Sundimtarët turq e kufizuan artin
e pikturës vetëm në dekorimin e xhamive
me arabeske dhe me citate nga kurani të pikturuara
me kaligrafi arabisht.
Piktura kishtare, me gjithë kushtet e vështira
që u krijuan nga sundimi turk, nuk e ndërpreu
zhvillimin e saj. Përkundrazi, tani kur kishat
nuk mund të zbukuroheshin nga jashtë, gjithë
kujdesi i besnikëve dhe i vetë artistëve
iu kushtua dekorimit të tyre të brendëshëm.
Të mbështetur në traditat artistike
dhe ne ndihmën e pakursyer të besnikëve,
mjeshtërit piktorë e vazhduan veprimtarinë
e vet duke zbukuruar me ikona e afreske kishat e vjetra
të dëmtuara si dhe kishat e reja. Kërkimet
që janë bërë gjatë këtyre
viteve të fundit kanë nxjerrë në
dritë një numur të madh pikturash me
vlerë artistike, të panjohura më parë,
nga të cilat vetëm disa kanë nënshkrimin
e autorëve.
Disa nga afreskët dhe ikonat që ruhen
sot u përkasin artistëve të shek. XVI.
Të këtilla janë afreskët e piktorëve
anonimë që kanë pikturuar më 1506
në kishën e Shën-Mitrit në Poliçan
(Gjirokastër), ato të pikturuara më
1525 në kishën e Shën-Marisë në
Dhërmi (Himarë), afresket e pikturuara më
1604 në kishën e Shën-Kollit në
Shelcan (Shpat), etj. Disa nga këta artistë
anonimë kanë dhënë vepra me vlerë
artistike. Por piktorët më të talentuar
të shek. XVI-të dhe pothuajse të krejt
artit mesjetar shqiptar, janë mjeshtrit shqiptarë
Onufri dhe biri i tij Nikolla.
Këta artistë kanë qenë ose meshtarë
ose besimtarë të kishës ortodokse.
Si të tillë, këta kanë lënë
pa dyshim gjurmë në traditat e artit tipik
bizantin. Por në veprat e tyre ata u shkëputën
ku më shumë e ku më pak nga normat
e këtij arti dhe kanë futur në të
tipare origjinale, duke u dhënë shenjtorëve
jetë dhe pamjen e njerëzve të kësaj
bote.
Të mbështetur në traditat artistike
vendëse, piktorët popullore shqiptarë,
me personalitetin e tyre artistik dijtën t'i
shndërrojnë ndikimet e huaja duke i pajtuar
ato me kushtet dhe nevojat e vendit të vet. Në
sajë të talentit të tyre, arti shqiptar
i stilit bizantin arriti kulmin e zhvillimit të
tij.
Për Onufrin dimë vetëm se qe prift
dhe protopapë në Elbasan. Nga jeta e tij
nuk kemi asnjë lajm tjetër përveç
veprimtarisë artistike që ka zhvilluar rreth
mesit të shek. XVI në pikturimin e dy kishave
të Shpatit, njëra në Valesh (kisha
ë Shën-Premtes), tjetra në Shelcan
(kisha e Shën-Kollit), si edhe në kishën
e Shën-Thodhorit në Berat. Onufri qe mjeshtër
i vërtetë i artit të afreskëve.
Tematika e veprave të tij është tematikë
krejtësisht kishtare, me motive të botës
spirituale që kërkonte kisha. Por këtë
motiv ai e ka veshur me realizëm, dhe është
pikërisht në këtë vështrim
largimi i tij nga kanonet e artit klasik bizantin.
Këtë e tregon sidomos vepra me e përsosur
e tij "Grigor Theologu" në Valesh.
Në portretin e "Grigor Theologut" mjeshtri
i talentuar, përveç përpjestimeve
të përsosura natyrore, ka ditur ti japë
figurës një pozicion të përshtatur
me lëvizje të matura prej plaku, me petka
plot lëvizje, me një kombinim të përsosur
ngjyrash në fytyrë dhe me një shprehje
mendimtare të lartë. Këtu Onufri ka
arritur një harmoni në kombinimin e anës
natyrore me atë shpirtërore në mënyrë
artistike. Elementë realistë ka edhe në
vepra të tjera të Onufrit, te afresku "Profeti
David" dhe "Profeti i panjohur" që
ndodhen në kishën e Shelcanit, te afresku
"Gratë që qajnë nën kryqin"
(në kishën e Valcanit), etj. Fytyrat e shenjtorëve,
të pikturuara nga Onufri, kanë hollësira
natyrore, ruajnë përpjestimet e gjymtyrëve
dhe kanë prehje që i bëjnë ato
jo fytyra të ngrira, siç përcaktonin
kaonet bizantine, por të gjalla me jetë,
me lëvizje. Veç, kësaj, idividualizmi
i portreteve është tepër i theksuar.
Ato ndrynojnë shumë prej njëri-tjetrit,
dhe duken sikur janë marrë nga jeta e përditëshme.
Edhe pikturimi i natyrës prej Onufrit është
i gjallë, megjithëse ai ka pikturuar fare
pak objekte nga natyra. Në kalorësit strategë,
megjithëse të dëmtuara shumë,
të bie në sy gjallëria e kuajve të
tyre sidomos ai i "Shën-Gjergjit".
Artisti që ju afrua në mjeshtëri
Onufrit qe biri i tij, Nikolla. Punime të tij
ruhen në kishin e Shën-Mërisë
së Vllahernës në kështjellën
e Beratit, të cilën Nikolla e ka restauruar
me 1578. Kulturën artistike Nikolla e ka marrë
pa dyshim në punishten e atit të tij. Por
ai nuk qe kopjues i artit të Onufrit, përkundrazi,
Nikolla ka artin e vet të veçantë
ku pasqyrohet një personalitet artistik që
ndryshon nga ai i atit të tij. Ndaj traditave
të stilit bizantin, Nikolla ishte më konservator
se Onufri.
Onufri çeli një rrugë të re
në artin e pikturës shqiptare. Por veprat
e tij të mbyllura në pak kisha, në
kushtet e copëzimit feudal dhe të trazirave
të përherëshme, nuk mundën të
ndikonin mbi edukimin e artistëve të mëvonshëm.
Përkundrazi, kur në shek. XVII u rrit roli
i Malit të Shenjtë si qendër artistike
dhe kulturale e trashëgimit bizantin, arti i
pikturës kaloi në stil grafik e shablon.
Ky stil u përhap në Shqipëri me anë
të murgjëve shqiptare e të huaj që
edukoheshin në Malin e Shenjtë. Megjithatë,
gjatë shek. XVII mjaft piktorë të vendit
tonë i ruajtën traditat e vjetra artistike.
Disa prej tyre kanë bërë vepra të
bukura. Të tillë qenë, për shembull,
piktorët anonimë të kishës së
manastirit të Shën-Prodhomit në Voskopojë
(1634) dhe Mihali nga Jerma (Delvinë), autor
i shumë afreskëve të pikturuara në
manastirin e Kamenos (Delvinë), dhe në atë
Kakomesë (Sarandë) në vitet 1672-1674.