Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Zhvillimi i Qyteteve

Sundimtarët turq shpallën qytete (shehër) të gjitha qëndrat e sanxhaqeve dhe disa nga qëndrat e kazave kryesore, të cilat nuk u shpallën as timare as zeamete. Këto qytete u shpallën edhe qëndra tregu lokale. Banorët e rregjistruar në këto qëndra u konsideruan si më parë sheherlij (qytetare) dhe jo raja, pasi këta nuk ishin të përfshirë në regjimin e timarëve. Sheherlijtë paguanin gjithashtu një varg taksash të ndryshme. Një nga taksat më të rëndësishme ishte taksa e pazarit e cila merrej mbi çdo shitblerje që kryhej në treg dhe shkonte në dobi të sanxhakbeut. Qytetarët paguanin vergjinë për pronat që kishin, yshyrin në se kishin ekonomi bujqësore dhe ispenxhën për çdo familje njësoj si dhe fshatarët. Dënimin për fajet e krimet që kryente qytetari duhej ta shlyente me gjobën e nijabetit. Të gjitha këto taksa në qëndrat e sanxhaqeve i merrte sanxhakbeu kurse në ato të kazave ndaheshin midis sanxhakbeut dhe myteselimit. Timare dhe zeamete, nijabeti ndahej përgjysmë me spahiun. Qytetarët paguanin edhe ata arpallëkun. Veç këtyre qytetarët e krishterë, si dhe fshatarët, paguanin xhizen.

Por në fillim të shek. X VI qytetet e Shqipërisë nuk e kishin marrë akoma vehten nga rrënimi që pësuan në shek. XV. Ato kishin shumë pak banorë, sa dhe fshatrat e zakonëshme. Vlora qyteti më i madh i Shqipërisë, nuk kishte veçse 4 mijë banorë. Bile më tepër se gjysma e popullësisë së saj përbëhej nga çifutë (528 familje), të emigruar nga Spanja, të cilët ishin vendosur aty prej qeveritarëve turq. Nga qytetet e tjera, Berati kishtë vetëm 572 familje, kurse Kruja, kryeqyteti i dikurshëm i shtetit shqiptar, dhe Gjirokastra, kryeqëndra e sanxhakut të mëparëshëm të Shqipërisë, kishin secila nga 150 shtëpi. Përveç feudalëve dhe funksionareve të administratës shumicën e madhe të popullsisë së qyteteve e përbënin akoma banorët e krishterë.

Gjatë shek. XVI, me gjithë stabilizimin e pushtetit turk, qytetet e Shqipërise u rritën shumë ngadalë për shkak të karakterit natyror që mbisundonte në ekonominë e fshatarëve. Vetëm nga pjesa e fundit e këtij shekulli, kur filloi të rimëkëmbej bujqësia, filluan edhe qytetet të rimëkëmbeshin si qendra ekonomike. Veçanërisht në qëndrat e sanxhaqeve u grumbulluan zejtarë e tregëtarë. Në fund të shek. XVI qëndra më e rëndësishme ekonomike tregëtare vazhdonte të ishte Vlora. Në skelën e Vlorës tani vinin prodhime të ndryshme nga vëndet e Evropës si pëlhura pambuku e mendafshi, cohë leshi e kadifeje, stolira prej floriri e argjendi, prodhime lëkure, sixhade, etj. Të cilat shpërndaheshin pastaj në qytetet e tjera të vendit. Nga Vlora eksportoheshin prodhime bujqësore, veç tyre edhe kripë e serë. Qytetet e tjera kishin gjithnjë një numër të kufizuar banorësh. Veç Elbasanit që kishte rreth një mijë shtëpi, në fund të shek. XVI Berati kishte 710 shtëpi, Shkodra afërsisht 400 shtëpi, Gjirokastra 380 shtëpi.

Mëkëmbja dhe zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve u krye me ritme të shpejta veçanërisht gjatë shek. XVII kur filloi të çthurej ekonomia natyrore e fshatarëve dhe krahas me të edhe sistemi feudal-ushtarak otoman. Sipas përshkrimeve të hollësishme që na ka dhënë udhëtari dhe funksionari i njohur turk. Evlia Çelebiu i cili e ka vizituar dy herë Shqipërinë në vitet 60-70 të shek. XVII, shkalla e zhvillimit të qyteteve në çerekun e tretë të këtij shekulli ishte ndryshuar rrënjësisht. Në këtë kohë qyteti më i madh i Shqipërisë ishte bërë Berati me 5 mijë shtëpi të ndara në 30 lagje. Këtu e kishte vendosur tani selinë e vet edhe sanxhakbeu i Vlorës. Qytete të tjera të rëndësishme ishin Elbasani me më tepër se 2 mijë shtëpi të ndara në 28 lagje. Gjirokastra me afërsisht 2 mijë shtëpi të ndara në 8 lagje, Shkodra me rreth 1.800 të ndara në 15 lagje. Krahas tyre kishin filluar të merrnin pamjen e qyteteve edhe një varg qëndrash të tjera të banuara si Pogradeci me 600 shtëpi, Kavaja me 400 shtëpi, Peqini me 400 shtëpi, etj. Gjatë kësaj kohe filloi të rritej edhe fshati i Tiranës, i cili, gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII mori pamjen e një qyteti.

