Pasi e thyen rezistencën gati
njëqindvjeçare të shqiptarëve,
turqit osmanllij në vitet e para të shek.
XVI e vendosën sundimin e tyre në pjesën
më të madhe të Shqipërisë.
Në këtë kohë si dhe në
dhjetëvjeçarët e tjerë të
këtij shekulli, Turqia, e kthyer në një
perandori të madhe feudale ishte në kulmin
e fuqisë së vet. Zotërimet e saj shtriheshin
në tri kontinente: në Azi, Evropë dhe
Afrikë.
Fuqinë e madhe ushtarake dhe politike perandoria
e osmanllijve e gjente gjithnjë në regjimin
feudal-ushtarak mbi të cilin ajo mbështetej.
Spahijtë dhe jeniçerët vazhdonin
të gjenin në luftat mjetin kryesor për
pasurimin e tyre. Ata ishin të gatshëm të
shkonin në luftë, bile i kërkonin vetë
fushatat luftarake, pasi ato u siguronin plaçkë,
robër, haraçe, dhe, kur tregonin trimëri,
edhe feude më të mëdha. Edhe xhebelijtë
vinin me kënaqësi në luftë. Duke
luftuar për perandorinë, duke i zgjeruar
kufijtë e saj, ata kishin shpresa të mëdha
të siguronin për vehte ndonjë timar,
të bëheshin spahij dhe të kishin kështu
rrugën e hapur për të bërë
karierë ushtarake. Nga ana e vet Perandoria Otomane,
me fitoret që korrte, ishte në gjëndje
t'i kënaqte spahijtë me timare dhe zeamete
më të mëdha. Ajo ishte në gjendje
t'i vazhdonte luftat pa bërë shpenzime të
shumta, pasi spahijtë, të cilët së
bashku me jeniçerët formonin forcën
kryesore ushtarake të perandorisë, mbaheshin
me shpenzimet e veta dhe nuk rëndonin mbi buxhetin
e shtetit. Ky organizim i brendshëm ushtarak-politik
që u përshtatej interesave të klasës
së feudaleve turq, e bëri perandorinë
e osmanllijve të ishte "fuqia e vetme, me
të vërtetë ushtarake e mesjetës"
Në këtë kohë kur fuqia ushtarake
otomane vinte duke u rritur përherë e më
tepër, forcat e shqiptarëve ishin të
lodhura dhe të shkatërruara nga kryengritjet
e gjata dhe
nga ekspeditat e egëra të turqve të
shek. XV. Pas vitit 1506 shqiptarët nuk qenë
në gjëndje të vazhdonin rezistencën
e armatosur kundër sundimtarëve turq me
po atë furi siç e kishin bërë
gjatë shek. XV. Për disa dhjetra vjetë
me radhë nuk pati kryengritje të rëndësishme
që të trondisnin sundimin otoman në
Shqipëri.
Duke pasur gjithnjë si bazë të regjimit
të tyre pronësinë feudale-ushtarake
mbi tokën, sulltanët synonin të zgjeronin
herë pas here dhe ta forconin këtë
pronësi në tërë zotërimet
e Turqisë. Prandaj edhe në Shqipëri,
sapo morën fund kryengritjet, turqit bënë
më 1506 përsëri regjistrimin e tokave.
Ky regjistrim u përsërit edhe më 1520.
Tokat e regjistruara, sikurse edhe më parë,
u konsideruan toka mirie dhe u ndanë, sipas të
ardhurave, në timare, zeamete dhe hase. Duke
përfituar nga rënia e kryengritjeve, këtë
radhë turqit përfshinë në regjistrin
e hollësishëm(defteri mufassal) edhe fshatra
të reja që nuk kishin mundur t'i përfshinin
në regjistrimet e më parëshme, si rrjedhim
u rrit numri i timarëve, zeameteve dhe haseve.
