin kryengritjet
ajo praktikisht bëhej e papërdorëshme.
Veç kësaj, edhe kur kryengritjet pushonin,
malësorët organizonin nga këto krahina
inkursione plaçkitëse kundër viseve
fushore duke dëmtuar edhe spahijtë. Ushtritë
turke megjithëse vazhdimisht kishin kundërvepruar,
kurrë nuk kishin mundur t'i nënshtronin
një herë e mirë këto krahina.
Prandaj tani, në fillim të shek. XVII, sapo
u çliruan nga lufta me Austrinë e Hungarinë,
turqit organizuan ekspedita të mëdha ushtarake
kundër krahinave të Dukagjjnit. Barra e
ekspeditës i u ngarkua sanxhakbejlerëve
të Shkodrës dhe të Prizrenit.
Dukagjinasit u përgatiten t'u bënin ballë
operacioneve turke. Për t'u pajisur me armë
këtë radhë pleqtë e kuvendeve,
me anën e delegatit të tyre, peshkopit Nikollë
Mekajshit, iu drejtuan për ndihmë Mbretërisë
së Spanjës. Më 1609, N. Mekajshi i
paraqiti nga Roma mbretit spanjoll, Filipit të
II, një relacion mbi kushtet e favorëshme
të luftës së shqiptarëve. Më
1610 ai i paraqiti një relacion të dytë.
Por mbreti Filip nuk donte t'i prishte marrëdhëniet
me Turqinë, prandaj iu përgjegj krerëve
shqiptare të "prisnin kohën më
të përshtatëshme". Pasi u zhdukën
shpresat e ndihmës së spanjollëve,
po atë vit N. Mekajshi i paraqiti papës
një projekt mbi organizimin e kryengritjes në
Shqipëri. Ai i thoshte papës në këtë
projekt, se krahas shqiptarëve të krishterë,
në kryengritjen kundër turqve do të
mernin pjesë edhe shumë shqiptarë myslimanë
të pasur, të cilët kishin frikë
se ndonjë ditë sulltani do t'i vriste për
tu grabitur pasurinë. Në projekt thuhej
gjithashtu se kështjellat do të pushtoheshin
prej shqiptarëve kryengritës në marrëveshje
me shqiptarët myslimanë që shërbenin
si roje në to. Por edhe papa nuk i mori parasysh
këto kërkesa. Përgjigje negative dhanë
gjithashtu duka i Mantoves dhe ai i Savojës.
Ekspedita turke filloi po atë vit, më
1610. Sanxhakbeu i Shkodrës në krye të
ushtrive të veta hyri me forcë në luginën
e Drinit. Në të njëjtën kohë,
nga lindja u nisën ushtritë e sanxhakbeut
të Prizrenit. Malsorët, të armatosur
me armë primitive, nuk mundën t'i bënin
dot ballë vërshimit të ushtrive turke.
Ushtritë e të dy sanxhakbejlerëve u
takuan në Vaun e Dejës dhe, për të
siguruar qarkullimin e tyre të rregullt në
rrugën Shkodër-Prizren, vendosën nëpër
qyteza gjatë rrugës garnizone ushtarësh
me komandantë spahij shqiptarë. Turqit kryen
operacione edhe në thellësitë e krahinave
malore, u shkaktuan dëme të mëdha malsorëve,
por autoritetin e tyre nuk mundën ta vendosnin
përfundimisht. Ata mundën të ushtronin
një farë kontrolli vetëm në fshatrat
që ndodheshin afër rrugës dhe pranë
qytezave.
Me vendosjen e garnizoneve turke, Dukagjini e humbi
rëndësinë si vatra kryesore e qëndresës
së malsorëve në veri të Shqipërisë.
Vatra e rezistencës shqiptare tani u shpërngul
në krahina të tjera, më në veriperëndim,
në krahinat e Malsisë së Madhe dhe
më në jug, në krahinat e Mirditës.
