Megjithëse turqit i shtypën
njerën pas tjetrës kryengritjet e shqiptarëve
që shpërthyen gjatë shek. XVI, shkaku
i këtyre kryengritjeve nuk u zhduk. Sanxhakbejlerët
dhe spahijtë e shtonin përherë e më
tepër presionin e tyre kundër malsorëve.
Qeveria e Stambollit njëkohësisht e rriste
herë pas here taksën e haraçit. Në
Kelmend, për shëmbëll, ku malsorët
e kishin njohur. Vetëm pjesërisht autoritetin
e spahiut 1570 ishte dyfishuar ispenxha në krahasim
me atë që ky merrte më 1497. Gjithashtu
haraçi ishte shtuar më tepër se dyfish
në krahinat e tjera të Malsisë së
Madhe, nga 35-45 akçe për shtëpi
me 1497, në 96-98 akçe për shtëpi
më 1570. Në fund të shek. XVI, për
shkak të shvleftësimit të akçes,
qeveria e Stambollit vendosi të kërkonte
pagesën e haraçit në monedhë
ari e argjendi.
Gjatë kësaj kohe, si rrjedhim i shtimit
normal të familjeve, ishte shtuar numri i pjestarëve
të çdo fisi. Bashkë me ta u rrit
autoriteti i kuvendeve u rrit edhe roli i tyre si
forma më të përshtatëshme të
organizimit të malsorëve kundër presionit
të spahijve dhe të sanxhakbejlerëve.
Nga ana tjetër nevoja e bashkimit më të
madh të forcave solli bashkëpunimin midis
kuvendeve të
fiseve fqinje. Në fillim pak fise, por më
vonë një numër më i madh fisesh
të veçanta, filluan të lidheshin
midis tyre me anën e kuvendeve. Për të
zgjidhur çështjet politike të përbashkëta,
fiset lidhura midis tyre krijuan kuvendin e përbashkët,
ku merrnin pjesë krerët, udhëheqësit
ushtarakë dhe përfaqesues të tjerë
të çdo fisi. Në raste të veçanta
në kuvendet e përbashkëta merrnin pjesë
krerët e shtëpive të gjitha fiseve
të lidhura midis tyre. Kështu, qysh nga
fundi i shek. XVI, në vend të kuvendeve
të vogla fisnore filluan të dilnin në
skenë, si institucione të rëndësishme
politike, kuvendet shqiptare. Këto kuvende me
karakter krahinor dhe ndërkrahinor u bënë
udhëheqësit e rezistencës shqiptare
kundër sundimtarëve turq. Disa herë
ato patën karakter ndërballkanik, kur në
to morën pjesë edhe përfaqësues
të fiseve malazeze dhe të krahinave sërbe.
Kuvendet shqiptare drejtoheshin nga krerët
e fiseve pjesëmarrëse. Me qenë se malsorët
që përfaqesoheshin në këto kuvende
ishin të gjithë të krishterë,
ata i shikonin turqit jo vetëm si armiq të
vendit por edhe të fesë. Si rrjedhim, në
këto kuvende merrnin pjesë edhe prelatët
e kishave, veçanërisht prelatët e
kishës katolike, pasi pjesa më e madhe e
malsorëve ishin të lidhur me kishën
e Romës. Prelatët e kishave u premtonin
malsorëve ndërhyrjen e tyre pranë shteteve
të krishtera të Evropës për të
kërkuar ndihma. Në fakt, ata u bënë
ndërlidhësit diplomatike midis kuvendeve
shqiptare dhe oborreve evropiane. Me të tilla
funksione autoriteti i tyre u rrit edhe më tepër.
Në çerekun e fundit të shek. XVI,
gjëndja ndërkombëtare e Turqisë
nuk dukej e favorëshme për të. Pas
disfates turke në Lepant, në shtetet e ndryshme
të Evropës dhe në popullsitë e
shtypura të Ballkanit ishte rritur shpresa se
po të bashkoheshin forcat e shumta të krishtera,
Turqia mund të mundej dhe popullsitë e Ballkanit
mund të çliroheshin fare shpejt.
