Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Arsimi i shek. XVII

Turqit osmanllij, ndërsa i dhanë një goditje të rëndë jetës kulturale të mëparëshme, nuk qenë në gjëndje të zëvëndësonin atë qysh në fillim me kulturën e tyre islamike. Në shek. XV-XVI, turqit qenë, nga pikëpamja e zhvillimit kultural, më prapa se vendet ballkanike. Ata e paraqisnin vehten si trashëgimtarët e kulturës islame, por kjo kulturë qe lëvruar në gjuhët arabishte e persishte të cilat pak turq i kuptonin. Klasa feudale e spahijve dhe shërbyesit e fesë myslimane që vepronin në Shqipëri dhe që do të ishin bartësit e kulturës islamike, në përgjithësi kishin origjinë shqiptare dhe shumë pak i njihnin gjuhët turqishte, arabishte e persishte. Veç kësaj, regjimi i timarëve, nga vetë karakteri i tij ushtarak, nuk i jepte ndonjë nxitje zhvillimit kultural, pasi kujdesi kryesor i klasës feudale vendëse ishte të nxirte rentën feudale nga fshatarët. Spahijtë, të cilët pjesën më të madhe të jetës se tyre e kalonin në shpinë të kalit, ishin të lidhur më tepër me veprimtarinë luftarake që u siguronte atyre karierë politike dhe ushtarake se sa me krijimtarinë kulturale.

Të gjitha këto sollën si pasojë që Shqipëria gjatë shek. XVI të zhytej në një prapambetje të theksuar jo vetëm ekonomike, e shoqerore, por edhe kulturale. Gjatë këtij shekulli, në Shqipëri kishte disa shkolla shumë të pakta turqishte, të ngritura me pasuritë e vakufuara nga besimtarët e pasur myslimanë. Këto qenë shkolla fetare islame, në nivelin e shkollave fillore (meqtebe). Mësuesit hoxhallarë të këtyre shkollave synonin t'u mësonin nxënësve myslimane vetëm leximin e librit të "shenjtë" të islamizmit (kuranin) për të shërbyer nëpër xhamitë e vendit.

Kultura islame në Shqipëri filloi të perhapej me tepër në shek. XVII kur, me fushaten e islamizimit u shtua numri i besimtareve myslimane. Veçanërisht nëpër qytete, besimtaret myslimane filluan të vakufonin pasuri të konsiderueshme për ndërtime xhamish dhe ngritje shkollash fillore, të cilat nxirnin kuadro për nevojat e këtyre faltoreve. Ne shek. XVII filluan të ngiheshin nëpër qytete edhe shkolla të mesme fetare (medrese) që i përgatisnin kuadro më të larta për kultin islam. Nxënësit e medreseve, softët, mësonin gjuhët orientale për të kuptuar përmbajtjen e librave të "shenjta". Njëkohësisht ata lexonin edhe pjesë nga letërsia artistike arabe e persiane. Në disa qytete si në Shkodër, Berat, Prizren, Elbasan, kishte nga dy a më tepër medrese. Në Berat, në çerekun e tretë të shek. XVII, kishte 5 medrese. Në këtë kohë filluan të ngriheshin shkolla fillore edhe në disa fshatra. Të gjitha këto shkolla mund t'i frekuentonin vetëm fëmijte e besnikëve myslimanë. Për fëmijët e banorëve të krishterë nuk kishte në fillim asnjë arësim të organizuar dhe të rregullt, as në gjuhën shqip as në gjuhë të huaj.

Persekutimi sistematik që kishin pësuar kishat e të dy riteve gjatë shek. XVI kishte sjellë pakësimin në një masë të konsiderueshme të manastireve. Nga me tepër se 20 manastire katolike me 120 murgj që kishte në Shqipëri në pragun e pushtimit turk, më 1570 kishin mbetur vetëm 4 manastire me 11 murgj. Një Një çthurje po aq të madhe kishte pësuar edhe kisha ortodokse. Kleri i të dy kishave nuk kishte as përgatitjen minimale arësimore. Veç kësaj të dy kishat e vazhduan luftën e tyre të vjetër midis katoliçizmit dhe ortodoksisë. Shpesh herë ato linin mënjanë rrezikun turk dhe rifillonin luftën tradicionale për t'i shkëputur njera-tjetrës besnikët. Gjatë shek. XVI, Roma u tregua më aktive në fushatën e vet kundër kishës së lindjes. Këtë fushatë ajo e zhvilloi nën formën e unitizmit dhe synonte që popullsitë ortodokse të shkëputeshin prej kishës së lindjes dhe të njihnin atësinë e kishës së Romës pa hequr dorë nga riti kishtar grek. Misionarët e lëvizjes unite në Shqipëri u bënë murgjërit bazilianë. Qysh në fillim të shek. XVI ekipe murgjërish bazilianë erdhën nga Italia në Shqipërine e mesme e të jugut. Me fushatën e tyre këta korrën veçanërisht në Himarë suksese të pjesëshme, pasi u jepnin shpresë himariotëve se me kthimin e tyre në unite Roma do t'i ndihmonte me armë e mjete të tjera në luftën kundër sundimtarëve turq. Fushata e unitizmit u zhvillua më me forcë në shek. XVII. Patrikana e Stambollit kundërveproi dhe e rivendosi ndikimin e vet në Shqipërine e jugut.