Sipas regjistrimeve të vjetëve 1506 dhe
1520 në të teritorin e Shqipërisë
tani kishte afërsisht 3 herë më tepër
timare zeamete dhe hase se sa në regjistrimin
që u krye në 1432.
Shumica e timarëve dhe zeameteve ishin si dhe
më parë në zotërim të feudalëve-ushtarakë,
në krye të të cilëve qëndronin
sanxhakbejlerët e të katër sanxhaqeve
të Shqipërisë. Pjesa tjetër e
timareve ishte në zotërim të feudalëve
të ofiqeve administrative. Në krye të
tyre qëndronin kadilerët, shefat e zyrave
të sheriatit të çdo kazaje, gjithsej
18 kadilerë, aq sa ishin edhe kazatë e Shqipërisë.
Të ardhurat që nxirnin nga popullsia shqiptare
feudalët e shumtë të Shqipërisë
së bashku me sulltanin arrinin, në pjesën
e parë të shek. XVI, në rreth 16 milion
akçe në vit. Afërsisht gjysma e kësaj
shume shkonte në thesarin e sulltanit. Gjysma
tjetër përvehtësohej nga feudalët
e vendit. Në fillim të shek. XVI sanxhakbeu
i Shkodrës merrte nga haset e tij gati 450 mijë
akçe në vit.
Ndonëse regjimi i timareve u shtri në
pjesën më të madhe të vendit,
ky nuk ishte përforcuar kudo njësoj. Në
krahinat e sanxhakut të Vlorës, për
shembull, regjimi feudal-ushtarak turk i vendosur
prej gati njëqind vjet më parë ishte
më i përhapur. Brënda kufijve të
këtij sanxhaku ndodheshin rreth 550 timare dhe
zeamete, afërsisht gjysma e numrit të feudeve
ushtarake që kishte në gjithë Shqipërinë.
Në krahinat e sanxhakut të Shkodrës,
ku regjimi feudal-ushtarak ishte vendosur prej gati
20 vjetësh, numri i timareve ishte shumë
i pakët. Kazatë më të populluara
të Shqipërisë ishin gjithashtu ato
të sanxhakut të Vlorës. Në tri
kazate më të rëndësishme të
këtij sanxhaku, në ato të Vlorës,
Beratit dhe Gjirokastrës, banonte rreth një
e treta e popullsisë-raja e Shqipërisë,
afërsisht 35 mijë familje. Këto paguanin
pothuajse gjysmën e të ardhurave që
nxirte Sulltani me feudalët e vendit nga mbarë
popullsia e Shqipërisë.
Të ardhurën kryesore që nxirte spahiu
nga fshatarët-raja e përbënte gjithënjë
yshyri, i cili përfaqësonte pothuaj gjysmën
e të ardhurave që ai nxirte nga krejt timari
ose zeameti. Ispenxha prej 25 akçesh në
vit që nxirte nga rajai i krishterë dhe
taksa e çifligut prej 22 akçesh në
vit që nxirte nga rajai mysliman, vazhdonte të
ishte gjithashtu një e ardhur e rëndësishme
për spahiun. Megjithatë, të ardhurat
që nxirte nga timari nuk ishin gjë tjetër
për spahiun veçse të ardhura plotësuese
në krahasim me ato që ai nxirte gjatë
ekspeditave luftarake.
Të ardhurën kryesore që sulltani
nxirte nga Shqipëria e përbënte si
dhe më parë xhizja, e cila në fillim
të shek. XVI ishte prej 45 akçesh për
çdo shtëpi të krishterë. Megjithëse
familjet e krishtera çliroheshin nga tributi
i xhizes kur këto ktheheshin në fenë
myslimane, masa e popullsisë shqiptare vazhdonte
të qëndronte në fenë e mëparëshme.
Sipas regjistrimit të vitit 1520, vetëm
një pjesë e vogël, më pak se 30%
e familjeve, ishin kthyer myslimanë.
