Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj
Nikollës) është nga shkrimtarët
më të shquar të letërsisë
shqiptare. Me një realizëm të thellë,
të panjohur deri atëherë në letërsinë
tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme
të shoqërisë shqiptare, sidomos të
shtresave të varfëra të qytetit e fshatit,
duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror
si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën.
Përfaqësuesi më i shquar i realizmit
kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë
me një shkallë shumë të lartë
ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën
për një botë të re dhe optimizmin
e thellë.
Migjeni lindi më 23 tetor 1911 në Shkodër,
në familjen e një tregtari të vogël,
ku shumë shpejt vështirësive ekonomike
iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare. Kur
ishte pesë vjeç, i vdiq nëna, kurse
në moshën trembëdhjetëvjeç
humbi të atin, e më pas vëllanë
e gjyshen me të cilën ai ishte lidhur fort
pas vdekjes së nënës. Këto fatkeqësi
e bënë Migjenin, që vetiu ishte një
natyrë e mbyllur, të tërhiqej nga jeta
e moshatarëve të tij. Pasi mbaroi shkollën
fillore në Shkodër, ai shkoi për të
vazhduar mësimet në Tivar dhe më pas
përfundoi seminarin teologjik të Manastirit.
Për një të ri me interesa të gjera
si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse. Nga
leximet Migjeni ra në kontakt me ide revolucionare
të kohës që zienin në gjithë
Evropën.
Në vitin 1932 Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe
nuk mundi të sigurojë një bursë
për të vazhduar studimet e larta, mbeti
pa punë deri sa më 1933 u emërua mësues
në Vrakë, një fshat afër Shkodrës.
Rruga Vrakë-Shkodër, që ai bëntë
përditë me biçikletë, ia keqësoi
gjendjen shëndetsore. Gjatë kohës që
qëndroi në seminar, Migjeni sëmurej
shpesh dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm
të mjekut, ngaqë mushkëritë e
tij ishin të dobëta dhe rezikoheshin të
prekeshin nga turbekulozi, sëmundja tipike e
kohës, nga e cila i vdiq edhe nëna.
Ndërkohë, ai kishte filluar të botonte
shkrimet e tij në revisten "Illyria".
Në to ndihen përshtypjet e para, reagimi
shpirtëror i Migjenit ndaj realitetit të
zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte zhytur edhe fshati,
edhe qyteti shqiptar.