Malsia e Madhe, ose siç quhet ndryshe Malsia
e Mbishkodrës, përfshinte krahinat malore
në veri të Shkodrës, si Kastratin,
Shkrelin, Hotin, Kelmendin, etj. dhe krahina të
cilat sot ndodhen jashtë kufijve politike të
Shqipërisë, si Kuçin, Pipërin,
Vasojeviçin, Palabardhin (Bjellopavliçin),
këto dy të fundit me popullsi sllave, gjithësej
11 krahina, pjesërisht të ritit katolik
dhe pjesërisht të ritit orthodoks (1). Këto
vise qenë futur nën regjimin e timareve
qysh në fund të shek. XV. Në fillim
të shek. XVII, të gjitha këto krahina
kishin spahijtë e vet.
Megjithëse këto krahina ishin futur nën
regjimin e timareve prej më tepër se një
shekulli, spahijtë gjithnjë me vështirësi
i nxirnin të ardhurat e tyre. Ata ankoheshin
vazhdimisht se malsorët jo vetëm nuk u jepnin
detyrimet por sulmonin dhe plaçkitnin pronat
e tyre që ndodheshin në krahinat pranë
Malsisë së Madhe, si në Plavë
e Guci dhe i shtrinin këto sulme deri në
viset e largëta si në Bosnje, Kosovë,
Maqedoni dhe Bullgari. Në fillim të shek.
XV II, malsorët e këtyre krahinave i dëbuan
spahijtë e vet dhe nuk pranuan të kishin
marrëdhënje me ta. Ndërkohë, në
kuvendet e tyre të përbashkëta, malsorët
lidhën besën të luftonin bashkërisht
në rast se turqit do të fillonin operacionet
kundër tyre. Me këtë mënyrë
u formua lidhja e Malsisë së Madhe. Në
rast kushtrimi kjo lidhje mund të grumbullonte
një ushtri malsorësh prej 5 deri 6 mijë
luftëtarësh. Në fillim turqit morën
masa kundër malsorëve, i kërcënuan
me ndëshkime të rrepta në rast se do
t'i vazhdonin sulmet dhe nuk do t'i pranonin spahijtë.
Pastaj forcuan kështjellat e vjetra dhe ndërtuan
kështjella të reja rreth Malsisë së
Madhe ku vendosën garnizone ushtarake. Por këto
masa nuk u dhanë ndonjë rezultat.
Më 1612, pasi kishin mbaruar punë në
Dukagjin, ushtritë turke prej 25 mijë vetash,
duke u nisur nga Podgorica, filluan ekspeditën
kundër Malsisë së Madhe. Ekspedita
vazhdoi 3 muaj, por turqit nuk korrën ndonjë
sukses. Pasi lanë më tepër se 300 spahij
të vrarë dhe pasi dogjën Palabardhin
turqit u detyruan të tërhiqeshin.
Ekspedita u përsërit më 1613. Ushtritë
e shtatë sanxhaqeve të Shqipërisë
filluan operacionet në drejtim të Kelmendit.
Këtë radhë luftimet vazhduan dy javë.
Turqit përsëri u detyruan të ktheheshin
pa mundur të nënshtronin vendin dhe të
thyenin bashkimin e Malsisë së Madhe.
Kuvendet ndërballkanike (1614-1620).
Disfatat e turqve në Malsinë e Madhe u
dhanë zemër shqiptarëve. Nga ana tjetër,
lufta kundër armikut të përbashkët
solli forcimin e miqësisë midis popujve
të shtypur të Ballkanit. Prandaj, kur u
thirr në Kuç të Malsisë së
Madhe një kuvend i jashtëzakonshëm
për të organizuar nje kryengritje të
gjërë u ftuan përfaqësues jo vetëm
nga viset e ndryshme të Shqipërisë
por edhe nga Mali i Zi, Sërbia e Maqedonia. Në
kuvend morën pjesë edhe disa nga krerët
që udhëhoqën Kuvendin e Dukagjinit
(1601-1602), si Gjin Gjergji, etj. Edhe patriku Sërb
i Pejës, i cili ato javë ndodhej në
Stamboll, dërgoi nipin e vet si përfaqësues
në këtë kuvend.
Kuvendi i Kuçit u hap më 15 korrik 1614.