Në vitet 1590-1600, kur shtetet evropiane,
me gjithë antagonizmat që kishin midis tyre
filluan të përgatiteshin për të
hyrë në luftë kundër Turqisë,
shpresat e shqiptareve dhe të popujve të
tjerë të Gadishullit Ballkanik u shtuan
edhe më tepër. Në këto vite, në
kuvendet e tyre shqiptarët tregoheshin të
gatshëm për të rifilluar kryengritjet
kundër turqve. Në disa nga këto kuvende
u shtrua çështja çlirimit të
vendit dhe e rimëkëmbjes së "Mbretërisë
shqiptare". Por krerët dhe vetë malsorët
e shikonin të vështirë luftën
e tyre kundër turqve pa aleatë dhe pa armë.
Deri atëherë shqiptarët kishin luftuar
me armët e tyre të vjetra, me shpata, mizdrakë,
heshta e shigjeta. Por tani, me këto armë
nuk mund të luftohej kundër ushtrisë
turke e cila po pajisej me armë zjarri. Për
këtë arësye kuvendet u kërkonin
armë shteteve të huaja që ishin në
luftë ose përgatiteshin të hynin në
luftë kundër Turqisë. Për të
siguruar aleatë të afërt, krerët
shqiptarë hynin në marrëdhënie
me krerët e popujve të Malit të Zi,
Sërbisë, Maqedonisë. Greqisë e
Bosnjes, i ftonin të merrnin pjesë në
kuvendet e tyre dhe ata vetë i u përgjegjën
ftesave për të marrë pjesë në
mbledhjet e krerëve të popujve ballkanike.
Në qershor të vitit 1593 kur në Shqipëri
u muar vesh formimi i koalicionit evropian kundër
Turqisë, krerët e kuvendeve i njoftuan papës
se shqiptarët katolikë e orthodoksë
ishin gati të fillonin kryengritjen kundër
turqve sapo që Papati, Polonia ose Rusia do t'i
shpallnin luftë Perandorisë Otomane.
Gadishmërisë së shqiptarëve
papa i u përgjegj duke porositur më 1594
emisarin e vet, Komuleon, që të merrte kontakt
në Venedik, tinëz agjentëve të
republikës, me përfaqësuesit e kuvendeve
të malsorëve. Si duket, shqiptarët
morën kurajë nga këto kontakte, pasi
më 7 qershor 1594, për të hartuar projektin
e kryengritjes dhe të çlirimit të
vendit u mblodh në manastirin e Shën-Mërisë
në Mat kuvendi i përgjithëshëm
i Shqipërisë. Në kuvend morën
pjesë edhe përkrahësit e marrëveshjes
me Republiken e Venedikut, megjithëse kjo nuk
e donte luftën kundër Turqisë. Por
këtë radhë ata u detyruan t'i bindeshin
vullnetit të kuvendit që u shpreh për
kryengritjen e përgjithëshme. Bile, kalorësve
Tomë Plezha dhe Mark Gjini që ishin në
shërbim të Venedikut, iu ngarkua detyra
së bashku me peshkopin Nikoll Mekajshi të
hynin në bisedime me papën për zbatimin
e projektit të kryengritjes. Tinëz Republikës
projekti iu paraqit delegatit të papës në
shkurt të vitit 1595.
Republika e Venedikut i diktoi përgatitjet
e shqipëtarëve dhe u përpoq të
shtinte në dorë me çdo mjet, qoftë
edhe duke i vrarë, kalorësit dhe peshkopin
që vepronin në emër të "Mbretërisë
së Shqipërisë". Agjentët
e saj i ndoqën të tre përfaqësuesit
e kuvendit kudo që shkuan, në Napoli e në
Romë.
Në të njejtën kohë edhe në
jug të Shqipërisë bëheshin përgatitje
për kryengritjen e armatosur. Më 1595, kryepeshkopi
i Ohrit, Athanasi, pasi u kthye nga Moska, shkoi në
Butrint dhe, me anën e qeveritarit venedikas
të Korfuzit, i kërkoi Republikës së
Shën-Markut ndihmë për kryengritjen.
Por Republika, konsekuente në politiken e vet,
e hodhi poshtë kërkesën e kryepeshkopit.
Me gjithë mungesën e armëve, si në
veri edhe në jug filluan veprimet e kryengritësve
kundër sundimtarëve turq. Në rrethin
e Himarës, gati 10 mijë kryengritës
të armatosur me shigjeta dhe jataganë sulmuan
ushtrinë turke në Vlorë me shpresë
se do t'ju vinin ndihmat që u kishin premtuar
Papati e Spanja. Por papa nuk dërgoi asnjë
ndihmë duke përdorur si pretekst shpenzimet
e mëdha që bëheshin në Hungari
për luftën kundra turqve. Nga ana tjetër
edhe ato pak armë që nisi Spanja u sekuestruan
në det nga anijet venedikase.
