Faqja Kryesore  >> Historia  >> Sundimi turk
 

Historia e Shqipërisë - Sundimi Turk

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Kryengritjet e shek. XVII

Pas disfatave që pësuan turqit në dy ekspeditat që ata organizuan në vitet 1612 dhe 1613 kundër Malsisë së Madhe, malsorët e këtyre krahinave vazhduan të ishin bartësit kryesorë të rezistencës shqipare gjatë shek. XVII. Nga radhët e tyre emri i fisit të Kelmendit ishte bërë mjaft i njohur jashtë kufijve të Shqipërisë. Kelmendasit në të vertetë ishin bërë udhëheqësit e lidhjes që përfshinte jo vetëm Malsinë e Madhe por edhe viset e tjera të Shqipërisë së veriut.

Qysh nga disfata që pësuan më 1613, turqit për një çerek, shekulli nuk i prekën këto krahina. Por më 1638, kur marrëdhëniet paqësore midis Turqisë dhe Venedikut filluan të prisheshin. Qeveritarët turq duke parashikuar rrezikun e një kryengritje të Malsisë së Madhe përkrah venedikasve u orvatën t'i nënshtronin para se malsorët të organizoheshin. Prandaj atë vit suntan Muati i IV urdhëroi bejlerbeun e Bosnjës, Vuço Pashën, të cilin kishin ngarkuar të mbronte kufijtë veriore të perandorisë, që kryente operacione ushtarake kundër Malësisë së Madhe. Vuço Pasha grumbulloi në Shkodër ushtritë e 9 sanxhakbejlerëve të Shqipërisë e të Bosnjës, rreth 15 mijë vetë, të cilët në fillim të shkurtit 1638 u nisën kundër Malësisë së Madhe në drejtim të Kelmendit. Turqit mendonin se për shkak të dëborës malësorët nuk do to kishin mundësi të largoheshin nëpër bjeshkë së bashku me gratë, fëmijtë dhe bagëtinë e tyre, siç bënin zakonisht gjatë ekspeditave të tilla. Këtë radhë ata shpresonin t'i zinin banorët të gjallë në shtëpitë e tyre, dhe pastaj të bënin mbi to kërdinë. Por edhe kjo ekspeditë dështoi si dy ekspeditat e para. Kelmendasit dhe malësorët e tjerë, të stërvitur në këto vende malore, me pritat e tyre i detyruan ushtritë turke të tërhiqeshin pas dy jave operacionesh duke lënë në duar të shqiptareve me qindra të vrarë dhe një sasi të madhe materialesh si armë, kuaj, veshmbathje.

Fitorja e malësorëve pati jehonë të madhe në Shqipëri dhe në vendet e ndryshme të Evropës. Edhe në ditët tona ruhet kujtimi i heroizmave që kelmendasit treguan në këto luftime. Të tilla janë, për shembull, heroizmi i malësores Nora që sakrifikoi vehten për të vrarë pashanë turk, zgjuarsia e malsorit Dedë Gjeri që ndërtoi një top duke gdhendur një trung lisi, etj.

Në vitet 40 të shek. XVII raporti i forcave në arenën ndërkombetare ndryshoi në dobi të Turqisë. Shtetet evropiane u zhytën në lufta të ashpëra midis tyre (lufta tridhjetë vjeçare) dhe Turqia, e mbetur jashtë këtyre luftave, gjeti rast të godiste Venedikun për ti marrë ishullin e Kretës (Kandies). Lufta filloi me 1644 dhe vazhdoi për 25 vjet, deri me 1669.

Vetëm tani republika filloi të interesohej për organizimin e kryengritjes në Shqipëri. Megjithatë, kryengritja nuk shpërtheu menjëherë, ndoshta nga se shqiptarët nuk e zinin besë premtimeve të republikës që i kishte lënë në baltë vazhdimisht. Kur më 1648 Venediku përhapi lajme se do të niste ne Shqipëri një ekspeditë, nën udhëheqjen e sulltan Jahjasë që në të vërtetë ishte një aventurier, kryengritjet u ndezën përsëri në Shqipëri. Më 1649 kelmendasit sulmuan kështjellën e Medunit dhe pas tri ditë luftimesh e shtinë në dorë. Malësorë të tjerë i ranë Rizanos në grykat e Kotorit. Kryepeshkopi katolik i Durrësit. Mark Skura, në krye të 7 mijë luftëtarëve sulmoi Shkodrën. Në Kosovë patriku i Pejës ra në marreveshje me malsorët e veriut për të sulmuar Podgoricën dhe Zhabjakun.

Lëvizja u përhap edhe në jug. Këtu himariotët rrëmbyen armët, në pritje të ekspeditës. Por ndihma e shpresuar me anën e ekspeditës nuk arriti në Shqipëri. Venedikasit, duke gjetur pretekst vdekjen e sulltanit, Jahjas, hoqën dorë nga zbarkimi dhe e kufizuan vetëm me disa aksione të flotës së tyre në Tivar e gjetkë të cilat i ndezën edhe më keq turqit për tu hakmarrur kundër popullësive shqiptare të tradhëtuara.

Në vitet e mëvonëshme turqit kryen një varg ekspeditash kundër malësorëve shqiptare, por persëri pa rezultat. Kronikat e dhjetëvjetorëve 1650-1670 bëjnë fjalë për zi të madhe buke dhe për çeta të shumta të uriturish që bridhnin në tërë vendin dhe kryenin plaçkitje. Gjatë këtyre vjetëve për të shpëtuar nga mjermi, shumë himariotë mërguan në Itali.

Më 1683, kur turqit diktuan se midis Austrisë, Polonisë dhe Venedikut po lidhej një koalicion kundër tyre, sulmuan menjëherë Hungarinë dhe brenda pak kohe arritën në dyert e Vjenës. Por këtu ata u thyen nga forcat polake, të Jan Sobieskit që u kishte ardhur në ndihmë austriakëvë.

Vjena ishte pika më e thellë që arritën turqit në Europë. Disfata që pësuan përpara mureve të saj filloi fillimin e tatëpjetes në të cilën hyri Turqia. Shkaku i kësaj tatëpjetë ishte ç'thurja e regjimit feudal-ushtarak mbi të cilën ajo mbështetej.

Sundimi Turk

Timaret në Shek. XVI
Riorganizimi Administrativ
Marrëdhëniet Tregtare
Marrëdhëniet Agrare
Zhvillimi i Qyteteve
Kryengritjet e 1571
Kuvendet e Matit
Ekspeditat Turke
Projekti i Pjetër Budit
Përhapja e Islamizmit
Kryengritjet e Shek. XVII
Rezultatet e Kryengritjeve
Arsimi në shek. XVII
Fillimet e Letërsisë
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003