Si të gjitha kuvendet e mëparëshme,
edhe këtu u shtrua çështja e armëve
dhe e ndihmave të tjera. Të dëshpëruar
nga qëndrimi negativ i mbajtur prej Venedikut,
Papatit dhe Spanjës, shqiptarët vendosen
t'i drejtoheshin një princi tjetër, dukës
së Parmës (Itali), dhe në qoftë
se ky nuk do të pranonte , do t'u drejtoheshin
shteteve protestante. Orientimin ndaj shteteve protestante,
sidomos ndaj mbretit të Anglisë dhe princave
gjermane, pleqtë e kuvendit mendonin ta përdornin
si presion për t'i detyruar shtetet katolike
t'i ndihnonin shqiptarët nga frika e përhapjes
së ndikimit të protestantizmit në Ballkan.
Për të rënë në marrëveshje
me këto shtete kuvendi ngarkoi si përfaqësues
kalorësin Gjon Renësi.
Këtë radhë u duk sikur kërkesat
e kryengritësve gjetën një mbështetje
te duka i Parmës. Duka pranoi të ndihmonte
lëvizjen e armatosur dhe nisi një anije
me armë, por edhe kjo anije nuk arriti në
Shqipëri pasi gjatë rrugës u sekuestrua
nga venedikasit.
Pa kaluar dy muaj nga kuvendi i parë, më
8 shtator 1614 u nblodh përsëri në
Kuç një kuvend i dytë për të
shqyrtuar mundësitë për burime të
tjera armësh e ndihmash si dhe për lidhjen
e kryengritjes së Shqipërisë me ato
të vendeve të tjera të Ballkanit.
Për këtë qëllim në kuvendin
e dytë të Kuçit morën pjesë
përveç krerëve të Shqipërisë
e të Malit të Zi, edhe përfaqësues
të Bosnjës, Hercegovinës, Sërbisë,
Bullgarisë, Maqedonis dhe Dalmarisë. Këtë
radhë mori pjesë edhe patriku orthodoks
i Pejës që ishte kthyer nga Stambolli.
Kuvendi i dytë i Kuçit hartoi një
plan për një kryengritje më të
gjërë me 4 zona veprimi. Njëra nga
këto do të kishte qëndrën në
Himarë dhe do të synonte çlirimin
e Vlorës, e dyta në Dukagjin me synim Krujën,
e treta në Malsinë e Madhe me drejtim Shkodrën
dhe e fundit në Mal të Zi me synim çlirimin
e Kastelnovos. Në të njëjtën kohë
do të hidheshin në kryengritje edhe metropoliti
i Durrësit, me të cilin u bashkuan edhe
peshkopët orthodoksë të Janinës
e të Artës, si dhe prelatë e krerë
të tjerë të krahinave të ndryshme
të Ballkanit.
Kuvendi vendosi të dërgonte Gjon Renësin
në Francë për t'u marrë vesh me
dukën e Neverës, i cili po përgatiste
një ekspeditë për të zbarkuar
në Ballkan. Por edhe këtë radhë
shqiptarëve nuk u erdhi ndihma e shpresuar. Duka
i Neverës ishte akoma larg nga përgatitjet
për të vënë në jetë
projektin e tij.
Më 11 nëndor 1616 u mblodh në Prokup
(Sërbi) një kuvend tjetër ndërballkanik.
Prapë kuvendi i u drejtua dukës së
Neverës dhe mbretit të Spanjës. Këtë
vit shkoi në Romë edhe prelati dhe shkrimtari
shqiptar Pjeter Budi, i dërguar si
thotë ai, nga popullsitë e vendit të
tij për të ngjallur interesimin e shteteve
evropiane për luften çlirimtare të
shqiptarëve. Por përgatitjet e gjata të
dukës së Neverës dështuan plotësisht
për shkak se flota iu dogj në pragun e nisjes
së ekspeditës. Spanja nga ana tjetër
vazhdonte gjithnjë t'i ndruhej luftës me
Turqine.
Më 11 nëndor 1620 u mblodh në Belgrad
kuvendi i katërt ndërballkanik. Por edhe
këtë radhë nuk u siguruan dot ndihmat
e nevojëshme.