Më 1596 përfaqesuesit shqiptarë i
përsëritën në Romë kërkesat
për armë. Ata i shkruanin papës se
po të kishin armë kryengritësit shqiptare
do të bënin diversion të madh në
forcat turke, në mënyrë që (hungarezët
dhe austriakët) do të kishin mundësi
të bënin përparime të medha. .
.". Por këto përpjekje gjenin gjithnjë
kundërshtimin e Republikës së Venedikut.
Me intrigat e saj republika solli një farë
përçarje në radhët e krerëve.
Ajo tërhoqi pas vehtes Tomë Plezhën
me partizanët e tij. Në fillim lëvizja
u duk sikur ra. Por pak vjet më vonë ajo
u ndez përsëri.
Në fund të shek. XVI, në kuvendet
e malsorëve filluan përsëri bisedimet
për organizimin e kryengritjes dhe për gjetjen
e armëve. Për këtë qëllim
u mblodh më 1601 kuvendi i përgjithshëm
në fshatin Dukagjin të Matit.
Kuvendi u mblodh pranë kishës së
Shën-Lleshdrit (Shën-Aleksandrit), një
kishë e madhe që mund të nxinte rreth
2000 vetë. Në punimete kuvendit të
cilat vazhduan edhe më 1602, morën pjesë
delegatë të ardhur nga 14 krahina të
Shqipërisë (nga Malsia e Shkodrës.
Zadrima, Dukagjini, Kosova, Lezha, Kurbini, Mati,
Dibra, Kruja, Petrela, Durrësi, Elbasani e Myzeqeja).
Kuvendi u drejtua nga Nikollë Mekajshi, Nikollë
Bardhi dhe Gjin Gjergji. Kuvendi mori vendim të
fillonte luftën për çlirimin e Shqipërisë.
Vendimin e nënshkruan 56 krerë kryesorë,
4 nga secila krahinë. Në vendim thuhet se
në punimet e kuvendit morën pjesë 2636
delegatë.
Për të larguar dyshimet që mund të
ngjalleshin te Venediku, këtë radhë
kuvendi vendosi t'i drejtohej më parë Republikës
së Shën-Markut për t'i kërkuar
ndihma në armë. Për këtë
qëllim dy përfaqësues, Nikollë
Bardhi dhe Pal Dukagjini, u nisën për në
Venedik dhe atje i parashtruan senatit vendimet dhe
nevojat e kuvendit të përgjithshëm.
Por senati edhe këtë radhë i përcolli
përfaqësuesit shqiptare me porosinë
e zakonëshme për të pritur pasi "nuk
kishte ardhur koha për luftë kundër
turqve".
Kuvendi vendosi t'i niste prapë për në
Venedik dy përfaqësuesit e vet për
t'i deklaruar senatit se po të mos e ndihmonte
lëvizjen e armatosur, të 40 mijë kryengritësit
shqiptarë, numri i të cilëve, së
bashku me fqinjët e tyre, brënda pak kohe
do të shtohej në 100 mijë vetë,
- me qenë se "nuk mund t'i duronin më
barbarët turq" do të ishin të
shtërnguar t'i drejtoheshin ndonjë mbretërie
tjetër evropiane, duke bërë aluzion
për Spanjën, rivalen e Venedikut. Por as
këto kërcënime nuk e bindën republikën,
e cila, tani kur midis Turqisë e Austrisë
po bëhej paqë, përpiqej të ruante
edhe më tepër miqësinë me Stambollin.
Për të larguar rrezikun e afrimit të
shqiptarëve me spanjollët, republika filloi
si gjithnjë të mbillte me të holla
përçarjen në radhët e udhëheqësve
të kuvendit. Me presionet dhe dukatat e saj ajo
mundi të bënte për vehte dy delegatët
shqiptare, Nikollë Bardhin dhe Pal Dukagjinin,
si dhe disa krerë të tjerë.
Pa armë dhe të përçarë
nga brënda, shqiptarët, të cilët
kishin filluar nga veprimet e armatosura dhe kishin
çliruar disa krahina bregdetare, u gjënden
përsëri vetëm përballë ushtrive
turke që filluan disa vite me vonë ekspeditat
kundër krahinave malore.