Fushata e islamizimit në masë që filloi në këtë kohë i tronditi edhe më tepër pozitat e të dy kishave në Shqipëri. Të dy kishat morën masa për të mbajtur të gjallë fenë e krishterë midis popullsive shqiptare. Si mjet për t'i bërë ballë përhapjes së islamizimit ato përdorën arësimin fetar, ngritjen e shkollave për përgatitjen e klerit vendës dhe për besimtaret e tyre.

Kishës orthodokse në Shqipëri i erdhi në ndihmë Patrikana e Stambollit, e cila qe njohur nga sulltanët si e vetmja përfaqësuese e popullsive ortodokse të Perandorisë Otomane. Por kjo nuk bënte dallim midis fesë e kombësisë. Ajo e konsideronte vehten trashëgimtaren e perandorisë greke-bizantine, prandaj kërkonte nga besnikët e vet njohjen e detyrueshme të greqishtes si gjuhë kishe dhe gjuhë publike. Me anën e kuadrove që pregatiteshin në Malin e Shenjtë, kjo kërkonte t'u impononte besimtarëve ortodokse jo greke mësimin e gjuhës greqishte. Si rrjedhim, kisha ortodokse së bashku me klerin e saj në Shqipëri, u bënë përçuesit e kulturës greke-kishtare. Nën drejtimin e tyre, gjatë shek. XVII u hapën në Shqipëri herë pas here, nëpër qytete dhe pranë manastireve, shkolla fillore greqishte. Edhe këtu programet mësimore mbështeteshin mbi lëndë krejtesisht fetare. Fondet për mbajtjen e këtyre shkollave formoheshin me dhuratat që jepnin besnikët e kishës si dhe nga kuotat e rregullta që caktonin për këtë qëllim esnafët ortodoksë të qyteteve.

Kisha katolike nga ana e vet pati ndihmën e Papatit të Romës. Por në shek. XVI edhe kisha e perëndimit në përgjithësi sikurse ajo e lindjes po kalonte një krizë të thellë. Ajo po rrezikohej nga përhapja e protestantizmit në Evropën perëndimore dhe e islamizmit në Evropën lindore. Për të shpëtuar kishën dhe për të rimëkëmbur prestigjin e autoritetin e tronditur koncili i madh kishtar që u mblodh herë pas here në Trento (1540-1570) vendosi të riorganizonte administrimin kishtar dhe të ngrinte nivelin ideologjik të klerit. Për të përgatitur kuadro të afta, Roma, pas Koncilit të Trentos, ngriti herë pas here në Itali disa shkolla fetare të posaçme (kolegje) si për klerin e vendeve të ndryshme të botës ashtu edhe për klerin shqiptar e ballkanik. Një nga shkollat e para ishte (Kolegji i Shën-Athanasit që u themelua në Romë më 1572, nën drejtimin e murgjeve bazilianë, posaçërisht për nxënësit arbëreshë e grekë të Italisë të kthyer në unite. Një shkollë e veçantë për nxënësit katolikë të Dalmacisë u ngrit më 1580 në Loreto me emrin "Kolegji ilirik", të cilën e ndoqën edhe klerikë shqiptarë.

Në këto kolegje nxënësit klerikë pajiseshin me kulturën teologjike të domosdoshme dhe pastaj dërgoheshin në vendet e tyre si kler i rregullt ose si misionarë për të zhvilluar propagandën fetare e politike në dobi të Romës dhe të aleatëve të saj. Mësimet në këto kolegje zhvilloheshin latinisht e italisht. Ndryshe nga kisha e lindjes, Vatikani nuk i pengonte, përkundrazi i lejonte kuadrot e saj që të zhvillonin veprimtarinë fetare e politike edhe në gjuhën e popullsive vendase, me kusht që ritualin kishtar ta ushtronin në çdo rast latinisht. Eshtë pikërisht nga rrethi i këtyre nxënësve klerikë që filloi jetën e vet arësimi shqip dhe letërsia shqipe.

Sundimi Turk

Timaret në Shek. XVI
Riorganizimi Administrativ
Marrëdhëniet Tregtare
Marrëdhëniet Agrare
Zhvillimi i Qyteteve
Kryengritjet e 1571
Kuvendet e Matit
Ekspeditat Turke
Projekti i Pjetër Budit
Përhapja e Islamizmit
Kryengritjet e Shek. XVII
Rezultatet e Kryengritjeve
Arsimi në shek. XVII
Fillimet e Letërsisë
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003