Baza ekonomike e qyteteve ishte në radhë të parë zejtaria e tregëtia, ndonëse ato nuk ishin shkëputur krejtësisht nga prodhimi bujqësor. Gjatë shek. XVI, në qytetet kishte një numër të kufizuar zejtarësh që prodhonin kryesisht armë dhe pajisje për ushtrinë, si shigjeta, shpata, harqe, shala, patkoj, shajakë, etj. Në shek. XVII u zhvilluan edhe zejtari të tjera, prodhimi i të cilave lidhej me nevojat e fshatarëve e të qytetarëve, si farkëtare, remtarë, kallajxhinj, këpucarë, endës, poçarë, etj. Me pasurimin e spahijve dhe të funksionarëve dhe me kthimin e tyre në një aristokraci feudale filluan të lindnin edhe zejtari që merreshin me prodhime sendesh luksi, si argjendar, kazaze (qëndistare), etj.

Zejtari kishte një punishte të vogël e të thjeshtë, veglat e punës ishin të gjitha vegla dore. Mjeshtri (ustai), ishte njëkohësisht edhe pronari i saj. Ustai ndihmohej në punët e vogla nga çiraku. Ky nuk njihte teknikën e prodhimit. Çirakët ishin zakonisht djem të rinj që hynin në shërbim të një zejtari, në fillim pa pagesë (për një, dy a më tepër vjet) por më vonë merrnin një shpërblim të vogël. Në disa punishte zejtare, veç ustait dhe çirakut, kishte edhe kallfë. Kallfa s'qe gjë tjetër veçse çiraku i djeshëm që kishte mësuar teknikën e prodhimit dhe ishte në gjëndje, nën udheheqjen e ustait, të përfundonte prodhimin e një sendi. Kallfa merrte një shpërblim më të vogël nga puna e kryer prej tij. Punishtet që kishin më tepër se një kallfë ishin të ralla. Në të tilla punishte, midis kallfëve dhe mjeshtrit kishte një bashkallfë (kryekallfë).

Me rritjen dhe zhvillimin e zejtarisë u rimëkëmbën edhe organizatat mesjetare të korporatave. Tani këto organizata u quajtën esnafë (nga turqishtja "senf") ose rufete (nga persishtja "hirfet"). Esnafi ose rufeti ishte një organizatë ekonomike-shoqërore e mjeshtërve zejtarë të një zeje ose të dy a më tepër zejeve të afërme midis tyre (tabakët bashkë me saraçët, bakërxhijtë bashkë me kallajxhijtë dhe me teneqexhijtë) që punonin në të njëjtin qytet. Çdo esnaf kishte kyetarin e vet që quhej qehaja, dhe administratorin, i cili në esnafet e zejtarëve myslimane quhej myteveli kurse në ato të zejtarëve të krishterë, epitrop. Qehajai dhe myteveliu ose epitropi zgjidheshin për një kohë të caktuar nga mbledhja e përbashkët e gjithë mjeshtërve zejtarë të esnafit. Qehajai, i ndihmuar nga një këshillë prej 3-5 vetësh, udhëhiqte esnafin dhe e përfaqësonte atë në marrëdhëniet me shtetin. Myteveliu ose epitropi administronte fondet e esnafit që formoheshin nga kontributet e zejtarëve, nga gjobat që viheshin si sanksion kundër tyre dhe nga burime të tjera.

Esnafët, si organizata të prodhuesve të vegjël të mallrave, kishin për funksion të mbronin interesat e zejtarëve nga dëmtimi i tyre prej konkurencës, nga politika fiskale e shtetit dhe nga ndërhyrjet arbitrare të feudalëve. Për mbrojtjen e këtyre interesave, esnafi kishte në rregulloren (sullen) e tij një varg dispozitash dhe merrte njëkohësisht masa për zbatimin e tyre. Për të mënjanuar konkurencën esnafi ndalonte hyrjen e një malli të prodhuar nga zejtarët e qyteteve të tjera, caktonte (çmimin e mallit, cilësinë dhe sasinë që do të prodhohej nga çdo zejtar, ndalonte reklamimin e një prodhimi nga një zejtar në dëm të një zejtari tjetër dhe kishte krijuar një numër pengesash që e vështiresonin kthimin e kallfës në usta. Që kallfa të hapte një punishte zejtare me vehte duhej që, pasi të kishte mbushur një stazh të paktën prej 5 vjetësh si çirak dhe prej aq vjetësh si kallfë, me pëlqimin e ustait, t'i bënte lutje esnafit për t'u bërë usta. Testiri ose ceremonia për pranimin e kallfës si usta kryhej përpara mexhlizit të esnafit. Këtu kallfa duhej të provonte aftësitë që kërkoheshin për një mjeshtër zejtar. Veç kësaj ai duhej të paguante në favor të esnafit një taksë të caktuar, që arrinte deri në 120 akçe. Më në fund atij i ngjitej brezi i ustajt vetëm në qoftë se mexhlizi gjykonte se me shtimin e një ustaj të ri nuk rrezikoheshin interesat e zejtareve të tjerë.

