Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Kryengritjet e Vitit 1571

Më 1570, perandoria e osmanllijve filloi luftën për të pushtuar ishullin e Qipros që ndodhej nën zoterimin e Venedikut. Këtë radhë ajo kishte përgatitur një flotë të madhe e cila krahas epërsisë në tokë do t'i siguronte asaj edhe epërsinë në det. Ky rrezik nxiti një varg shtetesh evropiane të bashkoheshin përsëri në një koalicion dhe krahas me Venedikun të hynin po atë vit në luftë kundër Turqisë. E shqetësuar nga rreziku që kërcënonte Qipron dhe nga rritja e shpejtë e fuqisë detare otomane, republika kishte interes të përhapeshin kryengritjet në të gjitha viset e pushtuara nga turqit. Në Shqiperi republika shpresonte t'i gozhdonte turqit me anën e kryengritësve shqiptare për të lehtësuar mbrojtjen e qyteteve Ulqin e Tivar që ndodheshin akoma nën zotërimin e saj.

Ngjarjet ndërkombëtare të vitit 1570 tërhoqën vëmendjen dhe të shqiptarëve, të cilët shikonin tani te përkrahja e Venedikut mundësinë e dëbimit të turqve nga Shqipëria. Në veri të Shqipërisë kryengritjet shpërthyen qysh në fillim të vitit 1571 por ato u shtypën përkohësisht prej ushtrive të mëdha turke. Në veri kryengritja shpërtheu, përsëri. Malësorët dukagjinas sulmuan Lezhën dhe e çliruan përkohësisht. Pastaj, së bashku me një pjesë, të forcave venedikase që ndodheshin në Ulqin sulmuar Shkodrën. Gjatë sulmit Shkodra u dogj, por turqit, me ndihmat që u erdhën, e mbrojtën qytetin.

Në qershor të atij viti, flota e Venedikut u orvat të pushtonte Durrësin me zbarkim, e rrahu me artileri, por garnizoni turk nuk u dorëzua. Pastaj flota kreu një varg veprimesh luftarake në brigjet e Himarës. Të ndihmuar nga himariotët zbarkuan në bregdet stradiotë shqiptarë, grekë dhe italianë që kishin hyrë në shërbim të republikës. Himariotët së bashku me stradiotët pushtuan kështjellën e Sopotit dhe çliruan gjithë krahinën e Himarës.

Kundër himariotëve dhe ekspeditës venedikase u nisën sanxhakbejlerët e Delvinës e të Vlorës të forcuar me reparte jeniçerësh dhe me flotën turke që e dërgoi në ndihmë Stambolli. Në fillim ushtritë turke pësuan disfatë por më vonë, me hyrjen e flotës në veprim, kryengritja u shtyp. ekspedita venedikase u shpartallua dhe Sopoti ra përsëri në duart e turqve.

Pasi pushtoi Sopotin flota turke u nis drejt Ulqinit për të ndihmuar ushtritë e sanxhakbeut të Shkodrës që kishin rrethuar garnizonin venedikas të qytetit. Pas një rrethimi të fortë, në gusht të vitit 1571 garnizoni venedikas u detyrua të dorëzohej. Turqit lanë të lirë vetëm venedikasit të shkonin në Raguzë, kurse mbi ulqinakët bënë kërdinë, një pjesë të qytetareve i vranë dhe pjesën tjetër bashkë me gratë e fëmijët i bënë robër pastaj i dhanë zjarrin qytetit. Disa ditë më vonë turqit rrethuan Tivarin. Garnizoni venedikas nuk bëri asnjë qëndresë dhe e dorëzoi qytetin pa luftë.

Një muaj pas pushtimit të Ulqinit e Tivarit, në tetor 1671, flota e koalicionit evropian korri një fitore të madhe në betejën detare që u zhvillua në afërsitë e Lepantit, në gjirin e Korinthit. Këtu flota turke u shkatërrua krejtësisht. Në Shqipëri, ngjallen përsëri shpresat e çlirimit të vendit. Por shtetet evropiane, nuk dijtën të shfrytëzonin fitoren e Lepantit për ti dhënë grushte tjera Turqisë. Midis tyre lindën përsëri kontradikta për çështjen e mbisundimit në Ballkan. Spanja, e pa kënaqur nga përfitimet që pati rivalja e saj, Republika e Shën-Markut. u largua nga koalicioni duke u dhënë rast turqve të përforconin pozitat e tyre. Në mars të vitit 1573 edhe Venediku u tërhoq nga koalicioni dhe lidhi paqe të veçuar me Turqinë. Megjithëse në marrëveshjen e paqes, në pikën 6, u caktua që Ulqini e Tivari t'i ktheheshin përsëri Venedikut, turqit nuk e respektuan këtë dhe këto qytete i mbajtën për vehte. Keshtu, këtë rradhë sundimi turk u vendos në krejt bregdetin e Shqipëri.

Sundimi Turk

Timaret në Shek. XVI
Riorganizimi Administrativ
Marrëdhëniet Tregtare
Marrëdhëniet Agrare
Zhvillimi i Qyteteve
Kryengritjet e 1571
Kuvendet e Matit
Ekspeditat Turke
Projekti i Pjetër Budit
Përhapja e Islamizmit
Kryengritjet e Shek. XVII
Rezultatet e Kryengritjeve
Arsimi në shek. XVII
Fillimet e Letërsisë
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003