Me shtrirjen e regjimit të timareve Shqipëria
nuk u kthye vetëm në një vend shfytëzimi
ekonomik, por edhe në një vend rekrutimi
forcash njerëzore për nevojat luftarake
të perandorisë së osmanllijve. Si dhe
më parë turqit vazhduan të zbatonin
në Shqipëri në shkallë të
gjërë sistemin e devshirmës dhe të
rekrutonin reparte azabësh , me anën e të
cilëve ata mbushnin armatat e jeniçerëve
dhe të kapi-kulluve. Devshirët dhe azabët
shqiptarë dërgoheshin si spahij, jeniçerë
ose rojtarë kalash jo vetëm në Shqipëri
por edhe në viset e tjera të Ballkanit.
Për këtë arësye, tani në
Shqipëri klasa feudale e spahijve ishte pothuaj
e gjitha me origjinë shqiptare. Veç kësaj,
duke gëzuar besimin, e sulltanëve dhe në
sajë të aftësive të tyre luftarake,
disa spahij shqiptarë përparuan në
karierën ushtarake dhe arritën deri në
shkallët më të larta të administratës
perandorake, duke u bërë bejlerë, komandantë
flote, vezirë, deri vezirë të mëdhej
të Turqisë, megjithatë numri i tyre
ishte shumë i pakët në krahasim me
masën e shqiptarëve të rekrutuar me
forcë në radhët e ushtrisë jeniçere
dhe të kapi-kulluve, të cilët humbën
në luftat e shpeshta dhe të gjata të
perandorisë.
Në krahinat malore të Shqipërisë
ku nuk u vendos sistemi i timareve, turqit vazhduan
t'u kërkonin malësorëve pagesën
e haraçit që shkonte në dobi të
sulltanit si kusht për t'i lënë të
lire të administroheshin sipas venomeve. Por
kjo marëveshje herë pas here prishej. Kur
sulltani urdhëroi, më 1509 pagesën
e një haraçi suplementar prej 22 akçesh
për shtëpi nga të gjithe shtetasit
e perandorisë për të rindërtuar
Stambollin e dëmtuar nga tërmeti, këtë
nuk pranuan ta paguanin malësorët e Malsisë
Madhe së bashku me ata të Malit të
Zi. Më 1509 sanxhakbeu i Shkodrës grumbulloi
ushtri të shumta për t'i detyruar malsorët
t'i bindeshin urdhërit të sulltanit por
ai u tërhoq pasi ndeshi në rezistencën
e tyre të ashpër. Për më tepër
se 10 vjet malsorët e Malsisë së Madhe
nuk e paguan fare haraçin. Më 1515 edhe
malsorët e Dukagjinit, duke përfituar nga
largimi i spahijve dhe sanxhak-bejlerëve të
Shqipërisë në frontin turko-hungarez.
nuk e paguan haraçin dhe kryen një varg
sulmesh kundër garnizoneve turke në Shkodër,
Krujë e Lezhë. Po në këte kohë
edhe himariotët gjetën gjithashtu rastin
për të mos e paguar më haraçin.
Kjo gjëndje vazhdoi deri më 1518, kur,
pas mbarimit të luftës turko-hungareze,
u kthyen në vendet e tyre sanxhakbejlerët
dhe spahijtë e Shqipërisë të cilët
arritën t'i detyronin me forcë dukagjinasit
dhe himariotët të pranonin përsëri
marrëveshjen e vjetër për pagesën
e haraçit. Në vitet 1519-1520 turqit mundën
t'i nënshtronin edhe malsorët e Malsisë
së Madhe që kishin ngritur krye më
1509. Por më 1526, kur, për të përballuar
nevojat e luftës që Turqia filloi kundër
Austrisë dhe Hungarisë, Sulltani kërkoi
nga banorët e perandorisë një haraç
tjetër suplementar prej 15 akqesh, malsorët
e sanxhakut të shkodrës përsëri
nuk pranuan ta paguanin.