Esnafet funksiononin edhe si organizata të ndihmës reciproke midis zejtareve. Ato e ndihmonin zejtarin që kishte pësuar ndonje fatkeqësi dhe i jepnin dorë atij të përballonte gjëndjen e vështirë. Për këtë qëllim ata kishin një arkë të përbashkët.

Për tu mbrojtur nga inkursionet e kusarëve ose të bandave të organizuara shpesh herë nga feudalët, esnafët filluan të organizonin reparte të armatosura të përbërë nga beqarët e esnafit.

Pranë zejtarëve, në qytete kishte edhe tregëtarë të vegjël e të mëdhej. Tregëtia midis krahinave të brëndëshme të Shqipërise kryhej me mjete primitive transporti. Mallrat barteshin me kuaj që udhëtonin në karvane. Disa nga këto karvane numëronin më tepër se 100 kuaj. Rrugët ishin krejt primitive, urat, shumë të pakta. Nëpër lumejtë e mëdhej karvanët dhe njerëzit kalonin zakonisht me anën e trapave. Rrugët kryesore të karvaneve që lidhnin bregdetin me viset e brëndëshme të Shqipërisë ishin rruga Shkodër-Pukë-Prizren, rruga Durrës-Tiranë-Dibër, rruga Durrës-Elbasan-Ohër si dhe rruga që nisej prej Vlorës dhe vazhdonte gjatë luginës së Vjosës. Nga veriu në jug të Shqipërisë fillonte një rrugë karvanësh nga Shkodra nëpër Lezhë e cila në Urën e Zezë (në Fushë Krujë) ndahej në dy degë, njera prej tyre kalonte përmes Tiranës dhe Elbasanit ku bashkohej me rrugën që lidhte Durrësin me Ohrin, tjetra vazhdonte Durrës, Kavajë, Berat-Vlorë. Gjithashtu Korça lidhej me rrugë karvanesh nga njëra anë me Beratin, e përmes tij me Durrësin e Vlorën, nga ana tjetër me Ohrin. Rrugët kryesore, ndonse qenë edhe ato primitive, dalloheshin nga të tjerat se në çdo 6-8 orë udhëtim kishte nga një han ose karvansaraj ku pushonin udhëtarët dhe nga një qytezë për tu mbrojtur në rast sulmesh të kusarëve.

Tregëtia e brëndëshme kishte zakonisht karakter lokal. Mardhëniet feudale në prodhim, vështirësitë e transportit, taksat e tregut, pasiguria e rrugëve dhe regjimi i esnafëve, pengonin zhvillimin e tregëtisë së lirë të prodhimeve të zejtarëve nga një sanxhak në tjetrin. Në qendër të qytetit ndodhej pazari ku qenë grumbulluar gjithë punishtet zejtare dhe dyqanet e tregëtareve. Zakonisht punishtet e një dege të zejtarise si dhe dyqanet e tregëtarëve ndodheshin pranë njëri-tjetrit, në të njëjtën rrugë. Për këtë arësye edhe rrugët merrnin emrin e zejtarisë (rruga e armëtarëve, kovaçëve, argjentarëve, qendistarëve, bakërxhinjve, etj.) Rreth e rrotull pazarit ndodheshin lagjet e shtëpive të banorëve të qytetit. Shpesh herë lagjet e shtëpive ndodheshin larg pazarit si në Shkodër, Tiranë, Krujë, ose ngjitur me ta si në Berat, Elbasan, Gjirokastër, Korçë.

Shumicën e banorëve të qyteteve të Shqipërise e përbënte popullsia shqiptare. Në disa qytete kishte edhe vllehë e çifutë. Në Berat, çifutët kishin një lagje më vehte. Në qytetet e lulëzuara të vendit u vendosën edhe banorë të tjerë të huaj të ardhur si zejtarë e tregëtarë (venedikas, armenë). Banorë turq, përveç ushtarëve, në Shqipëri kishte shumë pak. Nëpër qytete kishte gjithashtu edhe evgjitë, të cilët, si shtresë e përbuzur, lejoheshin të banonin vetëm në periferinë e qytetit.

Sundimi Turk

Timaret në Shek. XVI
Riorganizimi Administrativ
Marrëdhëniet Tregtare
Marrëdhëniet Agrare
Zhvillimi i Qyteteve
Kryengritjet e 1571
Kuvendet e Matit
Ekspeditat Turke
Projekti i Pjetër Budit
Përhapja e Islamizmit
Kryengritjet e Shek. XVII
Rezultatet e Kryengritjeve
Arsimi në shek. XVII
Fillimet e Letërsisë
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003